Olen Cezari: Karrierën në muzikë s’e quaj betejë, por një çmenduri

Olen Cezari: Karrierën në muzikë s’e quaj betejë, por një çmenduri

Olen Cesari

Olen Cesari jeton në Romë, i mbështjellë nga dashuria që ka për këtë vend, që e gjithë bota e konsideron si një qytet monumental. Aty e nisi karrierën, aty është shtëpia e tij, ndërsa jeta i shkon me udhëtime dhe koncerte në gjithë botën.

Në karrierën e tij, Olen Cesarin, ndryshe nga sivëllëzërit e tij-interpretuesit e mëdhenj të violinës në botë-, e ka udhëhequr më tepër pasioni shpërthyes sesa ambicia. Ky pasion me të cilin rrezikon të thyej të gjitha rregullat e vendosura në botën e muzikës, e ka bërë atë të jetë një zë origjinal, një virtuoz i një tjetër lloji në violinë. Ishte ndër të parët interpretues të shquar që rrezikoi të hiqte nga dora violinën klasike prej druri dhe të dilte në skenat botërore me një violinë qelqi.

Epo vetëm një gjeni i lindur si Olen Cesari mund të jetë i sigurt se e sfidon edhe ftohtësinë e qelqit. Ndërsa ke dalë në një konkluzion të tillë, ja pikërisht në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Oleni vetë përforcon idenë se bota e tij artistike pështillet rreth “çmendurisë muzikore”. “Çmendurinë” më të madhe në perfomancat me violinë, Olen Cesari thotë se e ka bërë kur ka interpretuar në krahët e statujës së Krishtit Shpëtimtar në Brazil. Violinisti shqiptar me famë botërore, rrëfen plot sinqeritet qëllimin e ardhjes së tij në Tiranë, projektet dhe ndjesitë që ka sa herë kthehet në vendin e tij.

Intervista

Olen, mirë se ke ardhur në vendin tënd. Si ishte dita e parë e mbërritjes suaj në Tiranë?
-Bukur. Bëra provat për koncertin tek Liqeni i Tiranës. Skena ishte shumë e bukur. Impianti fantastik. Dhe duhet të bëjë një falënderim të madh edhe për punëtorët që kanë punuar për këtë teatër në zemër të natyrës. 

Ç’mund të na thuash për pjesën që ke përzgjedhur ta interpretosh në promovimin e kësaj skene të re kulturore?
-Është një pjesë që e kam përgatitur në mënyrë speciale, posaçërisht për koncertin tek Liqeni. Kjo pjesë quhet “You Led Us Here” dhe e ka kompozuar një nga kompozitorët  më të mëdhenj botëror Hans Zimmer. Dhe unë do të performojë një pjesë epike-historike, të cilën Zimmer ua ka dedikuar piratëve të Karaibeve. Tema përqendrohet në faktin që ata i fitonin betejat dhe kjo përputhet me konceptin tim që unë edhe këtë skenë të re e kam konsideruar të tillë si një fitore betejash, sepse më në fund një teatër që ishte një kosh plehrash u vu në përdorim të artistëve, dhe e dyta quhet fitore se i jep jetë Tiranës, i jep jetë kryeqytetit tonë dhe hap një vend të ri për kulturën. Është një skenë e hapur që i mungonte Tiranës.

Ju keni skena dhe hapësira pa fund nëpër Europë dhe në botë, çfarë të bën ta ndjesh kaq shumë mungesën e skenave në Tiranë?
-Për zanatin që bëj, unë jam i detyruar të shkoj në skenat e botës, dhe shikon se në çdo vend që të shkosh, skena është një joshje, një ftesë për një perfomancë më të mirë, sepse në ato skena gjithçka është e mundur për ecurinë e mirë të koncertit. Një skenë të tillë të përshtatshme për koncertet e kishte vetëm Teatri i Operës dhe ajo skenë as tani nuk është më, sepse po restaurohet. Koncertet bëhen tek Pallati i Kongreseve, por ky është një pallat që sidoqoftë është për kongreset dhe nuk ka asnjë element për të bërë një koncert. Çdo gjë duhet ta çosh vetë atje që nga A-ja;  me audiot, me dritat, etj. Teatri i Operës ka dritat, impiantin që i kanë të gjithë brenda. Dhe ishte një vështirësi që për herë të parë e hasa në koncertin tim në Pallatin e Kongreseve, një vit më parë, por kjo nuk është vetëm për mua.

Pra në veprën që interpretoni, ju flisni për një betejë të fituara në mënyrë figurative, por për fitoren e betejave të tua cc’mund të na tregosh?
-Betejat figurative shprehen më së miri përmes emocioneve në këtë vepër muzikore. Por unë e kam të vështirë të flas për ato që quhen beteja në jetë, sepse në jetë betejat s’kanë fund. Më shumë se për betejat unë prirem të flas për ccmenduritë e mia në skenë.

