Pangallos në Tiranë, ‘Doktor Honoris Causa’ dhe një rrëfim ‘Me Papandreun në Europë’

Pangallos në Tiranë, ‘Doktor Honoris Causa’ dhe një rrëfim ‘Me Papandreun në Europë’

Presidenti i nderit i Akademik, Anastas Angjeli dhe Ish-zëvendëskryeministër i qeverisë së Greqisë, Theodhoros Pangallos gjatë ceremonisë së organizuar për dhënien e titullit “Doktor Honoris Causa"

Ish-zëvendëskryeministër i qeverisë së Greqisë dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, ish-ministër i Kulturës Theodhoros Pangallos është nderuar sot nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë me titullin “Doktor Honoris Causa.

Ky titull i është dhënë me motivacionin:“ Për kontribut të shquar në zhvillimet e proceseve demokratike dhe perspektivën europiane të Greqisë, mbështetjes për Shqipërinë në avancimin e proceseve demokratike dhe perspektivës së saj europiane dhe mbarëvajtjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë ”.

Presidenti i nderit Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, gjatë ceremonisë së organizuar për dhënien e këtij titulli, u shpreh se:

Theodhoros Pangalos është pa dyshim mishërimi i qytetarit dhe intelektualit të angazhuar që jep betejat e tij të përditshme për barazi dhe drejtësi sociale. Për një shoqëri më të drejtë, më të hapur, më multikulturore më progresiste dhe solidare. Njëkohësisht është dhe mishërimi i qenies politike, që nuk ndryshon bindjet dhe kozmoteorinë e tij në momentin që gjendet në pozicione drejtuese.Shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin e shquar të Theodoros Pangallos dhe me bindje të plotë them se jo vetëm vendi ynë ka nevojë për miq dhe mbështetës të tillë në Europë, por edhe vetë Europa ka nevojë për intelektualë të tillë që punojnë dhe veprojë pa rreshtur për ta bërë rajonin tonë dhe njëkohësisht Europën një hapësirë të përbashëkët të kulturës, prosperitetit, bashkëpunimit dhe solidaritetit.

Presidenti i nderit Akademik,  Anastas Angjeli

Ish Zv. Kryeministri i Greqisë z. Theodhoros Pangallos, pas akordimit të këtij titulli dha një mesazh për të gjithë të pranishmit në ceremoni.

Mos lejoni askënd t’ju mohojë të drejtën e fjalës, sado që të përpiqet t’ju thotë se këtë e bën në emër të një ideje apo një ideje tjetër. Dhe mos harroni se të drejtat e njeriut nuk janë bërë për shumicat, janë fuqi dhe duhet të veprojnë për pakicat.

Ish Zv. Kryeministri i Greqisë, Theodhoros Pangallos

Një rrëfim me “Me Papandreun në Europë”

Këtu kemi një fragment nga libri i Theodhoros Pangallos “Me Papandreun në Europë” që do të promovohet sot në orën 18.00 në Muzeun historik kombëtar.


Libri "Me Papandreun në Europë"

Njohja e vërtetë me Papandreun filloi pasi më bëri zëvendësministër të qeverisë në vitin 1982 dhe mori përmasa kryesisht falë udhëtimeve që bënim së bashku, në të cilat, ishte e shkruar që të kishim edhe shkëmbime pikëpamjesh dhe diskutime, që shumë pak prej bashkëpunëtorëve të tij kishin rastin të  bënin me të. Dhe kryesorja, besoj se pak veta kishin rastin ta dëgjonin të fliste për gjithçka që kishte lidhje me shkencën dhe diturinë, përveç rrethit të miqve të tij të ngushtë, të cilët, sigurisht, dinë gjëra në lidhje me jetën e tij private, shumë më tepër sesa mund të dinte kushdo tjetër, por, në fund të fundit, mendoj se këto gjëra nuk duhet të na interesojnë. Hapësira së cilës do të mundohemi t’i japim jetë nëpërmjet faqeve të këtij libri, është ajo që ka të bëjë me Papandreun si lider i madh i një vendi, i cili luftonte të inkuadrohej në procesin e integrimit europian. Disa prej gjërave që kemi diskutuar apo kemi bërë së bashku, dhe që i takojnë asaj hapësire të ndërmjetme midis politikës së ushtruar publikisht dhe jetës krejtësisht private, mendoj se janë tregues të qartë mbi mënyrën me të cilën mendonte dhe merrte vendime ai burrë i madh shteti. Paralelisht, gjithmonë në lidhje me veprimtarinë e Papandreut dhe pjesëmarrjen e Greqisë në takimet ku shkonim bashkë, do të ndeshim edhe politikanë të tjerë të mëdhenj europianë dhe disa të tjerë më të vegjël. Periudha që na intereson është e një rëndësie përcaktuese për integrimin e Greqisë në familjen europiane dhe për ekzistencën e ngrehinës europiane. Nuk jam i predispozuar të paraqes një vepër historike. Shumicën e atyre që do të shkruaj këtu, shumë nga miqtë e mi i kanë dëgjuar të treguara prej meje. Nëse sot ndiej nevojën që t’i hedh në letër, kjo ndodh për faktin se sa herë më dëgjonin, ata më inkurajonin ta bëja, që të mos humbisnin, jo aq për faktin se eksperienca ime personale kishte rëndësi të madhe, por sepse i referohen atij politikani të madh dhe asaj ecurie të rëndësishme të Greqisë drejt Europës.

