Pasion, dedikim...historitë e
mësueseve që dhanë mësim 40 vite

Pasion, dedikim...historitë e<br />mësueseve që dhanë mësim 40 vite
Mesa duket, 40 vite punë dhe dedikim nuk kanë mjaftuar për të shprehur gjithë dashurinë e tyre ndaj profesionit, nuk kanë mjaftuar për të shprehur gjithçka tek nxënësit e tyre.

Sot edhe pse në pension, mësueset Muhazez Qilimi Kanushi, Ilmjana Bujari vazhdojnë të kenë të njëjtin entuziazëm si ditën e tyre të parë të punës. 

Në bilancin e tyre të punës, mësuese Muhazez Qilimi Kanushi më 42 vite punë mbi shpatulla dhe Ilmjana Bujari me 39 vite, janë sërish të emocionuara. 

‘’Mua më duket sikur ato vite ikën aq shpejt sa u çudita edhe vetë si ikën 42 vite. Unë nga natyra jam njeri aktiv edhe punën e kam parë me shumë pasion. Nëse puna nuk bëhet monotone, ikën edhe vitet dhe ja që u bënë 42 vite sa edhe mua më duket shumë, edhe një lloj çudie’’,u shpreh Kanushi.
 
“Unë mendoj që në një jetë kaq të gjatë të mësimdhënies ka shumë moment kyçe që më kanë bërë mua të jem një mësues i vërtetë. Që vajzë e re kam vajtur rreth 21 vjeç mësuese në Mirditë dhe kam vajtur në një zonë shumë të thellë ku kam parë vuajtjet e njerëzve, kam mësuar nga ata, kam mësuar dhimbja e tyre, nga punët e rënda që bënin, dhe nga pamundësia për të bërë jetën që duhet të bënin dhe prandaj ne si mësues ishim të detyruar të ndihmonin. Kështu që e parë në këtë aspekt kam menduar në rradhë të parë që të formohem vetë personalisht të formojë qënien e të qenurit mësues”, u shpreh Bujari.

Eksperiencat e tyre dhe përballja e përditshme me nxënësit, mësueset tona shprehen se i kanë ndihmuar të bëjnë mësues më të mirë. Madje shpjegojnë qartë se mësues dhe mësimdhënës është një diferencë e madhe, ashtu sikundër profesioni i mësuesit është mision.
 
“E kam thënë dhe vazhdoj të ruaj mendimin që mësuesia nuk është profesion, por është mision. Dhe që të realizosh këtë mision duhet t’i vesh vetes qëllim. Unë këtë qëllim kam pasur në jetë”, tha mësuese Muhazez Qilimi Kanushi.
 
“Kam parë breza të tërë të cilët janë munduar të studiojnë. Të studiosh do të thotë që të nxehësh karrige, dhe të nxehësh karrigen do të thotë  të kesh durim dhe të kesh durim do të thotë që duhet të punosh. E parë në këtë aspekt kam bindur jo vetëm veten time por edhe nxënësit e mi që e vetmja rrugë është që të studiosh” , u shpreh mësuese Ilmjana Bujari.

Të edukosh breza, të jesh modeli i tyre apo edhe mbështetja e munguar, është një tjetër sfidë që duhet përballuar. Por mësuese Muzezi dhe Ilmjana kanë pasur mënyrat dhe taktikat e tyre për të menaxhuar klasat dhe mësimin. 
 
“Edhe ata nxënës që të tjerët mund t’i shikonin me një lloj indiferentizmi, e shikoja me synimin që të ecë edhe më shumë. Dhe më ka bërë përshtypje që këto të etiketuari si “të shkathët” në jetë janë bërë shumë të mirë, pavarësisht nga mësimet” tregon mësuese Muhazezi.
 
“Më ka rënë lapsi që të kem klasa të mirë, por edhe klasa me probleme. Pasi këta nxënës vinin nga familje me probleme ekonomike me probleme të ndryshme. Kam punuar me plan pra për çdo nxënës të vështirë kam pasur një bllok shënimesh”, na thotë  mësuese Ilmjana Bujari.

