POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Nisma në Kuvend/ Komision Ndërkombëtar për të zhdukurit nga regjimi komunist

Foto ilustruese

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur do të asistojë autoritetet shqiptare për të gjetur personat zhdukur nga regjimi komunist në Shqipëri. Marrëveshja e depozituar për miratim në Kuvend synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri midis datave 29 nëntor 1944 dhe 2 korrik 1991. Pakti parashikon rregulla të detajuara për bashkëpunimin mes Komisionit Ndërkombëtar dhe autoriteteve përgjegjëse shqiptare për identifikimin, gjetjen e personave të zhdukur, si dhe për koordinimin e punës me organet kompetente. ICMP është organizata e vetme në botë, që merret me personat e zhdukur. Ajo po punon në të gjithë kontinentet, ku ka persona të zhdukur si pasojë e konflikteve të armatosura si në Siri, Irak, Libi, etj. Në Ballkan ICMP ka zbuluar mbi 70 për qind e personave të zhdukur nga konfliktet në ish-Jugosllavi, falë metodave shkencore dhe provave me ADN.

Zyra në Tiranë  
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP-ja) do të krijojë një zyrë shërbimi në Tiranë me ekspertë, për gjetjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Përfaqësuesit ICMP, sipas marrëveshjes, do të përdorin metoda tekniko-shkencore të zbulimit e të identifikimit të të zhdukurve, ndërsa do të shkëmbejnë  informacion me organet kompetente shqiptare, në kuadër të koordinimit të bashkëpunimit, me qëllim realizimin e aktivitetit administrativ. ICMP-ja do të jetë vetë përgjegjëse financiarisht për ambientet në Tiranë, pajisjet dhe orenditë për përmbushjen efektive të funksioneve të saj. Si fillim palët do të konsultohen me njëra-tjetrën në lidhje me problematikat që mund të lindin gjatë zbatimit të kësaj marrëveshje.

Ekspertët
Sipas marrëveshjes që pritet të miratohet nga Parlamenti, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur mund të punësojë ekspertë të huaj, por edhe ata me shtetësi shqiptare. ICMP-ja merr përsipër trajnimin e ekspertëve, ku mund të organizojnë trajnime të përbashkëta, nëse është e nevojshme. Gjithashtu, në përputhje me legjislacionin e tyre, autoritetet kompetente të palëve mund të shkëmbejnë ekspertizë nëpërmjet zyrës, lidhur me çështjet e parashtruara në këtë marrëveshje, me qëllim thjeshtësimin dhe harmonizimin e procedurave e të praktikave për identifikimin e personave të zhdukur. “ICMP-ja do të gëzojë imunitetet dhe privilegjet e garantuara për të gjitha misionet diplomatike të akredituara në Shqipëri, në përputhje me Konventën e Vjenës. Përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë marrëveshje dhe në dokumentet e rregulloret e ICMP-së dhe të personelit, të shpallura në lidhje me kushtet e punësimit të zyrtarëve, në ambiente do të zbatohen ligjet dhe rregulloret e Shqipërisë”, parashikon marrëveshja.

Shkëmbimi i informacioneve dhe hyrja në fuqi
Sipas marrëveshjes, shkëmbimi i përbashkët i të dhënave personale ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve do të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës dhe atë ndërkombëtar. Shkëmbimi dhe mbrojtja e informacionit të klasifikuar do të kryhet në përputhje me legjislacionin kombëtar e atë ndërkombëtar. “Kjo marrëveshje hyn në fuqi kur Këshilli i Ministrave të njoftojë ICMP-në se janë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje dhe ku Krijimi i kësaj zyre nuk do të sjellë mbivendosje me organet e zbatimit të ligjit, pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të palëve, nëpërmjet evidentimit, gjetjes së personave të zhdukur, shkëmbimit të informacionit, duke përcaktuar mirë detyrat e zyrës, të pavarura nga detyrat e organeve të administratës publike”, parashikon marrëveshja.

Nuk ka bilanc për viktimat
Njëzet e shtatë vjet pas rënies së komunizmit, akoma nuk ekziston një burim zyrtar i plotë informimi i aksesueshëm për të gjithë, mbi viktimat e këtij regjimi. Në vitin 1993-1995, nga Komiteti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë dhe filialet e tij nëpër rrethe, u arrit të bëhej një regjistrim i individëve të persekutuar në formën e sondazheve personale dhe dokumentacionit mbështetës nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe Ministria e Drejtësisë. Dhe mbi këto të dhëna u bë përcaktimi i statusit të persekutuarve sipas kategorive, që do të shërbente më vonë edhe si bazë dokumentuese, për shpërblimin e tyre financiar. Por, ky regjistër është i paplotë, sepse është ndërtuar në bazë të kërkesave të interesuarve, jo në bazë të një studimi shterues mbi baza shkencore. Nga kërkimet e deritanishme të ISKK, numri i të dënuarve të të gjitha kategorive, është shumë herë më i madh se shifra aktuale zyrtare. Nga ana tjetër, statistikat e deritanishme, përveçse të paplota, janë të paaksesueshme nga publiku. 

d.ba.
Komento

Komente

  • Mala: 12/10/2018 09:15

    Komisioni nderkombetar per te zhdukurit, joi vetem gjate komunizmit,por edhe nga fillimi i demokracise ed eri sot. Ai komision te zbuloje: Kush,ku dhe pse varau biznismenin Hoxha?! Kush dhe pse e vrau Azem Hajdarin? Sa shqiptare u vrane,me fajin e kujt, dhe pse u vrane me 1997?Kush dhe pse i vrau qytetaret e Gercdesit dhe shkaterroi Gerdecin? Kush dhe pse vrau kater qyteatre me 21 Janar ne Tirane? dhe varsjet te tjera, qe mbeten te panjohura qe nga 1990 e deri te Olldashi.Gjitha jane shume me trishtuese dhe me enigmatike.Vrastaret ndoshta jane ne krye subjekteve!? partiake apo ne skenat politike aktuale

    Përgjigju
  • Emigranti: 12/10/2018 08:56

    Po pse nderkombtaret keni fonde te mjaftushme per ti paguar apo e dijn ku jan te varrosur u marrt mortja edhe ju ishalla edhe me shku ne hale do pysni nderkombtaret apo mos asht ba zakon tashi per te vjell ndoj fond me europianet se jan ne kriza tashi

    Përgjigju