Nga Fake News, tek titujt bombastikë,
humnera e portalo-manisë në Shqipëri

Nga Fake News, tek titujt bombastikë,<br />humnera e portalo-manisë në Shqipëri<br>
Në katër vitët e fundit, në Shqipëri ka shpërthyer portal-mania, një tendencë e re e kohës, që duket se lidhet ngushtë me shtrirjen e teknologjisë së celularëve dhe të internetit tek një numër i gjërë përdoruesish. 

Çfarë po ndodh?
Shtypi i shkruar po shkon në krizë të thellë tregu, ndërsa ai online po njeh një rritje eksponenciale. Por, duke qenë një sektor relativisht i ri dhe i parregulluar, ashtu sikurse ka ndodhur edhe me gazetat apo televizionet më parë, numri i portaleve informative ka njohur një boom, që shpeshherë ka të bëjë më shumë me sasinë, se sa cilësinë, duke qenë se një numër i madh i këtyre portaleve veprojnë në të zezë, për të mos thënë që janë portale fantazmë. Si të tillë, shumë prej tyre në Shqipëri veprojnë me sulme personale, shpesh herë të pabazuara, me lajme të rreme, si dhe me tituj të fryrë, të shoqëruar nga lajme në brendësi pa asnjë përmbajtje. 

Të tilla raste ka plot. Mund të gjenden për shembull tituj të tipit: “Zbulohet emri i autorit të dyshuar për vrasjen e kryer në Tiranë…” Në brendësi të këtij lajmi gjenden vetëm inicialet e autorit, të dhëna nga policia, të cilat nuk e bëjnë aspak të qartë identitetin e tij, duke e bërë për rrjedhojë titullin bombastik jo-informues dhe portalin që e publikon të pabesueshëm. Megjithatë, lufta e klikimeve nuk njeh kompromis. Publikohen në këto portale, foto minorenësh pa ju fshehur identitetin dhe madje edhe skena seksi të pacensuruara. Kufomat e viktimave, si me foto, ashtu edhe video, me përmbajtje të rëndë, ku dallohen shenja gjaku, apo plagë të hapura shpesh herë nuk censurohen gjithashtu. 

Për të mos lënë pa përmendur lajmet e rreme. Këto ditë u bë virale në rrjetet sociale një deklaratë e ministrit të Jashtëm grek se Shqipëria ka pranuar që Greqia ta zgjerojë hapësirën e saj detare me 12 milje. Një dizinformim total dhe dashakeq bëri që të përhapej një panik i madh, që kulmoi në krijimin e një opinioni të caktuar të revoltuar. Pa njohur ende detajet teknike të marrëveshjes, në Shqipëri deklaratat e ministrit grek u morën si të mirëqena, edhe pse mes Greqisë dhe Shqipërisë, në shumë pjesë detare, hapësira detare është më e vogël se 12 milje. Por thelbi qendon në atë, se të gjithë po komentojnë mbi lajmin bazë, sipas të cilit shitja e detit nga Shqipëria drejt Greqisë është diçka e përfunduar. Po si mund të pretendohet kjo pa parë se ç’është shkruar në draft marrëveshjen midis dy shteteve? Kur të gjithë e dinë se delegacionet e dy vendeve ende janë në fazë negociatash, pra nuk ka asgjë të përfunduar? 

Lajme apo anti-lajme deri në në tragjikomike për të rrëmbyer klikime janë shfaqur në portale, të tilla si “viktima gjendet nudo në dush, rrëshqiti teksa po lahej” (autorët mendojnë se mund të lahesh më rroba në dush?!), etj, të cilat ngrenë një nevojë serioze për një rregullim dhe monitorim serioz të sektorit, nga autoritete dhe ligje të posaçme.

Në Bashkimin Evropian kohët e fundit ka nisur një fushatë, e inicuar nga politika, për të krijuar barriera ndaj lajmeve të rreme, duke pranuar se ato krijojnë panik, tensione, dëme ekonomike për persona apo institucione të prekura. Kjo situatë ende është e largët në Shqipëri, ku po lulëzojnë çdo ditë portale të reja. Por do të ishte me vend që vetë komuniteti i gazetarëve të dilte kundër një fenomeni që, në fund të fundit, e zhvlerëson sektorin e mediave si të bazuar në thashememet dhe në gjoba ndaj politikës apo bizneseve.

Nga një problematikë e tillë kanë vuajtur dhe po e pësojnë gazetat e shtypit të shkruar, madje edhe ato që janë korrekte, po kështu shumë televizione informative, që krijohen e mbahen në këmbë nga pronarë që kanë krijuar në treg një kaos informative për të arritur në këtë mënyrë, me shantazhe apo lëvdata të rreme, suksesin e munguar në biznes, ose shpëtimin nga hekurat e burgut.    

logo

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë