POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Nikolla i përgjigjet opozitës dhe sqaron planin: Nuk po mbyllim shkollat, por klasat kolektive

Tirane- Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në një konferencë për shtyp i dha përgjigje akuzave të opozitës për klasat kolektive. Sipas saj, 33 mijë nxënës që mësojnë në klasa kolektive do të transferohen në klasa respektive në shkollat më të afërta me ta, sipas një plani të mirë hartuar.

“Ne nuk kemi synim mbylljen e shkollave por mbylljen e klasave kolektive. E theksoj klasave me nxënës të moshave të ndryshme ku numri i nxënësve është edhe 3 edhe 5. Ndërhyrja jonë ka filluar që vitin e kaluar shkollor. Testuam të gjithë nxënësit për aftësitë në shkrim lexim dhe në bazë të nevojave realizuam programin për përforcimin e shkrim-leximit  pas trajnimit të mësuesve.  Ky ishte edhe hapi i parë emergjent”

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla

Më tej ministrja sqaroi të gjithë planin për shkollat kolektive që finalizohet me transferimin e nxënësve në shkollat më të afërta

"Hapi i dytë ishte një studim rrënjësor i gjithë sistemit të klasave kolektive të shtrirë në gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi parë secilën klasë, kemi matur largësinë nga shtëpitë e nxënësve, nga shkollat e tjera më të afërta, kemi parë kushtet e punës në këto klasa, kemi dërguar ekipe të ecin në këmbë rrugët që përshkojnë vet nxënësit. Kjo punë 8 mujore ka rezultuar në identifikimin e klasave që mund të transferohen në shkolla më të mëdha ku nxënësit do të mund të mësonin me bashkëmoshatarët e tyre jo me në klasa kolektive. Kemi bërë planin e veprimit për të realizuar këtë transferim. Hapi i tretë po ndodh tani: hartimi i urdhrit për transferimin e  nxënësve në shkollat më të afërta, si dhe sistemimin e mësuesve të këtyre nxënësve në sistem, duke i siguruar se askush nuk do të mbetet i papunë"

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla

ma.nd./b.ha.
Komento