POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Në garë vetëm 3 artistë, shpallen dy fituesit e konkursit 'Krijimtaria muzikore 2018'

U mbyll këtë fundjavë në ArTurbina konkursi mbarëkombëtar i krijimtarisë muzikore për vitin 2018. Në zhanrin e muzikës skenike opera mori pjesë në konkurs kompozitori Vasil Tole me – Opera Solemne – Skënderbeu Kryezoti i Arbërit me libret të Theofan Stilian Nolit dhe Vasil S. Tole.

Në zhanrin e muzikës skenike balet mori pjesë në konkurs Fatos Qerimaj, balet me “Eho Skënderbejane”, me libret të Petrit Rukës, ndërsa në zhanrin e muzikës skenike balet mori pjesë në konkurs Jetmir Zanganjori– Balet Ballkan Exspres – me libret të Stefan Çapalikut.

Ndërsa, juria që përzgjodhi fituesit përbëhej nga Thomas Simaku, Nicole LeFanu dhe Pedro Amaral vendosën që të shpallin fitues në balet kompozitorët Fatos Qerimaj dhe opera Vasil Tole, me motivacionin se tashmë në repertorin e muzikës shqiptare bashkëkohore do të shtohet një balet edhe një opera. Ndërsa, kompozitori i ri Jetmir Zaganjori, u vlerësua me çmim inkurajues.

Edhe përse afati i përfundimit të konkursit, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar në fillim, u shty nga Ministria e Kulturës, në mënyrë që pjesëmarrja e artistëve në garë të ishte më e madhe.

Sërisht në konkurs morën pjesë vetëm tre artistë. Kjo gjë, jo vetëm tregon situatën ku gjendet krijimtaria jonë muzikore, por edhe se krijimi i një vepre muzikore të mirëfilltë nuk kërkon vetëm një konkurs, por edhe inkurajim dhe mbështetje konkrete.

Me këtë nënkuptojmë praktikat ndërkombëtare, ku për një temë të caktuar artistë të mirëfilltë mbështeten financiarisht për ta realizuar një vepër.

Veprat fituese të “Konkursit Mbarëkombëtar të Krijimtarisë Muzikore” në gjinitë e mëdha të muzikës skenike opera dhe balet dhe muzikal, (ku në këtë të fundit nuk u prezantua asnjë vepër në garë), u prezantuan pjesërisht para jurisë dhe artistëve të pranishëm, ndërsa do vihen në skenë të plota në vazhdim.

ke.mu./al.sp.
Komento