Objekti misterioz poshtë vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë

Objekti misterioz poshtë vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë

Vendvarrimi i Skënderbeut

"Objekti misterioz që fshihet 2.43 m poshtë dyshemesë së navatës së katedrales mesjetare të Shën Nikollit dhe Përmendores së Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në qytetin e Lezhës".

*Në bazë të të dhënave që ruhen në Raportin e gërmimit të A.M.H.Lezhë i mbajtur nga drejtori i nderuar i asaj kohe, Z.Loro Gjeçi(ndjesë pastë) që shënon dt.23.07.1978, flitet për zhvillimin e një ekspedite arkeologjike nën udhëheqjen e arkeologut të madh shqiptar Prof.Frano Prendi(ndjesë pastë), ku gjatë së cilës u realizua eksplorimi i dyshemesë së katedrales mesjetare të Shën Nikollit.

Përveç disa fragmenteve murale të mbivendosura mbi njëra-tjetrën, pikërisht në qendër të katedrales u zbulua një objekt shumë interesant, për të cilin, në qarqet shkencore është diskutuar dhe vendosur në mënyrë shumë konfidenciale. Ky objekt misterioz është i pozicionuar në drejtim veri-jug sipas gjatësisë dhe lindje-perëndim sipas gjerësisë së tij. Objekti përbëhet nga dy rradhë gurësh antikë me përmasa të konsiderueshme, të vendosur në formë drejtkëndëshi dhe të lidhur me plumb.

Radha e parë, pra pjesa e poshtme, është më e madhe dhe mbi të është vendosur radha e dytë. Sipas matjeve që unë kam kryer sot, përmasat e radhës së parë të gurëve janë; 2.85 m gjatësi, 1.96 m gjerësi dhe 0.29 m lartësi, e ndërsa përmasat e radhës së dytë janë; 2.54 m gjatësi, 1.64 m gjerësi dhe 0.26 m lartësi. Mbi sipërfaqen e radhë së dytë të gurëve duken mjaft qartë edhe shenjat e radhës së tretë, por që në fakt nga kjo strukturë nuk është zbuluar qoftë edhe një fragment i vetëm. Në qendër të radhës së dytë të gurëve gjendet një hapësirë e zbrazët, e cila sipas matjeve ka këto përmasa; 1.56 m gjatësi në drejtim veri-jug, 0.40 m gjerësi në skajin verior dhe 0.45 m gjerësi në skajin jugor. Pikërisht në këtë hapësirë duhet të ketë qenë e pozicionuar pjesa e poshtme e sarkofagut të gurtë ose ndoshta e punuar në mermer sipas tipologjisë së varreve monumentale të mbretërve dhe princërve të fuqishëm që janë ndërtuar aq mjeshtërisht nëpër hapësirat e brendshme të katedraleve mesjetare në vendet e Europës perëndimore gjatë Mesjetës së vonë.

Prandaj, fillimisht arkeologët dhe historianët shqiptarë të kohës menduan se kishin rënë në gjurmët e bazamentit ose piedestalit mbi të cilin mund të kishte qenë vendosur sarkofagu monumental i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Por disa ditë më vonë, gjatë procesit të gërmimeve që u zhvilluan në anën e jashtme përreth katedrales, në të njëjtin nivel thellësie, me të njëjtën teknikë ndërtimi dhe në të njëjtën shtresë kulturore, u kryen zbulime të reja të cilat e bënë të qartë se kishin të bënin me një objekt më të hershëm. Pikërisht për këtë arsye, një muaj më vonë, me dt.21.08.1978, në Akademinë e Shkencave të R.P.S.SH. u zhvillua një takim konsultativ me dyer të mbyllura ku ka marrë pjesë edhe Prof.Aleks Buda.

Në lidhje me specifikat e këtij takimi konsultativ dhe se për çfarë është diskutuar aty, unë nuk kam arritur të siguroj asnjë lloj dokumenti zyrtar, pasi në fakt nuk ka si të jetë e mundur diçka e tillë, ngaqë disa miq të mirë dhe bashkëpunëtorë që kanë qenë dhe janë pjesë e Akademisë së Shkencave, më kanë konfirmuar se nuk ekziston asnjë lloj dokumenti. Ajo që dihet nga një rreth shumë i ngushtë i anëtarëve të Akademisë së Shkencave, është se objekti misterioz i zbuluar në qendër të katedrales mesjetare të Shën Nikollit në Lezhë, ka nxitur debate shumë të ashpra, dhe në fund është përcaktuar dhe datuar apriori si një objekt i periudhës romake(shek.II, p.k.). Mbi arsyet që i shtynë anëtarët e Akademisë së Shkencave të RPSSH për të marrë një vendim të tillë, akoma pa i kryer analizat laboratorike të dheut të gjendur pranë objektit dhe në lidhje me ndërhyrjen e vetë diktatorit E.Hoxha në këtë çështje kaq delikate, unë akoma nuk kam arritur që të krijoj një panoramë të plotë, dhe prandaj nuk dua të merrem me hamendësime sepse çdo qëndrim i tillë hipotetik del jashtë suazave shkencore.

Ajo që dihet me siguri është se takimet konsultative në Akademinë e Shkencave të RPSSH në lidhje me këtë objekt, vazhduan për dy vite me radhë deri sa në takimin e fundit konsultativ që u zhvillua me dt.30.10.1980 u vendos që objekti të mbyllet. Ky vendim, mesa duket arbitrar dhe i diktuar nga lart, ra në kundërshtim të hapur me mendimin përfundimtar të të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim të fundit, të cilët u shprehën se ky objekt i zbuluar që i plotësonte të gjitha kriteret dhe parametrat e duhura të një bazamenti varri monumental, të ishte një objekt studimi për të ardhmen.

Fatmirësisht, si rezultat i këmbënguljes së Prof.Frano Prendit, Z.Loro Gjeçi, Z.Ndue Përleka etj. objekti u konservua i hapur për efekt studimi, në një dhomë të mbuluar që ndodhet në qendër të katedrales mesjetare të Shën Nikollit. Prandaj çështjen e harresës së këtij objekti që e kanë ngritur si shqetësim Prof.F.Prendi, L.Gjeçi dhe N.Përleka 10 vite pasi u mor ky vendim i çuditshëm dhe totalisht non-sens, unë po e rikthej në vëmendje sot pas 38 vitesh(1980-2018) që nga koha kur u vendos mbyllja e objektit misterioz, për të cilin akoma nuk është arritur në një definicion shkencor përfundimtar për datimin e saktë dhe sidomos për funksionin që ka patur. Duke u rikthyer tek zhvillimet e ditës së sotme, dhe pas largimit të ujit me pompë nga dhoma e fshehtë e nëndheshme në të cilën ruhet objekti, unë po përcjell një përmbledhje të shkurtër përshkruese në bazë të matjeve të detajuara që kam realizuar pranë objektit misterioz. Dhoma e fshehtë e nëndheshme ka këto përmasa; 2.43 m lartësi duke nisur nga baza e saj dhe deri në nivelin e dyshemesë aktuale të katedrales, si gjatësia ashtu edhe gjerësia janë identike, 3.87 m X 3.87 m.

Në tavanin e dhomës ndodhen 2 arkitrarë betoni të vendosur në drejtim veri-jug, të cilët shërbejnë për të mbajtur betonin e dyshemesë së katedrales me pllaka të daltuara dhe midis tyre në anën veriore ndodhet puseta me kapak betoni që shërben për të zbritur poshtë. Muret anësore janë të ndërtuar me butobeton e me mure(ndoshta tulla) dhe të suvatuara me llaç gëlqereje. Pranë skajit veri-lindor dhe atij veri-perëndimor të vendosur respektivisht në faqen lindore dhe atë perëndimore, ndodhen dy dritare të vogla shkarkimi që mendoj se duhet të jenë të lidhura me sistemin e drenazhimit të ujërave sepse kur kemi hapur kapakun e pusetës së bashku me specialistët e kompanisë KAEXH. Sh.p.k., niveli i ujit ishte aq i lartë sa kishte mbuluar të gjithë objektin deri pranë dritareve të shkarkimit në lartësinë 1.30-1.50 m.

