Një memorial në Tepelenë në vend të varrit të zhdukur të Trifon Xhagjikës

Një memorial në Tepelenë në vend të varrit të zhdukur të Trifon Xhagjikës

Përurimi i memorialit të Trifon Xhagjikës në truallin e shtëpisë së tij në Peshtan të Tepelenës

TEPELENË - Trifon Xhagjika, poeti i pushkatuar nga diktatura në vitin 1956, fatkeqësisht ende pa varr, u rikthye këtë të diel përmes një memoriali në vendlindjen e tij. Përurimi u bë në truallin e shtëpisë së tij në Peshtan të Tepelenës në një ceremoni madhështore, ku morën pjesë miq të afërm të familjes, shkrimtarë, poetë dhe gazetarë. Memoriali i Trifon Xhagjikës është punuar nga skulptori i talentuar Bernard Lekgegaj, ndërsa ceremonia e përurimit u organizua nga klubi i poezisë “Illz” dhe familjarët e tij. 

Publicisti, Rexhep Shahu theksoi rëndësinë që ka ngulitja në memorien historike të njerëzve që kanë dhënë jetën për lirinë e fjalës si pjesë e ndërgjegjes sonë shoqërore. “Dhe mes tyre Trifon Xhagjika shkëlqen në disidencën e tij”, tha Shahu. Gjithashtu ai falënderoi një nga kontribuuesit kryesorë të ngritjes së këtij memoriali, gazetarin e njohur Mero Baze. 

Poeti dhe studiuesi Sadik Bejko theksoi në fjalën e tij se “Trifoni ishte produkti i parë i disidencës letrare shqiptare, pas luftës së Dytë botërore, pasi ishte ai ishte një disident i formuar brenda komunizmit. Ai është po ashtu poeti i pare i pushkatuar për arsye letrare në Shqipëri.”, -tha Bejko. Ndërsa poeti Petrit Ruka u shpreh se “Trifon Xhagjikën e vranë në emër të ndalimit të fjalës së lirë”, duke shtuar më tej se poezitë e tij janë aktuale në çdo kohë që lexohen. 

Më pas Lek Tasi një bashkëkohës dhe mik i afërt i Trifonit mbajti një fjalim emocionues mbi vlerat që ka disidenca e Trifonit për shoqërinë shqiptare. Rëndësia e të folurit hapur,  fuqia e fjalës së lirë dhe përpjekja për të qenë në anën e më të dobëtëve, edhe të pambrojturve, janë një mesazh i madh për cdo brez dhe kohë,- tha ai.

Më pas Guri Baze, një shok fëmijërie i Trifonit solli kujtimet e djalërisë me Trifonin, duke theksuar se “Trifon Xhagjika mbetet një gur i rëndë në truallin e tij dhe ky memorial do të kthehet në pelegrinazh për çdo qytetarë që do lirinë”. Në fund Llukan Stravro recitoi nje poezi kushtuar Trifonit dhe të pranishëm të tjerë thanë fjalën e rastit.

Ndërsa pas ceremonisë, nipi i Trifon Xhagjikës, djali i motrës së madhe Sotirës, së bashku me motrën Irini në një intervistë për “Shqiptarja.com” kanë shprehur brengën e zhdukjes së eshtrave të poetit nga institucionte e diktaturës. 

Zoti Leonard, si ndiheni në këtë ditë që u  ngrit memoriali për Trifon Xhagjikën, në truallin e shtëpisë ku lindi? 
-Ndihemi mirë, patjetër ndihemi edhe të vlerësuar, sepse unë në këtë ceremoni kam ardhur si nip, por edhe si qytetar. Trifonin duhet ta respektojmë si qytetar më tepër, sepse i gjithë nderimi i tij bëhet se ai sakrifikoi jetën për lirinë tonë qytetare. Me çfarë kemi hequr nuk na e mbush më plagën që është hapur, por ky memorial na e lehtëson disi mungesës e varrit, kemi ku i vëmë një lule e një qiri ta kujtojmë, sepse eshtrat e tij që nga 91-shi, ende nuk i kemi gjetur. 

Çfarë përpjekjesh konkrete keni bërë, çfarë idesh keni për të ndjekur së paku një destinacion kërkimi, qoftë dhe të hipotezuar, apo të zbuloni një shenjë që iu jep  shpresë për gjetjen  e eshtrave të Trifon Xhagjikës, pas pushkatimit?
-Në nuk dimë gjë fare për ekzistencën e një varri. Jemi përpjekur, unë, dajot e mi, pra që janë vëllezërit e Trifonit domethënë, është përpjekur edhe motra, por asgjë nuk është gjetur. Thuhet se dosja e gjyqit të Trifonit ndodhet në arkivë, por nuk është gjetur dosja e dosja e pushkatimit. Tani a është e vërtetë kjo, apo diçka fshihet pas kësaj dosjeje, unë  nuk mund ta di. Janë të veçanta këto dosje kur mbyllen, apo qëndrojnë veç e  e veç, as këtë s’kam si ta di. Nëse janë veç duhet të na thonë sesi veprohet që t’i kërkojmë aty ku ishin dosjet e veçuara, sepse këtë gjë e dinë vetëm institucionet që i mbajnë. Askush nuk ka thënë një fjalë. Madje shumë nga të afërmit menduan le të mbetet deri këtu tek memoriali përpjekja e fundit, por përpjekjet  tona për t’ia gjetur eshtrat nuk do të reshtin kurrë. 

