POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Pasqyrat fiskale/ Janar-korrik, të ardhurat buxhetore rriten 3% nga viti i kaluar

Foto ilustruese

Investimet janë rritur në një masë të kënaqshme, po kështu arkëtimet nga tatimi mbi të ardhuat personale, apo kontributet për efekt të sigurmeve shoqërore. Por akciza ka shënuar të vetmin rezultat negativ ndër zërat kryesorë, ndërsa kategorive të ish-pronarëve dhe të ish-të përndjekurve politikë u janë paguar shifra shumë më të ulta. Këto të dhëna spikatin nga një krahasim që mund t’u bëhet statistikave të periudhës janar-korrik të këtij viti lidhur me realizimin e zërave të Buxhetit të Shtetit për vitin në vazhdim, me ato të së njejtës periudhë të një viti më parë.

Të ardhurat

Në arkën e shtetit rezulton të jenë grumbulluar gjatë kësaj periudhe shtatëmujore, si pasojë e punës së Tatimeve e Doganave, 255.9 miliardë lekë, apo afro 2 miliardë euro. Shifra duket e lartë në dukje të parë, madje ajo është edhe 2.9 për qind më e lartë se një vit më parë, por gjithsesi mbetet 3 për qind nën shifrën që ishte planifikuar nga Financat në fillim të vitit. Vjet në të njejtën periudhë kohore u arkëtuan 248.6 miliardë lekë.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka sjellë 19.9 miliardë lekë në arkën e shtetit, ndërkohë që vitin e kaluar shifra ishte 19.3 miliardë, një rritje kjo në masën 3.3 për qind. Por, të ardhurat nga TVSH-ja duket se sollën 5.3 për qind më pak lekë se plani. Kështu, aplikimi i tatimit edhe në subjektet që realizojnë xhiro vjetore nga 2 milionë lekë e sipër - nga kufiri prej 8 milionësh, që ishte më parë - duket se nuk ka arritur të sjellë atë “bum” në të ardhurat në këtë zë, duke formalizuar faturat e TVSH edhe në biznesin e madh, ashtu siç priste qeveria.

Tatimi mbi të Ardhurat e Punonjësve ka shënuar një rritje të konsiderueshme, në masën 12.4 për qind krahasuar me vitin 2017, si rezultat i uljes së informalitetit në deklarimin e punonjësve, çka sjell edhe pagesën e tatimit mbi pagat e tyre, Kjo, nga ana tjetër, ka sjellë rezultat mjaft pozitiv edhe në rritjen e ndjeshme të kontributeve për sigurime shoqërore, të cilat, me 46.7 miliardë lekë që kanë sjellë në arkën e shtetit, kanë shënuar rritje në masën 9.4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, tatimi mbi fitimin e ndërmarrjeve shënon gati të njejtat shifra rritjeje si edhe TVSH-ja, me 3.1 për qind, por është nënjë nivel 5 për qind më të ulët se shifra e planifikuar për shtatëmujorin.

Pushteti vendor ka rregulluar disi performancën e tij, me një rritje në vlera vjetore në masën 4.1 për qind.

Por akciza ka shënuar një rezultat mjaft negative, me 24.8 miliardë lekë të arkëtuara, që janë 2 për qind më të ulta se një vit më parë, çka do të thotë një mosrealizim prej 6.8 përqindësh ndaj planit 7-mujor.

Mosrealizimi më i madh i përket mbledhjes së të ardhurave nga renta minerare, me vetëm 80 për qind të shumës së planifikuar.

Ritmi i rritjes së të ardhurave ka rënë mjaft dhe është më i ulti që nga viti 2013.

Shpenzimet

Në totalin e tyre, me shifrën 252.8 miliardë lekë, shpenzimet buxhetore të periudhës janar-korrik 2018 kanë qenë 2.1 për qind më të larta se një vit më parë. Por, në këtë mes tendenca më pozitive është ”ringjallja” e investimeve publike, të cilat u sakrifikuan për vite me radhë, gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama, me qëllim që të ulej sadopak shifra e borxhit publik. Tanimë që kurba e borxhit është në ulje, është rikthyer rritja e shpenzimeve kapitale, të cilat janë në vlerën e 34.7 miliardë lekëve, 12.7 për qind më të larta se një vit më parë në të njejtën periudhë.

Deficiti buxhetor është arritur të mbahet në terrenin pozitiv, me 3.1 miliardë lekë suficit, krahasuar me një vit më parë, që kjo shifër ishte 884 millionë lekë. Përmirësimi është i dukshëm: 3.5 herë më mirë.

Por pagesat për kategorinë e ish-pronarëve kanë qenë sërish të ulta: 2.65 herë më pak se vjet. Ndërkohë, shifër edhe më e ulët ka qenë ajo e paguar për ish-të përndjekurit: 6.5 herë më pak se në shtatëmujorin 2017.

 

ke.mu./a.de.
Komento