Një ditë me mësuesin Murati, 6 orë
në këmbë për të shkuar në punë

Një ditë me mësuesin Murati, 6 orë<br />në këmbë për të shkuar në punë<br>
Arsimi Shqiptar në kohë ka njohur sakrifica të jashtëzakonshme të mësuesve për shkak të mungesës së infrastrukturës  sidomos në vitet e para të çlirimit, por a duhet mësuesit të sakrifikojnë edhe sot në 2017 si 50 vite më parë?

Mësuesi i ri Skerdilajd Murati i diplomuar pak kohë më parë i duhet të ecë me këmbë për orë të tëra për të shkuar në shkollën ku jep mësim. Ai ngrihet në orën 4.30 të mëngjesit, merr çantën e punës dhe niset me furgon në drejtim të fshatit Poroçan. Report Tv ishte një ditë me Skerdilajdin se si fillon një ditë pune e tij.

Rruga nuk është ndër më të mirat por e gjatë dhe kjo e bën Skerdilajdin të përgjumet edhe pse me mbërritjen e pret sërish një sfidë. Në orën 7 ai është në fshatin Poroçan.

Këtu nis edhe aventura e tij e përditshme. I vetëm do të ndjekë një shteg dhish për 1 orë e gjysmë për të mbërritur në fshatin Gjerë atje ku ai jep mësim. Kjo rrugë nuk është vetëm ecje, por sfidë pasi balta e krijuar nga reshjet, frika e kafshëve të egra dhe terreni i thyer e bëjnë atë të tmerrshme për të riun.  Mësues Skerdi tregon se një nga këto ditë është përballur me një ujk dhe ka arritur ti shpëtojë mrekullisht sulmit.

Deri tani kemi një orë që ecim, plus pjesën e mëngjesit që e përshkruaj me furgon, 1 orë e gjysmë në mëngjes, kemi edhe gjysmë ore rrugë që të mbërrijmë tek fshati ku unë jap mësim. Kjo rrugë kalon nëpër pyllin e dendur ku gjenden edhe kafshë të egra. Unë jam tërësisht i vetëm, çfarë mund të bëj unë? Madje një ditë më kapi syri edhe një ujk i cili më trembi sepse isha i vetëm.”, tregon mësues Skerdilajdi.

Skerdilajd Murati është shembulli se si kjo sakrificë vazhdon akoma, duke u rikthyer në kohën e mësimdhënies së Migjenit.

Nxënësit e tij e presin me padurim. Është ai që mban hapur këtë shkollë pasi jep lëndën e gjuhës dhe letërsisë. Në të kundërt duhet të ecin me orë të tëra për të shkuar në shkollën më të afërt.

Të përgatitur dhe me shumë dashuri për shkollën, fëmijët e Porocanit e kuptojnë mësuesin e tyre të ri madje edhe nëse ai vendos të largohet, pasi vështirësitë për të shkuar apo qëndruar në fshatin e largët Gjerë janë epike.

Po kështu edhe e vetmja mësuese në këtë shkollë thotë se Skerdi po bën sakrifica të mëdha, por nëse ikën ai shkolla mbyllet dhe janë fëmijët ata që duhet të udhëtojnë mbi një orë e gjysmë për në shkollën më të afërt.

Për mësuesin Skerdi, që jep lëndët gjuhë dhe letërsi, na vjen keq sepse nuk ka ku strehohet. Ai ka bërë sakrificë të madhe për të mësuar fëmijët e këtij fshati. Në kushtet e dimrit është edhe më e vështirë që ai ta bëjë rrugën në këmbë vajtje-ardhje. Duhet të gjendet një zgjidhje, të vijë një mësues që është më afër zonës”, thotë e vetmja mësuese e shkollës.

Vetë mësuesi i ri duket se është dorëzuar. Pas dy muajsh sakrifica, luftë me veten ai ka vendosur të tërhiqet. I vjen keq për nxënësit por vështirësitë e pafundme bëjnë që ai ti japë nxënësve lajmin e keq.

Më shumë keq më vjen për nxënësit. Ata duan të arsimohen, e kanë të drejtë ligjore të arsimohen, por nuk e di. Për mua është shumë e vështirë ta vazhdoj këtë lloj misioni që kam nisur pasi jemi dhe në dimër e koha sa vjen e bëhet më e ashpër.”, shprehet Skerdi.

Skerdilajdi u mundua ti përshtatej punës së re me të gjitha mënyrat. Fillimisht mori një shtëpi të braktisur ku vendosi të jetonte nga e hëna deri të premten për tu kthyer pranë familjes në fundjavë, por kushtet dhe gjendja e shtëpisë bënë që të hiqte dorë edhe nga kjo mundësi.

“Kjo është banesa që kam gjetur në fillim kur erdha këtu në fshatin Gjer. Në fillim bëra shumë sakrifica, durova, jetova në këtë shtëpi, por e pashë që ishte e pamundur. Kushtet janë çnjerëzore, çfarë mund të bëjë një djalë i ri në këto lloj kushtetsh.”, thotë mësuesi i ri.

Në përfundim të mësimit Skerdilajdi pasi ka kërkuar disa herë të gjendet një zgjidhje nga institucionet, ka vendosur ti drejtohet ministres së arsimit Lindita Nikolla. I bindur se vetëm ndërhyrja e saj mund ta zgjidhë çështjen, mësuesi i ri i lutet të ndërhyjë. E vetmja gjë që ai do, është një punë si mësues në një shkollë që ka rrugë.

Shpresa ime e fundit është ministrja Nikolla të cilës i bëj thirrje që të më gjejë një punë ku të mund të iki me makinë. Besoj se nuk po kërkoj ndonjë gjë jashtë mundësie. Unë jam djali i dy prindërve dhe ata merakosen për këtë lloj situate ku jam unë. Zonja ministre ju jeni nënë vetë e duhet ta kuptoni më shumë se kushdo tjetër dhimbjen e shqetësimin që ndjen një nënë kur djali i saj emigron në vend të vet”, i bën thirrje Skerdi ministres Nikolla.

Banorët e zonës e njohin sakrificën e mësuesit të ri, ata thonë se zgjidhja është të vendoset një mësues i zonës në shkollën e tyre që shkolla të mos mbyllet dhe Skerdilajdi në një shkollë më afër shtëpisë së tij.

 “Të bësh gjithë këtë rrugë e të japësh mësim është e pamundur. I lutemi ministrisë së Arsimit ta shikojnë situatën e këtij djali. Të vijë nga Gramshi këtu i thonë 33 kilometra. Të gjejnë një mësues nga vendi, ka sa të duash.”, thonë banorët e fshatit.

Pasi bëjmë 3 orë e gjysmë rrugë nga fshati Gjerë në Porocan në këmbë e më pas me furgon për në Gramsh, arrin mbrëmja dhe sfida e Skerdit përfundon këtu. Me këpucët me baltë, lodhjen në fytyrë Skerdilajdi e tregoi sakrificën e tij të pabesueshme.

Pasi ka investuar 8 vjet të jetës në shkollim, ka sakrifikuar për tu bërë mësues por nuk e ka menduar kurrë se sfida do të ishte shumë më e madhe në fshatin ku e kanë emëruar dhe tek i cili ka vendosur me shumë dhimbje të mos shkojë më në pritje të një mundësie me sakrifica të pranueshme.

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Erbim Fagu me ide të qarta: Përmbysim Kukësin në Kupë dhe mundim Partizanin në derbi

Erbim Fagu me ide të qarta: Përmbysim Kukësin në Kupë dhe mundim Partizanin në derbi