Pas Hajdarmataj, Prela pritet të ndryshojë dhe zv/drejtuesit e Krimeve të Rënda

Pas Hajdarmataj, Prela pritet të ndryshojë dhe zv/drejtuesit e Krimeve të Rënda

Drejtuesja e komanduar e Krimeve të Rënda, Donika Prela

Drejtuesja e re e komanduar në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, ende nuk ka zhvilluar një mbledhje pune me prokurorët dhe oficerët e kësaj prokurorie. Ditën e parë të detyrës së re, Prela, nuk ka qëndruar gjatë në zyrë, pasi i është dashur të shkojë në Durrës, ku do bëhej prezantimi i Anita Jella, njëkohësisht Prela i nevojitej të bënte dhe dorëzimet e çështjeve që kishte në hetim.

Pritet që ditën e hënë Donika Prela të thërasë në një mbledhje të përgjithshme të gjithë stafin e këtij institucioni. Por lëvizja që është mëse e diskutueshme në rradhët e prokurorëve është se si do të sillet drejtuesja e re e këtij institucioni, me ndryshimin ose jo të zv/drejtuesve të kësaj prokurorie.

Tre zv/drejtuesit e kësaj prokurorie mund të ndryshohen nga Prela në ditët në vijim, duke zgjedhur vetë emrat e personave të ngushtë me të cilët ajo do bashkëpunojë dhe hetojë. Mos harrojmë që në dorë të Donika Prelës, qëndrojnë çështje penale mjaft të nnxehta, jo vetëm nga aspekti i hetimit por dhe ndjeshmërisë së opinionit publik.

Dosjet si ajo e Adriatik Llallës, ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kokainës 613 kg kokainë, do jenë prova kryesore e punës hetimore të Donika Prelës. Për të vijuar me çështje të tjera si ajo e tre gjyqtarëve të Apelit në Durrës, të cilët akuzohen për korrupsion, dosje kjo që është mbajtur peng për disa vite nga ish-drejtuesi i kësaj prokurorie Besim Hajdarmataj.

Vetë ky i fundit gjatë ditës së djeshme ishte paraqitur në detyrë dhe nga sa mësohet është akomoduar në një nga zyrat e katit të tretë të kësaj prokurorie, që dikur ushtronte detyrën e prokurorit i ndjeri Xhevat Hana.

Shkëndija e parë e sherrit me Markun
Shkarkimi i Besim Hajdarmataj nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, lidhet me dy konflikte të lindur mes tij dhe kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Shkëndijat e para mes dy drejtuesve të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, kanë filluar në muajin shkurt 2018, kur në Maminas, Prokuroria drejtoi një operacion së bashku me Policinë e Shtetit, duke konfiskuar 613 kg kokakinë të fshehur në banana të ardhura nga Kolumbia.

Për këtë hetim mësohet se Arta Marku nuk ka pasur dijeni, për më tepër kryeprokurorja nuk është njoftuar në kohë nga Besim Hajdarmataj edhe pasi kishte finalizuar operacionin për bllokimin e drogës dhe arrestimin e dy personave të tjerë, dhe shpallur në kërkim pronarin Arbër Çekaj.

Mësohet se kryeprokurorja ka marrë dijeni për këtë operacion nga njoftimet në media të datës 28 shkurt 2018, ndërkohë që Hajdarmataj besohet se nuk e kishte informuar në kohë përpara. Besohet se që nga ky moment kryeprokurorja Marku ka filluar të humbë besimin për Besim Hajdarmataj.

Çështja Llalla e kolapsi i hetimit
Situata mosbesuese ndaj drejtuesit të prokurorisë së Krimeve të Rënda u bë akoma dhe më e dukshme, kur në këtë prokurori, mbëriti nga Durrësi dosja e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Presioni i Markut mbi Hajdarmataj ka qënë që çështja e Llallës të ketë përparësi më tepër dhe të hetohet deri në fund, duke konkluduar me një vendim përfundimtar.

Por sërisht, edhe në këta rast drejtuesi i Krimeve të Rënda humbi besimin e kryeprokurores, pasi caktoi për hetimin e kësaj dosje, vetëm një prokuror. Vetë Hajdarmataj ishte emëruar në 16 mars 2016 në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga ish-kryeprokurori Llalla, të cilin tashmë po e hetonte për katër vepra penale.

Kjo dosje, e vuri Hajdarmataj në një situatë të pakëndshme dhe në një provë për të hetuar ish-shefin e tij Llalla, i cili e kishte promuvuar menjëherë sapo kishte marrë mandatin e kryeprokurorit, duke e caktuar fillimisht drejtues në prokurorinë e Durrësit dhe më pas në krye të Krimeve të Rënda.Çështja Llalla u kthye në vazhdimin e konfliktit të heshtur, konflikt i cili mund të ketë vijuar dhe me dosjen hetimore të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Një ditë para se të shkarkohej, Hajdarmataj së bashku me prokurorin tjetër të kësaj dosje, Vladimir Mara, kanë marrë në pyetje në ambjentet e prokurorisë shoferin e ish-ministrit të Brendshëm, Gentian Cekën. Ndërkohë që një ditë para tij, morën në pyetje Orest Sotën, personin e arrestuar me 863 mijë euro në makinë.Tashmë Hajdarmataj do të vijojë të hetojë dosjen “Tahiri” por jo si drejtues prokurorie por si prokuror i thjeshtë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët