Një mbrëmje me filma të animuar në Pallatin e Kulturës, regjisori Taçi; Pikturat s’kemi ku t’i ekspozojmë, s’ka salla

Arkivi Qendror i Filmit i dedikon një mbrëmje të veçantë filmave të animuar shqiptarë.  Edhe pse këta filma nuk njihen ose shihen rrallë pas rënies së diktaturës, në fillim të viteve ’90 animacioni shqiptar përjetoi një rilindje të shkurtër. Kjo është një risi që i behët këtij zhaneri të filmit të animuar, i cili prej kohësh ndien nevojën për më shumë vëmendje dhe financim. Regjisori i filmave të animuar Stefan Taçi rrëfen artin e animacionit në ish-kinostudion “Shqipëria e Re”.

Ka qenë një periudhë mjaft e bukur edhe e ngjeshur. Një ambient i shkëlqyer kolegësh, sepse ishim të një moshe. Ishte një kulturë, që në këtë rast është arti i animacionit, që nuk aplikohej tek ne, se nuk njihej. Ata që emëroheshin në kinostudio mësonin nga përvoja e njëri-tjetrit, duke vënë në vijim talentin e tij në punë. Ato dhjetë vite i kujtoj me shumë nostalgji. Unë kam kujtime shumë të bukura për shumë kolegë. Mjaft prej tyre mund që të takohemi sot, një pjesë është e vështirë që t’i gjesh se kanë ikur jashtë. Një pjesë për fat të keq janë ndarë nga jeta. Ai dhjetë vjeçar ka shumë gjëra të mirë për të kujtuar, por për fat të keq shumë gjëra nuk njihen se janë lënë në heshtje. Filmat janë të shumtë, ka qenë një krijimtari shumë e bollshme, para viteve ’90 kemi qenë rreth 15 regjisorë që punonim aty dhe realizonim rreth 14 apo 15 filma në vit. nuk po them se të gjithë ishin të shkëlqyer, por në përgjithësi niveli i filmit të animuar ka qenë në nivele shumë të larta edhe është vlerësuar edhe me çmime jashtë. Por këto vitet e fundit është lënë në heshtje edhe për fatin e mirë Arkivi bën këtë kujtesë edhe për atë që e kanë harruar, por edhe për t’i bërë një rifreskim kujtesës. Jo thjesht nga ana estetike apo artistike, por edhe nga ana aktuale.

Stefan Taçi, piktor dhe regjisor i filmave të animuar

Por si ka ndryshuar ky zhanër në kohë? Taçi rrëfen si bëhej filmi i animuar në sistemin komunist, duke nënvizuar faktin se sot ky zhanër ka nevojë për më shumë vëmendje e buxhet. 

Logjika ka qenë që deri në vitin 1997 sektori buxhetor u mbyll edhe lindi Qendra e Filmit edhe me ligjin e ri të kinemasë të gjithë krijuesit çonin projekte në qendër edhe fitonin ose jo filma. Puna është vazhduar me ritme të mira. Kam dëgjuar edhe fjalë edhe ndjesi jo të mira nga kolegët, se ka një kufizim, një rënie të prodhimit. Një mbështetje jo fort të madhe nga sektorë që mund ta mbështesin atë film. Edhe e dyta është heshtja që ne na vret. Ai prodhim filmi që është bërë me lekët e taksapaguesve është një mall që duhet të transmetohet. Ti bën një film edhe ai qëndron i mbyllur në arkiv kjo të vret.

Stefan Taçi, piktor dhe regjisor i filmave të animuar

Sipas Taçit, fakti që vepra bëhet edhe pastaj lihet në heshtje ka të bëjë me shurdhimin e jetës artistike. 

Edhe ajo pjesë që duhet që ta gjallëronte jetën artistike e shurdhon edhe krijon një vakum, duket sikur ti s’ke bërë asgjë, e ke bërë filmin edhe ngelet në arkiv. Do të ishte shumë mirë që shkollat edhe brezat rinj, të krijonin lëvizje të herëpashershme. Një rol më të madh duhet që të luante QKK. Duhet që të ketë një linjë më të plotë, ndërsa tv private, edhe pse se kanë për detyrë, mendoj se e kanë për detyrë morale që ta mbështesin këtë gjini filmi.

Stefan Taçi, piktor dhe regjisor i filmave të animuar

Filmat novatorë dhe imagjinativë janë bërë në argjilë, vizatim dhe prerje nga artistë të talentuar dhe ëndërrimtarë, si Stefan Taçi, Gazmend Leka, Artur Dauti, Ergys Faja, Shaqir Veseli, Artan Maku etj.

Mbrëmja e sotme duhet që të jetë një homazh për ata që e kanë bërë këtë film.

Stefan Taçi, piktor dhe regjisor i filmave të animuar

Aktualisht Stefan Taçi merret me pikturën, por edhe në këtë zhaner artisti ndien mungesën e sallave për ekspozim. 

Nuk merrem me asgjë tjetër përveçse me artin. Më shumë me pikturën dhe pak dizajnë. Ndërsa ekspozita është një temë tjetër, se është shumë e vështirë që të ekspozosh në Tiranë se nuk ka salla. Në pak vite Tirana ka pak salla, janë mbyll galeritë private që u hapën. GKA funksionon me politikën të vetën, që e ndjekë me një shkëputje nga nevojat e artistëve, ka politikën e saj, s’mundet që t’i vë fat. Por artistët ndihen të varur nga ky kufizim ambienti se nuk kanë ku të ekspozojnë. Bashkia s’ka galerinë e saj, ku artistët që të ekspozojnë falas. Muzeu Historik Kombëtar ka një sallë, por që është me lekë. Ky është një problem, që bën një vepër edhe s’ke ku ta ekspozosh. Njësoj si filmi që rri në arki.

Stefan Taçi, piktor dhe regjisor i filmave të animuar

Duke filluar nga mbrëmja e sotme, ora 20.00, në tarracën e Pallatit të Kulturës, çdo të martë do të prezantohen filma të animuar, që nuk njihen nga publiku i gjerë.  

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale