Një foto Trump-Basha, me disa lobistë në mes

Një foto Trump-Basha, me disa lobistë në mes

Lulzim Basha dhe Donald Trump, foto përpara zgjedhjeve të 2017

Këtë të enjte i takoi Lulzim Bashës të nxjerrë “djersë të ftohta” në studion e Zërit të Amerikës. Është një fenomen që po u ndodh gjithnjë e më shpesh politikanëve shqiptarë që shfaqen në median zyrtare të SHBA. Kur u pyet për paratë e hedhura në lobim në firmat e Uashingtonit, ndërkohë që SHBA e Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera, Basha gjeti një përgjigje nga halli. Nga ato që përdor sa herë që e ka të vështirë të shohë një rrugëdalje pas shpinës së intervistuesit.

I ndodhur në Uashington këto ditë, kryetari i PD po vazhdon të përballet me një numër akuzash direkte, një pjesë e të cilave kanë të bëjnë me lidhjet me kompanitë ruse, kurse të tjera, siç janë ato të shumave të lobimit, ndodhen nën hetim nga FBI. Fenomeni i lobimit amerikan nuk përfshin vetëm partitë politike shqiptare. Madje ne jemi vetëm një pjesëz mikroskopike e nebulozës së firmave, zyrave të ndërmjetësimit dhe sekserëve gjithfarësh, që mbushin rregullisht korridoret e institucioneve kryesore amerikane.

Lulzim Basha po kapet disa herë në këtë rrjetë që e nxjerr financiarisht zbuluar përballë shqiptarëve të varfër, të cilët shohin sesi fluturojnë qindra mijë dollarë drejt kompanive të lobimit, me firmën ose bekimin e kreut të opozitës. Mes Donald Trump dhe Lulzim Bashës duhet shumë mund që të ngresh ndonjë paralele çfarëdo. Është një krahasim që nuk i shkon përmasave të dy vendeve, por edhe profilit e personalitetit të secilit. Donaldi i Madh ka fituar garën për presidencën duke hedhur në tapet të gjithë kundërshtarët republikanë. Kjo s’mund të thuhet për zotin Basha, i cili ka pasur, në kontekstin mikroskopik shqiptar, një trajektore politike krejt të ndryshme nga ajo e presidentit aktual të SHBA.

Megjithatë në më pak se një vit e gjysëm nga zgjedhja, Trump ka shkaktuar valë sizmike në të gjithë politikën dhe ekonominë botërore, duke u bërë ylli i ri i një të djathte nderkombetare ksenofobe, nacionaliste dhe shpërfillëse për disa prej sinoreve të vjetra të politikës tradicionale mes kombeve. Edhe e djathta shqiptare ka vrapuar ta reklamojë fitoren e Trump si të vetën, teksa është shfaqur me portretet e tij në fushatën elektorale, apo edhe duke inskenuar sulme komike ndaj Sorosit, oponentit të madh të Donald Trump në shkallë globale. Shumë ndër opozitarët shpresuan se me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, edhe fundi i karrierës së ambasadorit amerikan në Tiranë “ishte punë ditësh”.

Teksa ngrinte gishtin e madh në foton me Trump para zgjedhjeve të verës së shkuar, Lulzim Basha padyshim që dukej i kënaqur dhe besimplotë. Paçka se ajo foto e paguar mes të dyve, nuk do të ngrinte më pas votat e shpresuara në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, në favor të vetë Bashës.

Megjithatë, nëse duam të ngremë një paralele sado të largët mes dy protagonistëve të fotos së famshme, do të majftonte të shihej fundi që kanë pësuar disa prej lobistëve të tyre. Arrestime, hetime, akuza për lidhje me rusët, financime të dyshimta. Paul Manafort, shefi i fushatës së Donald Trump ndodhet tashmë në burg për shkak të lidhjeve me ish-presidentin ukrainas Janukovich, por edhe i dyshuar për lidhje me rusët. Mund të jetë fare mirë një koincidencë, por edhe lobisti kryesor i opozitës Nick Muzin ndodhet nën hetim nga FBI për disa afera me Katarin dhe lidhje me rusët. Dhe lista nuk ndalet këtu.

Insistimi i Bashës për të derdhur para në industrinë amerikane të lobimit, ka ndërtuar tashmë një strukturë më vete financimesh, parash enigmatike, aludimesh për përplasje me rusë, amerikanë e të tjerë. Është një nëntokë gri interesash, ku spikat këmbëngulja e opozitës së sotme shqiptare, për të triumfuar me variantin e saj të interpretimit të ngjarjeve shqiptare, në sytë e aleatit më të madh të Shqipërisë.

Në këtë turravrap për të tërhequr vëmendjen, ka një nëntekst që është mirë të vihet në dukje. Është një sindromë e vjetër e PD, që i konsideron ambasadorët amerikanë në Tiranë si armiq. Duke blerë lobistët në Uashington, Lulzim Basha, ashtu si Berisha dikur, po tenton hapur të krijojë një linjë direkte influence dhe komunikimi me administratën amerikane, e cila kërkon të rivalizojë dhe të dublojë aktivitetin e përditshëm të ambasadës amerikane në Shqipëri.

Kushdo që lexon shtypin e ditës, e ka të qartë se marrëdhëniet e Bashës me Donald Lu kanë qenë vetëm formalisht normale. Në thelb, ato kanë qenë raporte të tensionuara dhe të tendosura, për shkak të idesë fikse që kanë në PD, se “ambasadori punon për palën tjetër”. Ky ankth antik i PD, duket se motivon edhe gjeneratën e re të krerëve demokratë, për të tërhequr sadopak vëmendjen e uashingtonit mbi këtë cep të Ballkanit. Por që le rregullisht gjurmë në borderotë e lobizmit, duke ja dridhur zërin zotit Basha para gazetarëve të medias amerikane.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë