POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Pas Kosovës dhe Bosnjes, kompania shqiptare edhe në Moldavi e Mal të Zi, Drejtuesi i Jumbo shpjegon suksesin 'Made in Albania'

Foto nga inaugurimi i 'Jumbo' në Banja Luka të Bosnje Hercegovinës

Shitja e organizuar e mallrave me pakicë është një sektor që po njeh zhvillim të vazhdueshëm në rajon dhe më gjerë. Koha është ajo çka na mungon, ndaj të gjithë ne përpiqemi të orientohemi në dyqane të tipologjisë “one stop shop”. Pra aty ku mund të blejmë një shumëllojshmëri produktesh në një vend të vetëm. Ndaj dyqane si ai i Jumbos përqafohen shpejt nga konsumatori, sigurisht dhe për shkak të gamës së gjerë të produkteve që ofron dhe çmimeve ekonomike. 

Që kur u Grupi Balfin solli për herë të parë super dyqanin Jumbo në Shqipëri, dyqanin më të madh të lodrave, në Ballkan, ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara, jo vetëm një Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të saj.

JUMBO, u hap fillimisht në Nëntor të vitit 2011 në qendrën më të madhe tregtare TEG dhe një vit më vonë, në 27 Nëntor 2012 edhe në QTU.

Duke parë suksesin e madh të rrjeteve të dyqaneve të tipit “retail store” në Greqi, Qipro, Bullgari, Rumani etj, JUMBO erdhi si kërkesë e tregut shqiptar dhe si i tillë u përqafua menjëherë nga tregu vendas. 

Pika më e fortë e JUMBO-s, ajo çka e bën atë të jetë ndryshe nga ofruesit e tjerë në treg është shumëllojshmëria e produkteve të kategorive të ndryshme, pasi Jumbo është për të gjithë familjen. Gama e gjerë e produkteve, cilësia dhe çmimet ekonomike e kanë bërë atë të jetë lider në treg në kategorinë e lodrave për fëmijë dhe jo vetëm.

Më në detaj, në JUMBO mund të gjenden që nga lodrat për fëmijë dhe artikujt sportivë, e deri tek ato të kopshtarisë, veshmbathjet, tekstile dhe dekor, aksesorë pastrimi dhe për kuzhinë, aksesorë kurimi, produkte për bebe, aksesorë makinash, zyre dhe shkollash, si dhe materiale për festa dhe kafshë shtëpiake.

Sot, kompania shqiptare numëron 14 dyqane në 3 shtete të ndryshme të rajonit: Përkatësisht 6 në Kosovë, 5 në Shqipëri dhe 3 në Bosnje-Hercegovinë.

Drejtori Ekzekutiv i Jumbos, Toljan Papajorgji, na rrëfen përmes një interviste sekretet e këtij suksesi “Made in Albania”.

-    Si ka influencuar eksperienca e Jumbos në Shqipëri në aktivitetin në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë?
-    Me zgjerimin e aktivitetit në tregjet jashtë kufijve të Shqipërisë, ne si Jumbo zbuluam kulturën dhe mënyrën e të punuarit në Kosovë, ku sektori i shitjes së organizuar të mallrave me pakicë, ndryshe i njohur si Retail, është më i zhvilluar se në Shqipëri, po ashtu edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Pra konsumatori në këto dy vende ka kulturën e retail-it, ndaj dhe hapat e para të të bërit biznes atje deri diku ishin më të lehta se në Shqipëri. Ndërkohë në Shqipëri retail-i si sektor është relativisht i ri dhe grupi Balfin, si grupi më i madh dhe inovator në vend dhe në rajon ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij sektori. Gjithsesi zgjerimi të mëson të përshtatesh sipas rregullave të vendit ku po investon, si në rastin e Bosnje dhe Hercegovinës e cila operon shumë ndryshe nga Shqipëria për sa i përket legjislacionit fiskal.  Por ne i kishim idetë e qarta që në fillim, e dinim se çfarë donim të bënim, ne kërkonim hapësira deri në 4 000 m2 me vende parkimi të mjaftueshme dhe sigurisht që vendodhja e dyqanit duhet të ishte në një zonë lehtësisht të aksesueshme për konsumatorin. Aktualisht në më pak se 2 vjet Jumbo në Bosnje dhe Hercegovinë ka hapur 3 dyqane dhe 3 të tjera do të hapen gjatë vitit 2019. Ndërsa në Kosovë numërojmë 6 dyqane JUMBO të hapura në 4 vjet. Zgjerimi në këto dy vende ishte mjaft interesant dhe na ka treguar një tjetër panoramë të Ballkanit juperëndimor. Të qënit një kompani e suksesshme në Shqipëri, të motivon për të kryer hapa të suksesshëm edhe në rajon.

-    Si është përshtatur Jumbo në tregun Boshnjak dhe Kosovar?
-    Duke qenë se bëhet fjalë për dy vende ballkanikë nuk ishte e vështirë për t’u përshtatur në këto tregje, aq më pak në Kosovë, madje Jumbo është mirëpritur shumë mirë dhe  ka kërkesë të vazhdueshme për tu zgjeruar dhe në qytete të tjera të Bosnjes dhe Kosovës. Duke ofruar produkte me cilësi evropiane dhe me çmime ekonomike, të përshtatshme për të gjitha shtresat, ka bërë që të kemi sukses dhe të rritemi çdo vit e më shumë.  Tashmë edhe konkurrentët që kemi në Bosnje janë duke ndjekur hapat e Jumbos, duke filluar që nga mënyra e vendosjes së produkteve të kategorive të ndryshme dhe sezonaleve. 

-    A ka Jumbo konkurrent vendas në Kosovë dhe Bosnje & Hercegovinë? 
-    Ashtu siç dhe e përmenda pak më lartë, Jumbo ka konkurrent në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët ofrojnë produkte si Jumbo por jo në të gjitha gamën e produkteve. Jumbo ofron produkte si: lodra, kancelari, home décor, kopshtari, sport si dhe produkte sezonale. Ne kemi mësuar shumë prej tyre dhe i ndjekim se si ata operojnë në treg dhe do të shtoja gjithashtu se ata kopjojnë mirë, çka na bën ne që të punojmë më fort me stafin të cilët janë të specializuar në fushën e merchandising (mënyra e ekspozimit të produkteve në dyqan në mënyrë që të duken interesante për klientin dhe të përkthehet në blerje)dhe marketing, për të sjellë risi për konsumatorin dhe për të qënë sa më tërheqës në sytë e tyre. 

-    Gjatë vitit 2018, sa dyqane të reja ka hapur Jumbo brenda dhe jashtë Shqipërisë?
-    Viti 2018  ka qënë viti i Jumbos, rreth 7 vite pasi Jumbo u bë pjesë e Balfin Group, u zgjerua me 3 dyqane të reja në Shqipëri, përkatësisht në Fier, Durrës dhe Shkodër. Ndërkohë në Kosovë jemi prezent që prej vitit 2014 dhe në vitin 2018 hapëm dy dyqane të reja, në: Ferizaj dhe Mitrovicë, duke e çuar në 6 numrin e dyqaneve. Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë jemi prezent prezent prej 1 viti e gjysëm dhe në datën 7 Dhjetor 2018 hapëm dyqanin e parë në Mostar dhe të 3-in për Bosnjen.

-    Si i është dashur Jumbos të përshtatet, ndërkohë që jeni zgjeruar me filiale në qytete më të vogla?
-    Vazhdojmë të kemi kërkesa të vazhdueshme nga çdo cep i Shqipërisë për Jumbon dhe nuk është se ka qënë e vështirë për tu përshtatur, vështirësia gjendet tek vendodhja, pasi Jumbo si dyqan kërkon hapësira relativitsht të mëdha. Jemi munduar që në çdo dyqan jashtë Tiranës t’i përfshijmë të gjitha kategoritë dhe produktet që Jumbo ka në Tiranë. 

-    A ia ka vlejtur sfida e të bërit biznes në tregje si Kosova dhe Bosnje & Hercegovina?
-    Mund të themi se po, pasi plani ynë i zgjerimit do të vazhdojë dhe në vitet në vijim brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë edhe pse në Evropë dhe më gjerë bizneset e fushave të ndryshme po hasin vështirësi, me krenari themi se ne jemi duke u rritur çdo vit e më shumë.

-    Cilat janë planet e ekspansionit të Jumbos për vitin 2019, brenda dhe jashtë Shqipërisë?
-    Gjatë vitit të ardhshëm Jumbo do të hapë 3 dyqane të reja në Shqipëri, përkatësisht në qytetet: Korçë, Vlorë dhe Elbasan, 1 në Kosovë dhe 3 dyqane të reja në Bosnje dhe Hercegovinë. Risia e vitit 2019 për Jumbon është se do të investojë në 2 tregje të reja, përkatësisht në Malin e Zi dhe Moldavi. 

-    Sa punonjës numëron kompania Kid Zone, brenda dhe jashtë Shqipërisë?
-    Aktualisht për Kid Zone punojnë 600 punonjës brenda dhe jashtë Shqipërisë, por ky numër do vazhdojë të rritet me hapjen e dyqaneve të reja. Besoj se fundi i vitit 2019 do ta gjejë Jumbon me rreth 1000 punonjës në rajon dhe Moldavi. 

Shifra dhe fakte:
Nr. i punonjësve të Jumbos në Shqipëri: 200
Nr. i dyqaneve: 14
Nr. total i punonjësve: 600
Nr i shteteve ku operon: 3
Rritja e kompanisë në përqindje vitin e fundit: 24%
Numri i dyqaneve të reja parashikuar në 2019: 9
Shteti me me shumë dyqane të Jumbo/ Numri: Kosova /6 dyqane
Numri i produkteve te tregtuara: 24 350
Lloji i produkteve: Home decor, tekstil, lodra, kancelari, kopshtari, sport dhe produkte sezonale.

Ora 17:15
Pas Kosovës dhe Bosnjes, kompania shqiptare edhe në Moldavi e Mal të Zi, Drejtuesi i Jumbo shpjegon suksesin 'Made in Albania'

Foto nga inaugurimi i 'Jumbo' në Banja Luka të Bosnje Hercegovinës

1 / 4

Jumbo Gjilan

2 / 4

Dyqani Jumbo

3 / 4

Toljan Papajorgji drejtori ekzekutiv i Jumbo

4 / 4
l.q./r.k.