POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Ngjarjet e shtatorit '98, Fatos Klosi: Kush e donte Azem Hajdarin të vrarë dhe e vërteta e 'grushtit të shtetit'

Ngjarjet e 14 shtatorit 1998

Ish-shefi i Shërbimit Informativ njëzet vite më parë, Fatos Klosi flet për ngjarjet që tronditën vendin në shtator 1998, vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari dhe grushtin e shtetit. Në një intervistë për gazetën Dita, Klosi thotë se ai ishte një grusht shteti i mirëfilltë, pasi i kishte të gjithë elementët për t’u quajtur i tillë. I pyetur se kujt i interesonte vrasja e Azem Hajdarit, Fatos Klosi ka një përgjigje. 

A ishte vërtetë tentativë për grusht shteti ai i 14 shtatorit?
Sipas meje po, në planet e kryengritësve ishte rrëzimi i pushtetit me anë të dhunës. Në këtë kuadër ata morën me dhunë pothuaj të gjithë institucionet kryesore të shtetit. Dolën dhe në TV publik dhe e deklaruan këtë gjë. Faktorë të jashtëm i bindën që ta ndërprisnin këtë maskaradë dhe kështu ikën me bisht ndër shalë dhe u barrikuan në selinë e PD.

Izet Haxhia ka ardhur në Shqipëri dhe kërkon rihapjen e dosjes. A është e mundur që të rigjykohet kjo çështje?
Izet Haxhia ka ardhur dhe me të drejtë kërkon hapjen e dosjes për rishikimin e pozicionit të tij në këtë ngjarje, pasi është dënuar në mungesë. Në këtë kuadër rihapja e çështjes është e ligjshme. Por po kalon shumë kohë dhe kurrkush nuk po merret me këtë kërkesë të Izet Haxhisë. Me sa duket politika, që gjithmonë ka komanduar në këtë vend, nuk është e interesuar për këtë gjë.

Cilat janë pikat e errëta që ende nuk janë zbardhur?
Për mua më e errët ka mbetur situata pas ngjarjes, se si u eliminuan pothuaj të tërë ata që mund të hidhnin dritë mbi ngjarjen dhe kurrkush nuk mbajti përgjegjësi për këto ngjarje.

Cili ka qenë roli i Sali Berishës në vrasjen e Azemit?
Ka qenë roli i një të interesuari për vrasjen dhe për shfrytëzimin e mëpastajmë politik të saj.

Besoni se reformimi i sistemit të drejtësisë do të zbardhë të vërtetën e ngjarjeve tragjike të 20 viteve më parë?
Unë shpresoj që reformimi i Sistemit të Drejtësisë do të krijojë premisat që të gjitha ngjarjet e mëdha të periudhës së tranzicionit të rishihen, larg interesave të klasës politike, që gjithmonë ka qenë e implikuar në to dhe ka penguar zbardhjen e drejtë të tyre./Gazeta Dita/

l.q.
Komento

Komente

  • Roza: 14/09/2018 18:37

    Te lumte zoti Klosi. Ti i duhesh edhe nje here ketij vendi. I ke vene polar mbi I.

    Përgjigju
    • Sinqeritet: 21/09/2018 00:52

      Le te shpresojme,perkrahje Izet Haxhise.