Operatori Bujar Kore: Reagimi i Fatos Nanos, Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë në burg

Bujar Kore ka punuar si operator për tre dekada në Televizionin Publik Shqiptar. Gjatë punës së tij ai ka udhëtuar në çdo cep të vendit, por edhe jashtë saj. Ka takuar personalitete të rëndësishme të artit dhe të politikës.

Ndonëse, prej disa vitesh është në pension, operatori rrëfen për herë të parë disa nga momentet më të rëndësishme të punës së tij. Për kamerën e “Reporttv” tregon momentet kur erdhi Nënë Tereza (Shën Tereza) për herë të parë në Shqipëri në vitin 1989 dhe rrëzimin e simbolit të diktaturës, bustin e Enver Hoxhës, në 20 shkurt të vitit 1991.

Zoti Kore, si e kujtoni takimin tuaj të parë me kamerën?

Periudha që kam punuar në RTSH ka qenë periudha më e bukur e jetës sime, sepse kam kaluar trishtime dhe gëzime. Jo çdo gjë mund ta xhirosh edhe jo çdokënd mund të kënaqësh me punën tënde. Ka personazhe që janë të vështirë për t’i xhiruar, por edhe personazhe që të bëjnë të lumtur në punën tënde.

Unë i kam hasur këto, prandaj them se pjesa më e madhe ka qenë një pjesë e gëzueshme. Mendoj se kam qenë edhe i privilegjuar, sepse për fat pas vitit 1990 kam shoqëruar të gjithë presidentët edhe kryeministrat e Shqipërisë, që kanë pritur edhe përcjellë delegacione në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Kam pasur fatin që të shkoj në shumë shtete të botës nga Kina deri në Amerikë. Pa diskutim që në Europë mund të kem shkuar me dhjetëra herë, në Angli, në Francë, në Bruksel në Holandë etj. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme që kam bërë unë.

Në vitin 1972 për herë të parë shkova në tv. Në staf ishin të gjithë të rinj, nga mosha 22 deri 35 vjeç. Kam kaluar shumë mirë në punë. Në fillim jam marrë me emisionet e fëmijëve, duke filluar që nga kopshtet, shkollat, sporti etj.

Ju keni qenë edhe operatori që keni shoqëruar Nënë Terezën (Shën Terezën) në vizitat e saj, që ka bërë pas ardhjes në Shqipëri. Por, si ju kujtohet ajo periudhë, si ishte ajo?

Kur më thanë për të xhiruar Nënë Terezën nuk pata ndonjë kureshtje të madhe, se thashë një njeri i zakonshëm që vjen në Shqipëri. Shkova atje. Erdhi avioni edhe dolën dy vajza të vogla që i dhanë një buqetë me lule, ishte një zëvendësministër dhe një i protokollit.

Thuaj, sikur Nënë Tereza ishte njeriu më i zakonshëm që kishte ardhur në Shqipëri në atë kohë. Ndërkohë, që kur vinin presidentët e kampit komunist apo kryeministra i prisnin me banda dhe me lule. Ishte një çudi. Them tani, që shteti ynë me të vërtetë nuk ia ka njohur vlerat Nënë Terezës. Ashtu siç s’ja kam njohur as unë, ç’është e vërteta. Por, kur u bë në Vatikan Shungullimi i Nënë Terezës ishin mbi 1 mln njerëz dhe kishte presidentë nga e gjithë bota. Atje mësova se me Nënë Terezën Shqipëria është njohur në botë.

Por fatkeqësia është që u njoh me vonesë. Në fillim e pritën shumë ftohtë, siç erdhi, iku. Ndërkohë, që ajo kishte ardhur për të hapur disa vende për të motrat e saj në mënyrë që njerëzit që ishin sëmurë t’i ndihmonte. Por këtu ishte ideja, që Nënë Terezën s’duhet që ta pranojmë, s’duhet që të afrohet.

Kush ishin ata?

