‘Pa shkatërruar klerin nuk e shtijmë dot në dorë Shkodrën', publikohet dokumenti i sigurimit

‘Pa shkatërruar klerin nuk e shtijmë dot në dorë Shkodrën', publikohet dokumenti i sigurimit

Foto ilustruese

Kleri katolik në Shkodër ishte baza e shenjestrës së komunsitëve që në orët e para të regjimit të Enver Hoxhës. Instruksionet për eliminimin e tyre kishin ardhur direkt nga Moska dhe Sigurimi i Shtetit merrte vazhdimisht direktiva nga krerët e partisë për forcën e goditjes ndaj klerikëve katolikë. Pa eliminuar veprimtarinë e klerikëve katolikë në Shkodër nuk do të kemi mundësi veprimi në qytet, thuhet në dokumentin e mëposhtëm.

Dokumenti i 17 nëntorit 1946, ku jepet urdhri i Partisë për shkatërrimin e klerit katolik, veçanërisht atë françeskan në Shkodër. Direktivat e Partisë që i papaprinë inskenimit të Sigurimit  për "armët në Kuvendin Françeskan"

Dokumenti hartohet pas një mbledhje partie në këtë qytet, ku ishte planifikuar me kujdes sulmi, që do i bëhej kuvendit françeskan në Shkodër dhe gjithë klerikëve françeskanë. Në fillim të dokumentit thuhet se pas arrestimeve të para kishin marrë informata se në Kuvendin e Françeskanëve ishin grumbulluar “dokumenta të Marka Gjonit, të Papalilos, të Patër Antonit dhe të Patër Shllakut, përveç dokumentave të shumta historike dhe sendeve të tjera antike”. Ndërsa citon hetimet nuk permend asgjë për “armët”, por më vonë thuhet se popullit do t’ia zbulojnë me filmime e fotografi depot e armëve që ishin fshehur në këtë kuvend. Shumë dëshmi e fakte historike e kanë zbuluar tashmë të vërtetën se e i gjithë “shou” i armëve në kishë kishte qenë i inskenuar nga Sigurimi i Shtetit. Por dokumenti që “Kujto.al” e sjell për lexuesit vërteton urdhrin dhe aksionin partiak për këtë goditje që i duhej bërë klerit katolik, si rruga e vetme për të shtënë  në dorë  Shkodrën. Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin.

KOMITETI QARKOR I P.K.SH.

VDEKJE FASHIZMIT

PËR SHKODRËN

LIRI POPULLIT

Nr. 40

Shkodër më 17.11.1946

Komitetit Qendror të P.K.Sh.

T i r a n ë

Në një mbledhje të shpejtë të Komitetit Qarkor shtruan çështjen e goditjes kundra elementeve të Klerit Katolik. Në bazë të udhëzimeve të marra nga lartë seksioni i sigurimit filloi goditjen në fillim me arestime të vogla e të rralla, në mënyrë që nuk ranë fortë në sy. Gjatë këtyre arestimeve Seksioni mundi të shtyjë në dorë informata të sigurta mbi grumbullim dokumentash në Kuvendin Franceskan. Hetimet e zhvilluara nxuarën në shesh në këtë kuvend të fshehura nëpër dhoma (nën dhe), nëpër depo (brënda në mur), në tavan të fshehura mirë dhe në mes të Kishës (nën dhe) dokumenta të Marka Gjonit, të Papalilos, të Patër Antonit dhe të Patër Shllakut, përveç dokumentave të shumta historike dhe sendeve të tjera antike.

Këto zbulime të popullarizuara me anë të Radios dhe me anë të Organizatës, lehtësuan arestimin e Provincialit, të Ipeshkvit Frano Gjini e të disa klerikëve të tjerë dhe çelin rrugë për një goditje më të rreptë kundra këtyre njerëzve të shitur dhe shokëve të tyre.

Popullarizimi i këtyre zbulimeve ka bërë që masa e ulët katolike (musullmanët po se po) të aprovojë veprimin t’onë kundra këtyre njerzëve që kërkuan t’a bëjnë Kuvendin depo armësh kundra Pushtetit. Elementet kundërshtarë lëshojnë parullën e mëshirës “gjinah, nuk duhet t’i vrasin se s’ka kush e mbanë fenë” ose parullën e paraqitjes së pushtetit si kundra fesë: “po na zhdukin fenë e po na mbyllin dhe kishën”. Këto parulla nuk janë dëgjuar fortë, por fillohen të hidhen. Organizata është udhëzuar t’i demaskojë këto parulla dhe të bëjë çmos që të skjarojë popullin mbi veprimin e poshtër të këtyre njerzëve që e përdorin Kuvendin dhe Kishën akoma për depo armësh kundra Pushtetit Popullor.

Ne mendojmë se situata është e favorëshme tashti – nga vetë faktet që duallën e që po dalin vazhdimisht – për shtrirjen e goditjeve edhe në klerikë të tjerë të implikuar, duke lënë jashtë për tëvazhduar punën e fesë ata më pak të implikuar (mbassi nuk besojmë të ketë ndonjë në qytet pa implikuar). Njëkohësisht propozojmë mbylljen e Kuvendit Franceskan, shpërndarjen e xhakojve të këtij Kuvendi dhe konfiskimin e pasurisë së këtij Kuvendi (me përjashtim të Kishave – si u-bë për Jezuitët) si çerdhe armatimi kundra Pushtetit dhe si çerdhe axhitacioni, hedhje parullash e lufte kundra nesh. Në rast se aprovohet një propozim e tillë, sot mund të themi se është situata më e favorëshme në Shkodër.

Nga ana e jonë do t’ia shtrojmë organizatës edhe një herë zbulimin e bërë në Kuvend, veprimtarin e fëlliqur të këtij Kuvendi dhe të njerzëve si Mati Prenushi me shokë, do të bëjnë që nga Organizata e Rinija Komuniste të shtrohet në popull e të ngjallet urrejtja e masës kundra këtyre njerzëve dhe veprimtarisë së këtij kuvendi dhe do t’a nxisim organizatën për të qenë më vigjillante kundrejt veprimtaris së mëtejëshme të Klerit. Radioja dhe shtypi do të mobilizohen me anë komentesh të shkurtra ose parullash për demaskimin e kësaj veprimtarije të fëlliqur dhe për përgatitjen e opinionit për dënim shëmbëllor e marrje masash kundra Kuvendit.

Njikohësisht me inisjativën e Mbrojtjes do të dërgojmë në Kuvend për t’i parë në vënd, vëndet e depove të armëve, të bombave etj, një komision të përbërë nga njerëz të të gjitha organizatave që do t’a konstatojnë vetë këtë e do t’a faktojnë pastaj në gjyq. Përveç kësaj do të marrim dhe fotografi të ndryshme në vënd, ashtu si janë gjetur depot.

Axhitacioni i ynë do të lidhet me të kaluarën e klerikëve, me Gjyqin e Bashkimit Shqiptar, me përpjekjet e priftërinjve për të sabotuar reformat t’ona, me Postribën, me lidhjet me elementin tjetër reaksionar, me lidhjet me reaksionin e jashtëm etj.

Komitetin Qarkor të Partisë

(Spiro Pano)

(firma, vula)/Kujto.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qoqja: 24/09/2018 15:44

    Po po o valentin katoliket kane qene me shkolle atehere tamam si sot na kenaqen me shkollen e tyre .

    Përgjigju
    • valentin: 24/09/2018 20:10

      po pse kush mendon se e hapi shkollen e pare shqipe dhe kush e ruajti gjuhen shqipe me arsimim, te gjithe kleret franceskan kan hapur shkolla shqipe shum perpara shkolles zyrtare shqipe qe thuhet tani, ne 100 shkolla qe mund te ket pasur shqiperia, 90 kan qene te hapura nga franceskanet, dhe te gjitha ne gjuhet shqiper dhe jo arabe. si mund ta kuprosh qe te gjithe personalitetet shqiptare te rilindjes dhe ma heret jane arsimuar ne shkollat franceskane,

  • valentin: 24/09/2018 14:42

    komunistat e qelbun gjithmon kan qene kunder katolikeve, sepse katoliket ishin intelektualet dhe me te shkolluarit dhe te zhvilluar, kishin frike per pushtetin e tyre nga te shkolluarit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot

Forcohet leku, monedhat e huaja sërish në rënie! Ja sa këmbehen sot