Në shtëpinë e Mbretëreshës Teutë në Mal të Zi, mozaikët 2300-vjeçarë

Në shtëpinë e Mbretëreshës Teutë në Mal të Zi, mozaikët 2300-vjeçarë

Gjiri i Kotorrit

13 maj 2018.  Ditë e diel. Moti jo shumë i keq. Bie nga pak shi, por plani që kemi bërë për të vizituar Kalanë e Mbretëreshës ilire, Teuta, në Rrizanë (Rhizon, Risani i sotëm) duhej zbatuar. Kësaj radhe duke ndjerë vështirësinë e pushtimit të kësaj pike historike, shumë domethënëse për të gjithë ne vendosëm që të nisemi pak më herët se zakonisht. Unë, Indrit Çitaku dhe Gëzim Mavriqi u mblodhëm në shtëpinë e Sami Flamurit ku nënë Naxhija na priti me ëmbëlsira e kafe. Ndërruam disa llafe, pimë kafetë dhe u nisëm për në aventurën e re.

Rrugës na përcillte një shi i lehtë dhe sa më shumë që i afroheshim destinacionit, qielli vrenjtej më shumë. Me një bisedë të këndshme arritëm në Kotor ku na priti kolona e veturave dhe bllokada e qytetit për shkak të disa aktiviteteve sportive që organizoheshin atë ditë.

Ngadalë dolëm nga tollovia dhe u nisëm drejt Rrizanës (Rhizon, Risani i sotëm). Sa dilte dielli, pas disa minutash vrenjtej dhe fillonte të binte shi. Samiu na jepte kurajo duke thënë se këto janë lotët e gëzimit të Mbretëreshës Teutë, se në vizitë ishin nisur nipat ilir nga Ulqini. Është e vërtetë 2300 vite kanë kaluar e nuk kishte shkuar askush nga pasardhësit ilir në këtë fortifikatë, në të vërtetë arkeologu ynë nga Ulqini, Anton Lulgjuraj ishte i vetmi që dinim ne se ishte ngjitur në kodrën e Gradinës, vendin ku gjendej fortifikimi dhe atë disa vite më pare, kurse sot ne katër ishim të parët që në mënyrë të organizuar i shkonim për vizitë mbretëreshës sonë.

-Gazi a të kujtohet se si na i hapte rrugët Mara Kastrioti para pothuaj 20 ditësh. Kam një ndjenjë se edhe sot do të na ndodhë e njëjta gjë. Shtigjet do të hapen vetvetiu. – tha Samiu.

Mozaiku i Risanit, të mahnitur nga Hyji Hipnos

Duke biseduar e qeshur arritëm në Risan. Parkuam veturën përballë qendrës arekologjike, ku gjendej mozaiku i famshëm i Risanit. Dolëm të katërt dhe u futëm brenda që të mahnitemi me bukuritë e Hyjit Hipnos, si dhe mozaikëve të tjerë. Vajza e cila punonte aty na u drejtua në gjuhën angleze, gjithashtu edhe ne iu përgjigjëm në të njëjtën gjuhë.

Për çështje kurioziteti na pyeti se nga vinim.

Ne iu përgjigjëm “-Nga Ulqini”.

Filloi të qeshet dhe konstatoi se ne njihnim edhe gjuhën e saj amtare dhe zyrtare të Malit të Zi, pra gjuhën malazeze. Bileta kushtonte 3 euro, por kjo nuk paraqite pengesë për ne. U futëm brenda. Para nesh u shfaqën pesë dhoma – komplekse ku dyshemetë e të cilave ishin të stolisura me motive të ndryshme të mozaikëve.

Normalisht së pari ne morëm menjëherë anën e majtë nga hyrja dhe shkuam drejt mozaikut më të bukur ku paraqitej Hyu Hipnos e që sipas njerëzve kompetent krahasohet me bukuritë e mozaikut në pallatin e Hadrianit. Bëmë fotografitë e nevojshme dhe me përshtypjet më pozitive dolëm nga aty. Nuk hezitova ta pyes vajzën se a është e vështirë të shkohet deri në fortifikatën e mbretëreshës ilire Teutë.

Jo nuk është e mundur. Nuk ka rrugë dhe ka shumë gjarpërinj. Madje edhe shtegu i ngushtë për momentin është i pakalueshëm për shkak të ferrave.

Tha një vajzë

Me mirësi e buzëqeshje u përshëndetëm me të, duke e siguruar se mbretëresha Teutë ishte duke na pritur tash 2300 vjet, kështu që rrugët janë të hapura nga momenti që jemi nisur nga Ulqini. U nisëm tatëpjetë. Anton Lulgjuraj na kishte dhënë udhëzimet: kur të mbrrini te kisha ndaloni.

Merrni rrugën e kalldrëmuar dhe përbri shtëpisë së vjetër gjeni shtegun, ku kalon një përrockë (i cili për momentin ishte tharë) mbani anën e majtë dhe do gjeni shtegun të cilit duheni t’i përmbaheni sepse rrugë tjetër nuk ka për të mbrritur lart. Gjithsesi keni shumë kujdes nga gjarpërinjtë e shumtë, na kishte porositur edhe ai.

Sfidat për të shkuar drejt fortifikatës së Teutës

Ndaluam dhe për fat të keq në vend se të merrnim rrugën e kalldrëmuar nën kishë ne vazhduam në këmbë drejt të ngjitemi. Filloi të bie shi e për çudi vetëm kodra e Gradinës ku gjendej fortifikata e Teutës shndriste nga rrezet e diellit. Gëzimi çuditej nga kjo dukuri, kurse ne ishim aq të entuziazmuar, saqë nuk e dallonim fortifikimin në anën tonë të majtë.

Duke bredhur nëpër bukuritë natyrore që na shfaqeshin dhe duke u fotografuar kërkuam ndihmën e një kalimtari të rastit. Ishte një plak pensionist i quajtur Radoman, i cili na tha se përveç kalasë në Gradinë (aty ku ne ishim nisur) në këtë anë tjetër fortifikim nuk kishte. Kërkuam ndihmën e Antonit prapë. Na tha të kthehemi mbrapsht dhe të gjejmë rrugën e kalldrëmuar që ishte te kisha. Në të kthyer urdhërova që të ndalej vetura dhe të dilnim jashtë që të katërt. Nga kjo pikë si në pëllëmbë të dorës shihej fortifikata e mbretëreshës sonë ilire Teuta të cilës i binin pingul rrezet e diellit.

Ja ku është miq, nga dëshira e madhe dhe entuziazmi nuk arritëm ta shohim.

Thashë unë

Samiu u mahnit me pamjen dhe filloi të lakoj emrin rreze dhe e vinte në lidhje me emrin e Risanit apo siç quhej në antikitet Rhizon. Fjala Rrezon (rrezet e diellit, rrezon dielli) ishte shumë e përafërt me emrin e Risanit madje edhe rrezet e diellit ashtu si binin në fortifikatë shumë lehtë të bënin të vije në këtë përfundim, por që unë parapëlqeja më tepër togfjalëshin Rri+zanë=RRIZANË (vendi ku rrinë zanat).

U nisëm drejt cakut të identifikuar. Ndaluam pranë kishës, gjetëm rrugën e kalldrëmuar, kaluam përbri shtëpisë së vjetër. Aty na doli gjyshe Danica (Yllmëngjesi), e cila ishte shumë e mirë dhe shfaqi çudinë e saj shumë të madhe sesi disa ulqinakë kishin interes për këtë fortifikatë të harruar nga të gjithë.

Tashmë kishin mbërritur në oborrin e saj. Pasi na ofroi kafe, na tregoi dy shtigje se si të mbërrijmë lart të parën pak më të mire, por tha: mos shkoni atypari, sepse aty gjendet një qen i rrezikshëm, i cili kishte kokën sa të një ariu, por shkoni nën atë shtëpi në mënyrë që ta anashkaloni qenin dhe pastaj merrni atë shteg, i cili ju çon drejt e në fortifikatë.

Gjyshja në pak minuta na tregoi për rrënjët e saj ilire-dalmate, na tregoi se kishte punuar si mami në spital ku kishte ndihmuar edhe disa nëna tona ulqinake dhe se kishte pritur në jetë shumë fëmijë nga Ulqini, tregoi se ishte ngjitur lart kushedi sa herë.

Njëqind herë na porositi të kini kujdes gjarpërinjtë dhe se kjo që po na shihte ne sot ishte çudia e saj më e madhe. Ndenji gjyshe Danica, duke na udhëzuar majtas-djathtas deri sa ne u zhdukëm nga pamja e saj. Madje edhe kur nuk na shihte nga larg e ndjente si obligim të na lëshonte nga një zë: -Mbani anën e rrjedhës së përrockës, a dëgjoni!

Zemra filloi të rrihte më shumë, kaluam pengesën e parë, qenin me kokë të madhe sa të ariut. Takuam tre punëtorë-krahu prej të cilëve njëri ishte me ngjyrë. U përshëndetëm me ta dhe unë i zgjata dorën afrikanit, duke e pyetur nga vinte. Ishte Sudanez. Ndërkohë para nesh u shfaq një vajzë e re rreth 22-23 vjeçe e cila ishte përgjegjëse aty.

I treguam ku jemi nisur dhe për çka. Ishte kjo Bojana, e cila na tha se me kënaqësinë më të madhe se do vinte me ne, por që është në orar të punës dhe megjithatë tha se do të na e tregonte një shteg më të lehtë nëpër të cilin ajo e dinte mirë dhe e kishte kaluar me qindra herë, sepse ishte vendase. Ne filluam të shkojmë pas Bojanës, e cila mundohej të na jepte informata rreth vendit, na tregonte shenjat që duhej të përcillnim, të tregoheshim të kujdesshëm për shkak të gjarpërinjve, pasi që kishte shumë dhe kur të ktheheshim na tha të shkonim drejt një shtegu tjetër se do të mbërrinim më shpejt ke vetura ku ishim parkuar.

Bojana na printe shtigjeve e rrugicave. Madje kaluam nëpër disa oborre shtëpish të braktisura dhe na çoi deri në pikën prej nga nuk do të mund të dilnim nga shtegu. Aty unë nxora librin tim “Tregime të çuditshme nga Ulqini” dhe duke iu falënderuar ia dhurova. U gëzua shumë dhe tha se e donte Ulqinin shumë. Pra, gjaku ilir edhe pse i përzier tashmë, prapë tërhiqte nga Iliriku, prapë e tërhiqte nga mbretëresha e saj ilire Teuta andaj edhe na ndihmoi pa përtesë dhe ndjente kënaqësi se na kishte treguar rrugën e duhur.

Teutë mjaft prite 2300 vite, ja ku jemi!

Teutë mjaft prite 2300 vite, ja ku jemi rrëzë fortifikatës tënde!  Filloi ngjitja, unë u prija tashmë, pasonte Indriti, Samiu dhe i fundit Gëzimi, sepse bënte fotografi. Shtegu ishte pak i vështirë, ngaqë kishte ngjitje konstante. Shkonim pas shenjave të kuqe, vendosur nga bjeshkatarët, gjarpëronim shtigjeve të dhive ku lehtë dalloheshin edhe gjurmët e tyre të lëna pas. Ngjitja vazhdoi për më shumë se gjysmë ore rrugë thikë tatëpjetë, pamjet në Gjirin e Teutës ishin mahnitëse.

Askush nuk bëzante deri sa nuk iu afruam murit rrethues në 20 metra. Vendosëm që të ulemi të pushojmë pak, moti ishte i përkryer, ideal për një ngjitje të tillë të vështirë. Na deshi fati, që para një ore kishte rënë shi dhe nuk ishte shumë nxehtë. Kur u ngjitëm në maje të kodrës madhështore, para nesh u shfaq fortifikata. Vëreheshin gjurmë të gërmimeve, lidhja e mureve ishte tipike ilire. Ky vend nuk është i njohur vetëm përmes Agronit e Teutës por këtu kohë më parë janë gjetur edhe monedhat ilire me kokën e mbretit Ballaios e që do të thotë këtu ka mbretëruar edhe një mbret ilir, të cilin historia e njeh më pak.

Tani shihnim atë që Mbretëresha Teutë shikonte para 2300 vitesh. Ajo kishte hapur shtigjet për ilirët e saj ulqinakë, ajo kishte dërguar të gjithë ata njerëz vetëm e vetëm qe ne të shkojmë te ajo pa pengesa. U lëshuam të gjithë në eksplorim, njëri majtas tjetri djathtas, njëri poshtë e tjetri lart. Të gjithë ishim në trans, pamja që shtrihej në Gjirin e Teutës (Gjiri i Kotorit) ishte mëse mbresëlënëse.

Samiu si gjithmonë kyçet në rrjetet sociale dhe fillon transmetimin për së gjalli të video-xhirimit të vendit ku ndodheshim. Normalisht gjatë xhirimit mundohej që shikuesve tu tregojë ku ndodhemi, dhe për çka ishim aty dhe të gjithë ishim për të përcjellë këtë histori të shkurtër, ashtu siç i kujtohej atij dhe bashkëbiseduesve. Ngaqë ka të tillë që përtojnë të lexojnë, këto blic informata janë shumë domethënëse. Përsëris: Teuta gruaja e mbretit ilir Agronit, udhëhoqi shtetin ilir të Ardiejve nga viti 231 – 227 p.e re. Ky shtet shtrihej që nga Ishulli Vis (Isa) në Kroaci duke përfshirë, Risanin, Ulqinin, Shkodrën, Lezhën e deri në Durrës.