Kush është Theodhoros Pangallos

Ish-zëvendëskryeministër i qeverisë së Greqisë, ish-ministër i Punëve të Jashtme, ish-ministër i Transporteve dhe Komunikacionit, ish-ministër i Kulturës, ish-deputet i Atikës. U lind në Elefsina, më 17 gusht 1938. Studioi për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe për financë (Doktor i Shkencave Ekonomike) në Universitetin Pantheon-Sorbonë të Parisit. Që prej vitit 1969 deri në 1978 punoi në Sorbonë si asistent profesor dhe hulumtues për çështje të zhvillimit ekonomik, të programimit dhe të planifikim-rregullimit të territorit. Shërbeu gjithashtu si drejtor i Institutit të Zhvillimit Ekonomik në të njëjtin Universitet. Në vitin 1981 u zgjodh për herë të parë deputet me partinë PASOK, dhe është rizgjedhur duke e ripërtërirë pa ndërprerje mandatin deri në vitin 2012. Në vitin 1982 shërbeu si zëvendësministër i Tregtisë, në vitin 1984 shërbeu si zëvendësministër i Jashtëm për Çështje të Komunitetit Europian dhe në periudhën 1985 – 1989 shërbeu në postin e ministrit Plotësues të Punëve të Jashtme. Në tetor 1993 u betua përsëri si ministër Plotësues i Punëve të Jashtme. Në korrik 1994 mori detyrën e ministrit të Transportit dhe të Komunikacionit. Në janar të vitit 1996 u betua si ministër i Punëve të Jashtme, duke e ushtruar këtë detyrë deri në shkurt të vitit 1999. Në prill të vitit 2000 u betua si ministër Kulture dhe qëndroi në këtë post deri në nëntor të vitit 2000. Që nga viti 2004 deri në zgjedhjet e vitit 2009 përfaqësoi Parlamentin Grek në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit Europiano-Perëndimor dhe të Këshillit të Europës. Më 6 tetor 2009 u betua si zëvendëskryeministër. Ushtroi këtë funksion deri në muajin maj 2012. Ka shkruar shumë artikuj dhe libra të ndryshëm, midis të cilëve përmendim: “Globalizmi dhe e Majta” (2001), “Profetë efemerë –ngërçe të neoliberalizmit dhe lëvizje sociale në epokën e globalizmit” (2005), “Europa në udhëkryq” (2005), “Ndërhyrje tek Aktualiteti” (1994), “Greqia në Komunitetin Europian” (1988), “Të gjithë së bashku i hëngrëm” (2012), dhe “Ndërhyrje te politika” (2014), “Fjalorthi i kollotumbës” (2017).

( Ish-zëvendëskryeministër i qeverisë së Greqisë dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, ish-ministër i Kulturës Theodhoros Pangallos gjatë nderimit  sot nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë me titullin “Doktor Honoris Causa" )

Ora 22:09
Ish Zv. Kryeministri i Greqisë, Theodhoros Pangallos, promovon librin 'Me Papandreun në Europë', ja pjesëmarrësit
  • /b.ha./Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    Komente

    • Sifi: 15/05/2018 16:56

      Respekt owr figuren e Pangalos , si nje ngs politikanet me te shquar te Grewuse ne dhjetvjecaret e fundit

      Përgjigju
    • Sondazhi i ditës:

      Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



    ×

    Lajmi i fundit

    Tiranë/ Aksident pranë Rinasit, trajleri përplaset me një makinë! 1 i plagosur

    Tiranë/ Aksident pranë Rinasit, trajleri përplaset me një makinë! 1 i plagosur