Pas largimit të sasisë së madhe të ujit nga dhoma e nëndheshme, aty kemi gjetur shumë dërrasa të kalbura të armaturës së betonit dhe sedimente balte prej pak mm deri në 1 cm trashësi që ishin depozituar mbi dy radhët e gurëve të objektit dhe poshtë në sipërfaqen e dyshemesë së dhomës, e cila vazhdon të grumbullojë ujë, por në sasi të vogël. 3 nga kapëset prej plumbi që shërbejnë për të mbajtur gurët e lidhur qëndronin në vendet përkatëse, 4 prej tyre i kishin vendosur me kujdes pranë njëra-tjetrës në skajin jugor mbi rreshtin e dytë të gurëve dhe një kapëse mungon.

Sipas mendimit tim, duke u bazuar tek përmasat e gurëve, ato janë antikë, por nga ana tjetër duket fare qartë se ato janë material i ripërdorur për ndërtimin e kësaj strukture më të vonë. Pjesa e jashtme e gurëve që janë të vendosur në trajtë të shkallëzuar, janë të latuar dhe të punuar me një nivel të lartë artistik, por pjesa e tyre e brendshme është shumë e vrazhdë. Hapësira e zbrazët që ndodhet në qendër të radhës së dytë të gurëve është e mbushur me një sasi të konsiderueshme dheu, material që për mendimin tim është gjëja më e çmuar, i cili nëse i nënshtrohet analizave laboratorike do të na ndihmojë për të përcaktuar vjetërsinë ose moshën e saktë të këtij objekti.

Tani në fund, dua të nënvizoj diçka shumë të rëndësishme. A do të ishte një vendim i drejtë, thellësisht profesional dhe patriotik nëse dhoma e fshehtë e nëndheshme të ekspozohej për publikun nëpërmjet zbatimit të një projekti sa më dinjitoz për ndërtimin e një strukture prej xhami të trashë struktural me përmasa pothuajse të papërfillshme 3.87 m X 3.87 m, pra me sipërfaqe prej vetëm 14.97 m2 ?!.....

Unë personalisht në emrin e Bashkisë-Lezhë do të angazhohem duke nisur që nga dita e sotme për hartimin e një projekti sa më dinjitoz nga arkitektë seriozë dhe më pas do ta dërgojmë në adresë të Ministrisë së Kulturës dhe Kryeministrit, ashtu siç kemi vepruar me dt.21.12.2017 në rastin e dërgimit të projekt-idesë për restaurimin e plotë të Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Përmendores së Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe mureve antike ilire të Lissus-it të poshtëm.

Nëse ky "Oobjekt Misterioz” i panjohur dhe i pastudiuar, është, qofsha i gabuar: "bazamenti i sarkofagut monumental të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut"; a do të ishte më mirë po të qëndronte vazhdimisht i përmbytur me ujë dhe i fshehur nga sytë e publikut, apo i ekspozuar për sytë e të gjithëve?!... Sidoqoftë, edhe nëse ky objekt pas analizave laboratorike me C14 do të rezultojë si një objekt antik iliro-romak; a do të na shërbente si një atraksion më tepër dhe si një vlerë e shtuar e Trashëgimisë tonë Kulturore Kombëtare, në vend të qëndrimit i varrosur këtu në nëntokën e pasur të qytetit të Lezhës?!....

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

CRIME STORY/ Kronika e përgjakur e pushtimit italian më 7 prill të 1939

CRIME STORY/ Kronika e përgjakur e pushtimit italian më 7 prill të 1939