Në vendin tonë teoria e dhunës në shkolla deri diku ka qenë edhe e pranuar. Ashtu sikundër ka qenë e lëjuar nga prindërit që në rast se fëmija nuk bindej, mësuesi kishte edhe të drejtën ti gjuante një shpullë.

Sot kur çdo ditë denoncohen raste të dhunës në shkolla, mësueset që kanë edukuar breza e breza janë kundër. 
 
“Unë hap internetin dhe rrjetet sociale dhe të them të drejtën janë të papranueshme t’i shikojë. Jo se këto gjëra nuk ndodhin, ndodhin por janë të papranueshme, janë dhe shembuj skandaloz, që shoqërua duhet t’i dënojë në anën morale por edhe nga ana e ligjeve, duhet të jenë më të forta”
 
Të parët tanë thonin që druri ka dalë nga xheneti, nuk jam aspak dakord. Prandaj jam me atë tjetrën që mësuesi duhet të jetë shumë i duruar. Por lind pyetja që ky mësues të jetë i duruar, kush e mbron? Ka ligj që mbron mësuesin se në pamje të parë dispozitat normative mbrojnë mësuesin, por mosha e mësuesit që del në pension 60 vjeç, me kaq nxënës ka dhe probleme, megjithatë dhuna është e papranueshme”,
shprehen mësueset.

Mësuese Kanushi dhe Bujari shprehen se cilësia e mësuesve tani duhet të ndryshojë. Të dyja pranojnë që përzgjedhja e studentëve për të studiuar mësuesi lë shumë për të dëshiruar. 
 
“Unë do të thosha që në këtë kohë ka një problem. Që pranimi i studentëve në degën e mësuesisë nuk bëhet si më përpara. Në këto degë përveç atyre që shkojnë me dëshirë, janë ata që kthejnë spirancën për të kapur një shkollë të lartë. Për rrjedhor ka raste të shumta që këta studentë nuk japin maksimumin. Mësuesinë duhet ta dashurosh”, tha mësuese Muhazezi.

"Në kohën e sotme kam vënë re që kanë shkuar për mësuesi edhe ata maturantë që kanë marrë notën 5-6. Atëherë shkonin me mesatare 10, unë di një rast që ka marrë medalje ari dhe ka vazhduar mësuesi. Atëherë shkonte më i miri, jo kush të teproj të bëhet mësues. Se nuk mund të shkojë gjithkush për t’u bërë mësues, pra në të gjitha kohërat nxënës të mirë ka pasur” u shpreh mësuese Ilmjana.

Sërish në ditët e “shenjta” të arsimit shqiptar, mesazhi për mësuesit e rinj ka të njëjtin emërues të përbashkët, dashurinë ndaj punës. 
 
“Pa e dashur profesionin nuk mund të japësh maksimumin. Të bësh punën misionare sepse në bashkëbisedime me kategoritë e ndryshme mësuesit thonin sikur na paguajnë shumë që të lodhemi e të sfilitemi. Unë kam thënë që mësuesi me shumë ose pak lekë ta bëjnë si duhet”
 
“Ta duan shumë punën. Po e deshën punën ata do të punojnë shumë mirë, dhe po e respektuan punën, orarin, qenien mësues, nxënësin e tyre ata do të ecin përpara. Nuk ka lindur kush mësues është bërë mësues në jetë prandaj bëmë dallimin midis mësimdhënësit dhe mësuesit. Është shumë e vështirë të bëhesh mësues. Prandaj duhet ta duash mësuesinë”,
japin mesazhin e tyre dy mësueset.

Mësuese Muazez dhe Ilmjana ndjehen krenare që nxënësit e tyre kanë çarë në jetë dhe janë bërë dikush. Lumturinë dhe entuziazmin nuk e fshehin aspak për secilin prej tyre.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kryemadhi mesazh Metës pak orë para mbledhjes: Çdo përjashtim është mbyllje e partisë

Kryemadhi mesazh Metës pak orë para mbledhjes: Çdo përjashtim është mbyllje e partisë