Kur u pushkatua Trifon Xhagjika?
-Ne kemi qenë të vegjël, dhe asnjeri s’e di datën  e saktë, por me dokument kemi mësuar se pushkatimi i tij u bë në 23 dhjetor 1963. 

Pse mendoni se është mbajtur kaq shumë sekret varri i Trifonit?
-Ndoshta sepse ka qenë ushtarak. Sepse gjyqi që iu bë ka qenë ushtarak. 

Po shokët e tij bashkëvuajtës më pas në burgjet e diktaturës, nuk kanë treguar ndonjë detaj apo dyshim për vendndodhjen e varrit të Trifon Xhagjikës?
-Shokët e tij që u burgosën më pas nuk janë më. U vranë më pas, dhe kanë vdekur pas dhjetë vjet pas tij, si Fadil Kokomani, Rafaeli e të tjerë. 

Çfarë duhet bërë së paku nga miqtë tuaj për t’ju ardhur në ndihmë për gjetjen e dosjeve të pushkatimit. Sepse duhet të ketë  funksionarë të kohës që janë gjallë, e që mund të dinë?
-Nuk e di, unë sot pas kaq vjetësh demokraci jam për një klimë paqësore, edhe në këto momente, por janë kaq të kamufluar ende ata që punojnë në këto institucione sepse prapë i fshehin të gjitha, nuk ka dosje na thonë.  

Sa vite keni që i kërkoni?
Shumë vite, që pas rënies se demokracisë. Kanë qëkur që i kërkon dajë Anastasi, edhe Aleksandra. Pas diktaturës nisëm t’i kërkonim se më para nuk guxonin as të hapnim gojën. Sa herë kërkojmë, përgjigjja është nuk janë dosjet e pushkatimit. 

Fjalimet në përurim

Petrit Ruka: Trifon Xhagjikën e vranë që të ndalohej fjala e lirë

Poeti Petrit Ruka ka theksua në ceremoinë e përurimit të memonorilit vlerat e vërteta artistike të poezive të Trifonit, fuqinë  e vargjeve të tij, dhe kërkoi ndjesë në emër të gjithë poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë për këtë nderim të vonuar ndaj tij.

Ja fjala e plotë e Petrit Rukës: 
“55 vjet më parë një breshëri plumbash duhet të jetë ndjerë këtu në Peshtan të Tepelenës më shumë se sa kudo tjetër... teksa rrëzonte përdhe një bir të këtij fshati, që ishte poet dhe e vranë në emër të ndalimit të fjalës së lirë. Nuk pati bërë asgjë tjetër, veçse duke vrarë frikën, kishte parë ëndrrën më të gjatë të njerëzimit; lirinë dhe kish vendosur ta bënte këngë. E vranë për këngët e tij. Sepse këngët i tmerrojnë tiranitë. I ndaluan ato këngë dekada të tëra. Thjesht i vonuan, siç na vonuan edhe ne 55 vjet që jemi këtu për të vendosur një shenjë kujtimi e nderimi tek ky memorial.  Sepse jeta nuk është gjë tjetër vese një bashkësi shenjash për të gjetur rrugën deri tek më të mirët e saj siç ishte dhe Trifoni. Na vonuan që t'i themi faleminderit. 

Ne dimë që jemi vonë Trifon por të kërkojmë falje. Edhe unë që kam lindur pak kilometra më tej, po buzë Vjosës, jam vonë i dashur Trifon. Por jam i lumtur që jam sot këtu me gjithë këta shokë e miq nga të gjitha viset e Shqipërisë dhe si djalë vendi, së bashku me Meron, Sadikun, Qazimin, Ilirianin e  shumë të tjerë, më takon t'i falënderoj të gjithë emër më emër. Të falënderoj djemtë e Klubit të Poezisë me Rexhep Shahun, Izet Durakun e Flamur Hoxhën që janë iniciaiatorë të këtij takimi kaq të bukur e plot dhembshuri për ty. Të falënderoj nga zemra Mero Bazen, që i vetëm të risolli sërish në shkëmb e në bronz pikërisht këtu, tek ky shesh që kushedi sa herë e ke shkelur këmbëzbathur pas një "topi të bërë prej leckash, nga leckat e thinjura të Shqipërisë." siç thotë diku I. Kadareja. Tani po ta lë fjalën ty dhe po e mbyll me ca vargje të tuat që përshkruajnë nisjen tënde drejt qiellit, aty ku je sot e kësaj dite i ri dhe i bukur si çdo 31 vjeçar.

U nisa,
drejt qiellit,
posi Engjëjt me fletë.
Sa e vogël toka!
Sa e fortë drita e diellit!
Tokën e mbuloi një vello prej reje 
Gëzimi i ëmbël më shket nëpër deje. 
Ngjitem, ngjitem
Për ku?
E...
U zgjova i mbërthyer në shtratin e ftohtë. 
U ngrita të vazhdoj ëndrrën e jetës në tokë
Dhjetë net,
dhjetë mendime ilegale,
dhjetë dëshira të paqena,
dhjetë gurë në zemrën që ngre krye, 
Sa net të tjera më presin!
Vetëm ato e dinë qëllimin tim.                        
(Trifon Xhagjika, shkurt 1962)

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Flamur Noka, Klevis Balliu e Tedi Blushi prinë militantët në përplasjen me policinë para bashkisë

Flamur Noka, Klevis Balliu e Tedi Blushi prinë militantët në përplasjen me policinë para bashkisë