Dhe cilat qenkan këto “çmenduri”?
-Çmenduria më e madhe është e kohëve të fundit, ku kam interpretuar në krahët e statujës së Krishtit Shpëtimtar në Brazil. Kjo ishte një çmenduri dhe meqë na  pëlqeu si ide, çmenduria vazhdon me rrugëtimin në këtë lloj fryme në 7 mrekullitë e botës në Taxh Mahall në Indi, në Murin kinez,  te Piramida e Madhe e Egjiptit, etj.

Si të lindi ideja për këtë projekt?
-Nisi gabimisht në Brazil.

Pse e thua gabimisht?
-Po kur nis disa gjëra nuk e di se kur do të çojnë dhe si do të bëhet realizimi, vetëm gjatë punës e kupton se deri ku të çon kjo ide. Tani projekti lidhet me monumente të kulturës. Do të ketë shumë shpenzime, por kur veprat kanë edhe kuptim edhe një mesazh për të dhënë, është kënaqësi e madhe që këto performanca bëhen në monumente që mbartin me vete shumë histori e legjenda.

Kur ikët nga Shqipëria, komunikimi me vendin tuaj, nuk ka qenë kaq i shpeshtë sa këto vitet e fundit. Pse është shpeshtuar ardhja juaj në Tiranë?
-Nuk mendoj se vij aq shpesh sa kujton, sepse koncerti që dhashë ishte vitin kaluar.

Po krahasuar me vite më parë, i keni shpeshtuar jo vetëm vizitat, por edhe koncertet?!
-Po e vërtetë, atëherë ka qenë kthimi im në Shqipëri në çdo 5 vjet, tani po kthehem në çdo dy vjet. Kam filluar të vij pak më shpesh, sepse është bërë edhe më këndshëm, kanë marrë forma gjërat. Natyrisht që vij me shumë dëshirë.

Si është komunikimi me rrethet kulturore në këto vajtje-ardhje?
-Në fakt është shumë i varfër, sepse unë vij dhe jam në lëvizje, nuk është se merrem me jetën kulturore në Shqipëri

Si të erdhi ftesa nga Bashkia e Tiranës për koncertin promovues?
-Se mbaj mënd sesi më erdhi ose në komunikim në FB, ose në ËatsApp. Më thanë është bërë ky projekt për rikonstruksionin e Teatrit tek Liqeni. Unë e dija si projekt, sepse e kishim diskutuar vite më parë me Inva Mulën dhe pastaj mësova se  Inva nuk do të ishte pjesë e koncertit, sepse i hyri një kontrate për koncerte në Dubai dhe prandaj u tërhoq.

Olen, gjithmonë na ngacmon e shkuara jote interesante: ju 5-vjeçari me violinë në dorë në Durrës, që i mahniste të gjithë me talentin e tij. Kam vënë re që kohët e fundit del në fotografi me nënën pas koncerteve. Cili është roli i saj në karrierën tuaj?
-Nëna ka qenë personazhi që më ka mësuar violinën. Ajo më ndiqte në koncerte deri në një farë moshe, pastaj unë nuk e kisha gjithmonë në koncertet e mia atë. Tani gjërat kanë ndryshuar. Mirënjohja për nënë është thelluar, por ajo i shijon tani koncerte për veten e saj dhe në mënyrën e saj. Dëgjoj që më merr në telefon: “Paske koncert në Paris?. Do vijë se Parisi më pëlqen.” Tani që është në pension ajo thotë, se në Paris vjen se i pëlqen Parisi, por nuk vjen për koncertin në Milano, sepse “Milanon nuk e kam shumë me qejf, nuk vij”, thotë. Por sapo mëson se koncerti im është në Romë apo vendet që ajo preferon vjen. Tani ajo ka filluar të zgjedh.  

Kemi edhe një kuriozitet, pjesën më të madhe të jetës suaj ju keni luajtur me violinë druri. Tani ju interpretoni me një violinë xhami e keni braktisur violinën e drurit?
-Me violinën  e drurit unë kam marrëdhënie përditë, me atë mbaj dorën, stërvitem me të. Me violinën e xhamit jap perfomancat në skenë.

Ku jeton aktualisht?
-Në Romë.

Cilat janë lidhjet tuaja me Romën?
-Roma është quajtur si një qyte muze, jo vetëm nga italianët, po ashtu shihet dhe në botë. Unë Romën e shoh si qytetin tim, si shtetin tim. Qyteti që më ka dhënë shkollën, eksperiencën. Atje kam nisur karrierën. Kam krijuar lidhjet shpirtërore dhe artistike.  

Sa i lidhur je me artistët shqiptarë që jetojnë atje?
-Unë atje vetëm Kledi Kadiun dhe Elsa Lilën njoh.

Klejdi do të martohet së shpejti. Do të jesh në dasmë?
-Po. Ai më ka ftuar

Po nga ju vetë, do të kemi së afërmi ndonjë ftesë për dasmë?
-Ah këto gjëra i përkasin jetës private. Ka një moment dhe një kohë të caktuar kur e ndjen se duhen apo jo të jenë publike.....

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Morinë 36 vjeçari turk

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Morinë 36 vjeçari turk