Nikolla Gruevskit i pranohet kërkesa për azil, Hungaria: E morëm në konsideratë për arsye sigurie

Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka marrë këtë të mërkurë statusin e azilantit politik në Hungari. Lajmi është bërë i ditur nga “Alsat Maqedonia”, e cila shkruan se kërkesa e Gruevskit është pranuar nga kabineti i kryeministrit të Hungarisë dhe se do të shqyrtohet dhe vlerësohet nga autoritetet hungareze.

Media maqedonase citon njoftimin e kabinetit të Viktor Orban, ku thuhet ndër të tjera se vlerësimi i kërkesës për azil të Nikolla Gruevskit do të shqyrtohet vetëm në aspektin juridik.

“Ish-kryeministri i Maqedonisë ka deklaruar arsyet për mundësimin e statusit të refugjatit në Hungari. Duke pasur parasysh se Gruevski ka qenë për 10 vite kryeministër dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e sigurisë, autoritetet tona i kanë lejuar Gruevskit të dorëzojë zyrtarisht kërkesë për azil dhe e kanë dëgjuar arsyetimin e tij në zyrat e Byrosë për migrim dhe azil në Budapest. Autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit dhe do ta vlerësojnë në përputhje me ligjet hungareze dhe ato ndërkombëtare. Ne nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe konsiderojmë se vlerësimi i kërkesës për azil për ish kryeministrin do të shqyrtohet vetëm në aspektin juridik", citon "Alsat Maqedonia" njoftimin e kabinetit të kryeministrit Orban, që shton se nuk mund të ndajnë më shumë informacion me opinionin, përpara se të përfundojë procedura për azil e ish-kryeministrit Gruevski. 

Procedura për azil zbatohet në afat prej 60 ditëve, duke përfshirë edhe intervistën kokë-më-kokë me kërkuesin për azil. Koha e nevojshme për procedurat nuk është e përfshirë në afatin procedura, e megjithatë, qeveria mund të sjell vendim në afat më të shkurtër kohor, e cila zgjat deri në 15 ditë.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka kërkuar një ditë më parë azil politik në Hungari dhe lajmin e ka bërë vetë të ditur, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në rrjetin social "Facebook". Mbi të rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës, pasi bleu gjatë kohës që ishte në postin e kryeministrit të Maqedonisë një automjet të tipit “Mercedes” me vlerë rreth 600 mijë euro.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kurti: Kryetarët në veri largohen vetëm përmes votimeve, e jo bandave

Kurti: Kryetarët në veri largohen vetëm përmes votimeve, e jo bandave