Në kërkim të mrekullisë në 'Shën 
Ndou', aty ku jemi vetja më e mirë

Në kërkim të mrekullisë në 'Shën <br />Ndou', aty ku jemi vetja më e mirë
Nga Tirana drejt Laçit, të gjithë për një qëllim, për të qenë më afër asaj që besojnë, në sinkron me qindra zemra të tjera që shpresojnë te “Shën Ndou”. Është ky udhëtimi më i zakonshëm i një 12 qershori, cilido qoftë viti.
 
Nata e “Shën Ndout” që është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin katolik, e ka tejkaluar konceptin fetar, në Laç, atje ku është kisha me këtë emër askush s’i përket një religjioni të veçantë, të gjithë besojnë në mrekullinë e tokës së shenjtë.
 
Që nga nisja në Tiranë ndihet atmosfera përbashkuese e kësaj dite, grupe miqsh, familjarësh, a të panjohurish që mblidhen bashkë në një mjet transporti, me buzëqeshje në fytyra bëhen pjesë e kalvarit të gjatë të makinave që destinacion kanë Laçin.
 
Sa më në perëndim është dielli dhe sa më pranë është hyrja e qytetit, aq më i madh është fluksi i makinave që ndjekin njëra-tjetrën pa nxitim, sepse aty ky po shkojnë ka vend për të gjithë, mjafton të hapësh zemrën.
 
Dje edhe makinat dukeshin në harmoni, askush s’i binte borisë, trafiku nuk nevrikoste askënd, nga xhami i hapur mund të dëgjoje vetëm “Ju ndihmoftë!”
 
Hyrja në qytet ishte e vështirë, postblloqe policie që orientonin drejtuesit e mjeteve si dhe i qetësonin pas një devijimi rruge, se shtimi i forcave është vetëm për efekt të vizitorëve të shumtë, asgjë më tepër.
 
Më bëri përshtypje një djalë me biçikletë, po qëndronte në një rrugë dytësore që ne zgjodhëm si alternativë për të hyrë në qytet dhe me vullnet të lirë i jepte informacion shoferëve se cilën kthesë të merrnin që të mos ngecnin në “labirintet” e një qyteti të vogël, por që ngjan gjigant kur dëshira është e madhe për të arritur sa më shpejt.
 
Unë me miqtë e mi lamë makinën në oborrin e një shkolle. Të gjitha hapësirat e qytetit ishin përshtatur si parkingje në mënyrë që askush të mos ndihej i tepërt.
 
U nisëm. Dhjetëra duar vogëlushësh na u zgjatën, ndërsa ne tashmë duhet ta kishim të menduar listën e njerëzve fort të dashur që do u ndiznim një qiri. Pjesë e pandashme e “ritualit” janë qirinjtë që ne zgjodhëm t’i merrnim në fillim, mund ta bëje kurdo, kudo gjatë rrugës gjen.
  
Iu bashkuam rreshtit të gjatë të njerëzve. Shkallë-shkallë, me sytë nga disa drita në majë që tregonin destinacionin, u këmbyem me njerëz që hipnin e zbrisnin, mes tyre shumë të njohur. Kushdo sheh, takon dhe uron të njohur atë ditë, me kalimin e viteve sa vjen e shtohet dëshira e njerëzve për t’u bërë pjesë e kësaj energjie pozitive.
 
Sapo futesh në pjesën e rrugës ku bëhet i dukshëm kryqi, besimtarët kishin shtruar “krevatet” e asaj nate ku së paku duhet të bëjnë disa minuta gjumë, pasi siç thonë ata “është mirë të flesh, qoftë edhe pak minuta në këtë vend të shenjtë”.
 
Të shumta janë ritet që cilësohen si të mira. Që nga prekja e gurëve apo ecja zbathur me këpucë në dorë. Pak kush ankohet nga lodhja, të gjithë refuzojnë të kenë mendime negative, duket sikur i kanë lënë ato poshtë në qytet, atje lart duan të jenë të lirë.
 
Oborri i kishës ishte plot dhe radha për të hyrë brenda dukej e pafund, ashtu siç ndodh çdo vit. I dhimbshëm dhe shpresëdhënës momenti kur shikoje se si çahej turma e ngjeshur për t’i hapur rrugën fëmijëve me barelë që me tuba në hundë, ishin shkëputur për pak orë nga spitali në kërkim të një mrekullie.
 
Rrëqethëse! A nuk ishte një çast që çdokush të konstatonte mrekullinë që e ka çdo ditë e nuk e vëren, shëndetin?
 
Me të mbërritur mesnata të njohur e të panjohur urojnë njërit-tjetrin që e kanë fare pranë në batanijet e shtruara përdhe a mbi gurë.
 
Hapësirat aq të vogla fizike duket sikur tregojnë edhe zbehjen e boshllëqeve shpirtërore, që të pakën për një natë janë të papërfillshme.
 
Mbrëmë, dukej sikur hëna shndriste më shumë se asnjëherë mbi fytyrat e drejtuara nga qielli të atyre që teksa flinin besonin se çdo lutje para gjumit është dëgjuar.
 
Të shumtë ishin edhe vizitorët që erdhën pas mesnate në të martën e 13, u lutën dhe u kthyen pa bërë një sy gjumë.
 
E ndërsa dielli lindte ngjitje-zbritjet vijonin. Por dielli shndriste zbehtë në grumbullin e mbetjeve të shpërndara frikshëm kudo ku kishte shkelur këmba e njeriut. U luta fort këtë të martë në mëngjes, teksa ndizja qirinjtë dhe kujtoja ata të cilëve ua dedikoja, që njerëzit ta donin natyrën më shumë vitin tjetër.
 
Vetëm kaq i mungon kësaj tradite të veçante dhe hyjnore që ta rrënjosë përfundimisht idenë se “Shna Ndou” është toka e bekuar ku shqiptarët janë vetja e vet më e mirë.

lac

lac

Cuni i lones

Cuni i lones

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Fredi Belerit

Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Fredi Belerit