Këta ishin që nga Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha dhe të gjithë anëtarët e Byrosë. Ata mendonin se ajo kishte ardhur për fenë, por në fakt nuk ishte kështu, sepse ishte fetare e kjo nuk mohohet, por ajo kishte ardhur për të hapur qendra për motrat e saj.

Në fillim fare nuk iu aprovua, pastaj erdhi për herë të dytë dhe pati takime edhe me Ramiz Alinë. Sikur u zbut pak situata me Nexhmije Hoxhën, me Sali Berishën, me të gjithë. Ja krijuan këtë mundësi! Pastaj, Nënë Tereza erdhi edhe bashkë me motrat e saj dhe krijoji qendrat. Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, dukej sikur ishte një grua e shkurtër, por nuk bënte dallim midis të tjerave. Ulej edhe hante me motrat, sikur t’i kishte përnjëmend motra, jo sikur ishte Nënë Tereza, që kishte vlera të jashtëzakonshme.

Nënë Tereza kishte dëshirë që në Shqipëri të hapte këto qendra, por erdhi edhe, sepse i kishin vdekur motrat edhe nuk i dinte ku i kishte varret, s’kishte asnjë lloj komunikimi. Kur erdhi këtu për herë të dytë mësoi se ku ishte varri i motrës edhe i Nënës. Shtëpia ku banonin motrat e saj, por edhe shoqet që kishte pasur këtu shkoi edhe i takoi.

Shkoi edhe nëpër spitale, përkëdhelte fëmijët. Ishte e jashtëzakonshme! Një moment që më ka mbetur në mendje, është kur ishim në Pukë. Atje e pritën pukjanët, mbi 5000 veta në një shesh. Foli Nënë Tereza edhe ata e pritën shumë mirë se janë katolikë. I thanë Nënë Terezës, që kemi një të sëmurë edhe nuk ngrihet. Shkuan e morën në shtëpi edhe e sollën. Në momentin që e sollën afër Nënë Terezës ai u ngrit në këmbë, kjo ishte  punë sekondash. Nuk e di se çfarë u bë me të më. Kam shkuar edhe më vonë në Pukë, por nuk kam marrë asnjë informacion për të... Nënë Tereza ishte njeriu më i shenjtë i Shqipërisë, ndoshta edhe i botës...

Megjithatë, ju keni pasur parasysh që të prekni nga afër edhe ngjarje të tjera historike. Kam parasysh këtu Lëvizjen Studentore te Dhjetorit, takimin e Ramiz Alisë me studentët. Si e kujtoni ju gjendjen në atë periudhë?

Në Shqipëri demokracia erdhi më vonë se në çdo vend tjetër të Europës. Gjendja ekonomike ishte e vajtueshme, sepse Shqipëria u shkëput nga të gjithë vendet e lindjes. Shqipëria nuk mund që të jetonte e vetëm para Europës, se i mungonin ushqimet, ilaçet edhe shumë gjëra.

Jeta u bë e papërballueshme! Prandaj meritën që u futën në grevë urie e kanë studentët. Fillimisht thanë se do futeshin në grevë për kushte më të mira, por nuk ishte ky sebepi. Ata u futën në grevë për të krijuar një parti të re, siç ishte Partia Demokratike. Në mënyrë që Shqipëria të kishte demokraci, sepse më parë s’fliste njeri para Enverit ose para Ramizit. Unë pata fatin që për tre ditë rresht të xhiroja atje me shumë vështirësi, sepse na quanin televizioni komunist. Por, na lanë. Filmoja shumë, por shumë pak jepnin në lajme, se nuk donin që kjo punë të fryhej. Ish-ministrat edhe ish-zëvendësministrat shkonin herë pas here për ta ndalur grevën.

Kë kujtoni si më aktivin?

Më aktivi ishte Azem Hajdari, Blendi Gonxhe, Blendi Fevziu, Ilir Meta, Pandeli Makjo, Arben Imami etj. Kishte shumë të rinj! Kur Adil Çarçani u çoi një komunikatë se greva ishte e paligjshme, atje shkuan nga e gjithë Shqipëria njerëz për t’i mbështetur. Konviktet u mbuluan me njerëz nga Durrësi, Kavaja etj.

Ndërkohë i priti Ramiz Alia. Unë bashkë me operatorin tjetër xhironim gjatë gjithë kohës, studentët edhe Ramizin. I morëm xhirimet edhe i çuam në arkiv, por TVSH nuk kishte kurajë që t’i përdorte. Pasi mbaroi greva, studentët fituan të drejtën për të bërë Partinë Demokratike, por edhe atje kam xhiruar unë. Në të gjitha gjërat kryesore, thuajse kam xhiruar unë.

Ju keni qenë prezentë edhe në ngjarje të tjera me rëndësi, kam këtu parasysh momentet që kanë rënë në burg Nexhmije Hoxha, Fatos Nano. I keni parë nga afër edhe në burg, por çfarë ndodhte me ta kur ju shkuat atje?

Mua më kanë caktuar që të xhiroj edhe në gjyqin e Nexhmije Hoxhës edhe të Fatos Nanos. Pavarësisht, se si rrodhi puna dhe dënimet që morën. Unë i xhirova të dy në gjyq, fati dy orë qoftë për njërin edhe qoftë për tjetrin. Por xhirimet i shitën.

Por shkova edhe në burgun e Fatos Nanos në Tepelenë. Por, ai na vuri kusht, që ta jepnim intervistën pa prerë asgjë. Ne nuk pranuam. Ndërsa, tek burgu i Nexhmijes, ajo sa na pa ne, u mbulua me një bluzë edhe iku me vrap.

Ndërsa, Ramiz Alinë e kam xhiruar në burgun e Tiranës. Shkoi që të vishej, foli, por në tv nuk është se u dha ndonjë gjë e madhe. Por, kujtoj se na tha: Xhironi mirë se unë jam ai që ua kam blerë këto kamera.

Ata njerëz, që dikur nuk u thoje dot një fjalë, atje rrinin si pulat. Nuk ishin të lirshëm në bisedat në tv. Kishte momente që e kishin shkruar letrën edhe donin që ta thonin përmendësh.

Cili ka qenë politikani apo presidenti që u ka lënë më shumë mbresa, nga ana njerëzore më shumë sesa si funksionar shteti?

E vërteta është që kam pasur marrëdhënie të mira. Mosiu, Bamir Topi, Mejdani kanë qenë njerëz që merreshe vesh, ndërsa më i vështiri ka qenë Sali Berisha, me të cilin duhet që të mbaje aparatin në krah nga ora 8.00 deri në 12.00 të natës. Pasi ai gjithë kohës takonte njerëz të ndryshëm dhe kush i njihte se kë takonte. Më komod kam qenë me Ilir Metën dhe Pandeli Majkon.

Dhe nëse vijmë tek periudha e fundit, ju në vitin 2012 jeni shkëputur nga puna në shtet. Por çfarë jeni duke bërë aktualisht?

Unë nuk e kam ndërprerë punën akoma. Unë vazhdoj! Gjatë kësaj kohe kam bërë disa dokumentarë. Kam bërë për Dritëro Agollin, për Vaçe Zelën, Don Antonion etj. Për operatorët është një punë e lodhshme, por edhe e këndshme. Unë kam djalin tani operator edhe herë pas here edhe e qortoj, sepse të bësh një punë të mirë duhet që të hipësh edhe në kodër edhe të vraposh. Të jesh i fundit në radhë e të dalësh i pari. Duhet që gjërat të nisen nga ana pozitive.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Senati amerikan miraton ndihmën 60 mld dollarë për Ukrainën! Biden: Armët në Kiev këtë javë! Zelensky: Ndihmë kyçe për rivendosjen e paqes

Senati amerikan miraton ndihmën 60 mld dollarë për Ukrainën! Biden: Armët në Kiev këtë javë! Zelensky: Ndihmë kyçe për rivendosjen e paqes