Paradoksi/ Shashkave vrasëse iu hiqet dhe akciza

Paradoksi/ Shashkave vrasëse iu hiqet dhe akciza

Tymueset dhe shashkat dje në protestën e banorëve të Unazës së Re

Protesta e atyre banorëve të Astirit, të cilëve po u prishen shtëpitë apo dyqanet, pasi “ua zë plani” i ndërtimit të segmentit të Unazës së Re, ka sjellë në qendër të vëmendjes shashkat. Sidomos pas dëmtimit të rëndë të një policeje të Shqiponjave, që humbi dy gishtat gjatë manifestimit, aspak paqësor, para Kuvendit, ku sheshi u bë tym e flakë, jo nga gazi lotësjellës i Policisë, por nga kapsolla e shashka të demonstruesve, të cilat u pa qartë se ishin tejet e dëmshme për njerëzit.

Kjo, në të vërtetë, nuk është hera e parë që protestuesit në Shqipëri përdorin gjatë manifestimeve publike material shpërthyes me potencial të fuqishëm. Por ndryshe nga sa ndodh në shumicën e vendeve perëndimore, ku fishekzjarret përdoren vetëm në festat e fundvitit ose maksimumi në festat kombëtare, këtu përdoren gati çdo ditë të vitit, për ditëlindje, festa diplomimi, lagjesh, dasmash apo festa partish, duke u kthyer në një rrezik për ata që i përdorin, si dhe për kalimtarë të rastit. Duket kaq normale që shashkat të përdoren si “armë” edhe në protesta nëpër sheshe. Një gjë e tillë prej kohësh ka shqetësuar organet e ruajtjes së rendit, por çuditërisht segmenteve të tjera qeveritare ky fenomen nuk u duket shqetësues.     

Ne fakt në Paketën Fiskale 2019, qeveria ka sjellë në Kuvend edhe një amendim në ligjin e akcizës, ku, ndër të tjera, kërkon heqjen e kësaj takse nga importi për fishekzjarret. Në këtë kategori, sikurse dihet, nuk bëhet asnjë dallim nga dogana apo organe të tjera shtetërore, nisur nga fuqia shpërthyese. Kështu, nëse kapsolla konsiderohet si armatim, shashkat janë për shtetin fishekzjarrë.

Në ligjin për akcizat, që nga viti 2012 është përfshirë edhe zëri "fishekzjarre" - ku përfshihen "shashkat". Për to subjektet tregtare aktualisht duhet të paguajnë akcizë në masën 200 lekë për kg. Por këtë vit, me propozim të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është propozuar për fishekzjarrët heqja totale e akcizës.

Projektligji për akcizat

Në relacionin e projektligjit të Paketës Fiskale 2019 për akcizat, dorëzuar në Kuvend, argumentohet se “menaxhimi i produkteve të tilla ëshë i vështirë sepse, për shkak të specifikave, ato janë lehtësisht të transportueshme dhe, për arsye të ngarkesës fiskale me akcizë, rritet interesi i operatorëve për kontrabandë; heqja e këtyre produkteve nga lista e mallrave të akcizës do të ndihmojë në uljen e interesit të operatorëve për të kryer kontrabandë, me qëllimin që të deklarojnë sasinë reale. Në këtë mënyrë do të arkëtohen më shumë të ardhura në TVSH dhe taksë doganore”.

Nga pikëpamja financiare, duket shumë e dyshimtë logjika se, po të hiqet akciza për këto mallra, nuk do të bëhet më kontrabandë. Por heqja e akcizës për fishekzjarrët, pa bërë asnjë dallim mes tyre, shkon në të kundërtën e logjikës së ruajtjes së rendit. Tirana aktualisht është i vetmi qytet ku gati çdo ditë festohet me fishekzjarrë në mes të njerëzve. Por përdorimi i gjerë i këtyre mjeteve ndezëse dhe shpërthyese, që nxit importimin në masë të konsiderueshme nga tregtarët të mallrave të tilla të rrezikshme, ofron mundësi që ato të përdoren jo vetëm për të festuar. Por edhe në guerrilje të vërteta urbane kundër Policisë. Dhe prej tyre një punonjëse e Policisë u plagos rëndë.

Po si ka mundësi që qeveria, në vend që të mundohet të frenojë importimin dhe përdorimin e këtyre mjeteve, në të kundërt, u krijon lehtësi fiskale, duke u hequr edhe atë taksë të veçantë që paguajnë aktualisht? Çdo qeveri përdor mjete të ndryshme, duke përfshirë taksat doganore, për të frenuar sadopak përdorimin e materialeve të rrezikshme për jetën.

Në vend që të hiqej aksiza për fishekzjarrë e shashka, do të ishte mirë që të dhjetëfishohet, për të rritur çmimin në treg e si rrjedhojë për të minimizuar përdorimin si në festa private ashtu dhe në prostesta publike.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Boom: 23/11/2018 07:28

    ..Bravo..,opooo ti heqi fare nga qarkullimi...,hic fare...,vetem ne Shqiperi bo vaki.,qe gati cdo nate ne Qytet flasim.,hedhin Fishekzjarre sipas Festave e DiteLindjeve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmet ndaj medias dhe deligjitimi si 'kazan' Rama: Më ka ngelur njollë! E di që është problem, jam përpjekur të korrigjohem

Sulmet ndaj medias dhe deligjitimi si 'kazan' Rama: Më ka ngelur njollë! E di që është problem, jam përpjekur të korrigjohem