‘Pa gjurmë’/ U nis për të punuar, zhduket në Greqi 40-vjeçari Afrim Vesha, humbi pas sherrit me kunatin

Historia e Afrim Veshës, i zhdukur më 2 nëntor 2017, trajtohet mbrëmjen e sotme në emisionin Pa Gjurmë Report Tv. 

Emigrimi për një jetë më të mirë dhe për të siguruar të mirat familjare për familjen ishte arsyeja që e çoi drejt Greqisë, Afrimin Veshën. I riu nga Berati, babai i një djali 2-vjeçar, mori rrugën nga mali, një rrugë e gjatë dhe e vështirë, ku shoqërues për grupin e klandestinëve ishte edhe Pëllumb Balashi, xhaxhai i nuses së Afrimit.

Në Janinë, 6 personat që ishin pjesë e grupit, u ndanë në dy grupe. Në grupin e parë, ku bënte pjesë edhe Balashi, u kapën nga policia, ndërsa grupi i dytë ku ishte Afrimi u largua për të shpëtuar nga policia greke.

 

Pasi u ndanë, i pari person që ai takoi te një terminal në Greqi ishte burri i hallës së nuses, Dhimitri, me të cilin ai udhëtoi me autobuz drejt një fshati në Janinë.

Ai qëndroi për një natë në shtëpinë e tij dhe të nesërmen shkojnë te pronari për të punuar në një tokë të mbjellë me ullinj. Aty ai u takua edhe me kunatin e tij, Edisonin. Afrimi ka punuar atje për 3 ditë, me djalin e hallës dhe djalin e xhaxhait të gruas. Pas 3 ditësh, mësohet se ai ka lenë punën duke i kërkuar pronarit para për të blerë qetësues se kishte dhimbje koke.

Familjarët e tij thonë se Afrimi nuk ka vuajtur kurrë nga dhimbjet e kokës, ndaj ky detaj i ka vënë ata në dyshime. Afrimi s’ka mundur të gjejë dot ilaçe pa recetë, dhe më pas ka shkuar në shtëpinë ku jetonte. Aty ai është konfliktuar në qendër të fshatit me kunatin e tij, Edisonin, ku për arsye që ende nuk dihen dhe në rrethana të paqarta, mes tyre ka nisur një sherr fizik.

Agimi, vëllai i Afrimit, ka thënë se ky i fundit i ka kërkuar ndihmë për t’a marrë nga një benzinato larg shtëpisë së tij. Ai thotë se Afrimi në fillim ka marrë nënën dhe nusen në telefon. Nga aty ai nis kërkimet për Afrim Veshën. Ata i kanë thënë Agimit se Afrimi ishte mirë, dhe i kanë kërkuar që ai të qëndrojë në Greqi dhe të punojë.

Mamaja e tij i ka thënë Agimit, se Afrimi i kishte treguar se jetonte në një shtëpi të braktisur dhe se kishte halucinacione.

Afrimi kërkoi ndihmë nga pika e karburantit që t’a merrnin, por askush nuk shkoi për ndihmë. Mësohet se Afrimi shkoi në rajonin më të afërt të policisë, por askush nuk e ka ndihmuar sërish. Mësohet se ai mori një taksi, për të shkuar në Kakavije, por taksisti nuk ka pranuar t’a marrë pasi Afrimi nuk kishte para. Në datën 2 nëntor, 2017, kur u bë dhe telefonata e fundit nga Afrimi, 2 vëllezërit e tij janë nisur me urgjencë për të shkuar në fshatin ku ai kishte banuar. Ata kërkuan Edisonin, i cili gjithashtu nuk ndodhej.

Që nga ky moment, Agimi, vëllai i Afrimit ka mbledhur informacione kontradiktore lidhur me zhdukjen e tij. Ai u largua nga banesa e tij në Janinë pas sherrin me kunatin, dhe më pas ky konflikt u kthye në mollë sherri mes njerëzve të nuses dhe familjarëve të Afrimit.

Në studion e Pa gjurmë, babai ka thënë se djali ka jetuar bashkë me shqiptarë të tjerë kur ka shkuar në Greqi. Ai ka thënë se marrëdhëniet me gruan i kishte shumë të mira.

‘Në fshatin ku ishte djali ishte edhe kunati i tij, i cili i priti, ndërsa në shtëpi e priti halla e gruas. Ditën e dytë, ka qendruar me kunatin e tij, tek puna, në një shtëpi të braktisur. Bashkë me ta ishin edhe disa shqiptarë të tjerë. Marrëdhëniet me gruan i ka patur shumë të mira. Edisoni, vëllai i saj mund të dijë se cfarë ka ndodhur me djalin tim. Ai thotë se Afrimi është larguar në orën 3 të natës nga shtëpia ku jetonte. ’-ka thënë Sulejman Vesha, babai i Afrimit.

19:30/ Informacione të reja në ‘Pa gjurmë’, dyshohet se Afrim Vesha jeton në Agrinjo

Detaje të reja janë zbuluar mbrëmjen e sotme në ‘Pa gjurmë’, për të zhdukurin Afrim Vesha. Nga detajet e para që kanë mbërritur në redaksinë e emisionit, dyshohet se jeton afër Agrinjos, në një fshat të kësaj zone. Babai i tij është shprehur në studio se Vesha nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor. Babai, Sulejman Vesha ka thënë se gruaja e djalit vazhdon të qendrojë në shtëpinë e tij.

19:55/ Flet bashkëshortja e Afrim Veshës: Kishte probleme mendore, bënte gjëra jonormale, çfarë më tha halla…

Gruaja e Afrim Veshës, Xhuliana Vesha ka folur në një lidhje live për emisionin ‘Pa gjurmë’. Xhuliana ka thënë se i shoqi ka bërë veprime jo normale, natën kur ka fjetur në shtëpinë e hallës së saj.

Xhuliana: Mesa kam kuptuar unë, ai vuante nga probleme mendore. Ai bënte gjëra jonormale. Halla më tha, se Afrimi kishte frikë dhe përplaste duart dhe fliste me vete. Më herët, nuk ka patur asnjë problem. Tek halla ndenji vetëm një ditë, ditën tjetër shkoi në punë. Na mori pasdite në telefon, më tha që donte të ëmën. Vëllai më ka thënë që në një moment kur donte të dilte jashtë, Afrimi i ka thënë: Ke paguar policinë të më arrestojë.

Edisoni i tha: Ore jam Soni, çfarë thua?

Nuk është ushtruar dhunë, thjesht e ka qëlluar me shuplakë. Vëllai im s’ka të bëjë fare me këtë histori. Uroj të jetë mirë dhe të kthehet, të mendojë për djalin, nëse na dëgjon.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

‘Faqe e zezë’, Basha: Të protestosh para Bashkisë me Ilir  Metën, solli Ramën në pushtet e tani del aty si ‘supermen’

‘Faqe e zezë’, Basha: Të protestosh para Bashkisë me Ilir  Metën, solli Ramën në pushtet e tani del aty si ‘supermen’