Ngaqë sipas ligjeve ilire sulmi dhe plaçkitja e anijeve tregtare të vendeve tjera, për derisa i paguanin shtetit taksat e obligimet nga kjo veprimtari, ishte e lejueshme. Mirëpo kjo dukuri ishte shqetësuese për Perandorinë Romake dhe kjo u shfrytëzua si shkas për fillimin e luftës së Parë iliro-romake.

Mbretëresha Teutë humbet luftën pasi që disa nga gjeneralët e saj e tradhtuan dhe sipas legjendës lokale që tregohet sot e gjithë ditën në Risanin e saj thonë se ajo për të mos rënë në duart e romakëve, kërcen nga fortifikata e saj në shpellën nëpër të cilën kalonte lumi nëntokësor dhe mbytet. Duke parë anijet e panumërta të romakëve dhe ushtarët e pafund armiq në momente e fundit të jetës së saj, ajo mallkon edhe Risanin duke lëshuar nëmën e mospasjes kurrë të anijeve, dhe vendasit edhe sot i besojnë kësaj nëme dhe thonë se i vetmi Risani nuk ka anije e as port dhe kjo është rezultat i nëmës së Mbretëreshës ilire Teuta.

Brenda dhomave te kështjellës ku ishin kryer gërmimet

Unë hyra brenda dhomave, ku ishin kryer gërmimet, hasa në disa eshtra e që të linin të mendosh se ato ishin therrur për flijime të ndryshme, pasi që nga dheu shiheshin ende copa eshtrash. Por, me aq sa unë kam njohuri nuk ishin njerëzore. Koha kalonte dhe ashtu edhe ne udhëtonim nëpër kohë, në një moment gjatë fotografisë kolektive, Samiut i erdhi një vrull dhe  me sa zë kishte thirri emrin e Teutës. Besojmë se ajo na ndjeu dhe u kënaq me praninë tonë aty.

Ne çuam edhe një amanet në vend: Kujtuam në shtëpinë e saj më të madhen dhe të papërsëritshmen mbretëreshën ilire Teuta. Tanimë filluam të zbresim kodrës, ndoshta nga emocioni por aq lehtë uleshim, a thua se zbrisnim shkallëve. Komentet pozitive, në një moment në gurët që kishin rënë nga muret lart, mua më dukej se njëri kishte disa zbukurime, u ndala ta analizoja por nuk isha i sigurt a janë bërë nga dora e njeriut apo nga natyra.

Andaj vendosa të vazhdoj rrugën, kurse arkeologëve dhe njerëzve kompetent t’u lija gurët, muret dhe të gjitha tjerat që t’i hulumtojnë.

Sipas kodit të mirësjelljes, para se të shkojmë ke vetura iu lajmëruam gjyshe Danicës dhe iu falënderuam për udhëzimet që na kishte dhënë. E ajo ashtu siç janë të gjitha gjyshet e mira na ofroi të gjitha të mirat e shtëpisë së saj, por ne u mjaftuam me ujë burimi që buronte aty pranë.

E pimë këtë ujë me shumë kënaqësi së pari se ujin tonë e kishim mbaruar të gjithin dhe së dyti ishte ujë nga burim ku ndoshta edhe mbretëresha Teutë do të ketë pirë ujë. Me këto mendime u ndamë dhe u përshëndetem nga gjyshe Danica dhe u nisëm për në Ulqinin tonë, ku duhej mbërritur para territ.

Para se të niseshim Samiu kontrolloi videon, për një orë e kishin parë mbi 1200 vetë e kjo na tregonte se tema ishte e qëlluar. Duke shpresuar që këto vizita, që kemi bërë në një afat kohor prej tri javësh kemi pasqyruar tri periudha kohore (antikitetin, mesjetën dhe kohën e re) dhe tri personalitete të rëndësishme për historinë tonë kombëtare (Mbretëresha Teutë, Mara Kastrioti dhe Isa Boletini), të shndërrohen në dokumentarë të ardhshëm të realizuar në mënyrë profesionale, do të shlyhet një borxh i madh që kemi ndaj paraardhësve tanë, por edhe për brezat që vijnë.

Në Ulqin arritëm në orën 22.00. Kishim kaluar pothuaj 12 orë eksplorimi të gjithë plot emocione dhe të realizuar si shpirtërisht ashtu edhe mendërisht. Vizita të këtij lloji u dëshiroj të gjithëve që kanë shpirt aventurieri, kurse të tjerëve u dëshiroj shikim të këndshëm të videove që postojmë.

Shënim: Fotografitë janë bërë nga Gëzim Mavriqi e Sami Flamuri

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët