Pendesa: E rrihja gruan se isha
xheloz, sot dua ta bëj të lumtu

Pendesa: E rrihja gruan se isha<br />xheloz, sot dua ta bëj të lumtu
TIRANE-Jemi në 8 Mars, një ditë e shënuar për gratë, nënat, vajzat.

Report TV dhe Shqiptarja.com në nder të kësaj dite fokusohet tek plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare, dhuna ndaj gruas. Jo pa qëllim sot sjell një intervistë ndryshe. Jo një grua të dhunuar siç ndodh rëndom, por dhunuesin, autorin, partnerin e saj që nuk kurseu shkelmat e grushtet ndaj saj. Por sot të penduar.

“Isha shumë xheloz, isha mësuar që gruaja duhej të rrinte në shtëpi e madje as bukën nuk e lija ta blinte vetë”, janë këto fjalët e një të dënuari në Shërbimin e Provës i cili rrëfen në një intervistë ekskluzive për Report TV se si e dhunoi bashkëjetuesen e tij me profesion mësuese vetëm sepse asaj i ishte fikur telefoni ndërsa sihte në klasë dhe ai dyshonte se ajo e gënjente.
 
“Nga pija e tepërt çdo justifikim i saj ishin fjalë të kota për mua, s’po logjikoja më. Shihja vetëm bardh e zi, e përplasa dhe godita. Madje edhe bluzën ja kam gris dhe ja lidha për fyti”, rrëfen ish dhunuesi.
 
Gazetarja Erjona Rusi, e cila realizoi këtë intervistë thotë se ka dashur që këtë 8 mars, mesazhi për t’i dhënë fund dhunës të vijë pikërisht nga një dhunues i cili jo vetëm rrëfen arsyet por tashmë jep edhe një mesazh të fortë se pse sot ai është kundër dhunës.
 
“Unë i them të gjithë atyre të rinjve që po bëjnë gabimin më të madh në jetë sepse unë e kam provuar se ça do të thotë të keqtrajtosh gruan ose të kalosh në masa ekstreme, siç kalova unë. Është përvojë shumë e keqe”, shprehet ai.

Intervista

Jeni dënuar për dhunë çfarë ka ndodhur konkretisht? 
Ajo nuk kishte faj thjesht isha unë mbrapsht. Kisha xhelozi të kota pa pikë lidhje.
 
Për çfarë ishe xheloz? 
Xheloz sepse ne ishim mësuar që gratë t’i kishim vetëm për në shpi, të dilnin vetëm me ne dhe të mos kishin asnjë lloj kontakti me botën jashtë, domethënë që as bukën të mos e blinte poshtë pallatit nuk e lija.
 
Kush ta ka mësuar ty që gruaja të rrijë brenda në shtëpi? 
Jo se ma ka mësuar njeri por thjesht rrethi jonë shoqëror, se unë jam rritur me shoqëri të keqe që i vogël dhe morën punët për ters. Ishim mësuar që gratë t’i mbanim vetëm në shtëpi, kishim lekë thjeshte donim që gratë të mos na i shihte njeri.
 
Çfarë ndodhi atë ditë që të inatosi? 
Isha te lokali dhe fatkeqësisht i kishte rënë bateria. Unë flisja gjatë gjithë kohës në celular me të edhe kur ishte me kolegë, në mbledhje isha aq i fiksuar dhe maniak sa i thoja ta linte celularin hapur. Ajo e linte hapur dhe unë dëgjoja kot. Doja ta kisha nën kontroll, ashtu me thoshte truri mua. Atë ditë gjysmë ore para se të dilte nga mësimi i bie karikimi, ajo e shkreta shkon të marrë gocën në kopsht, merr bukën, kishte bërë dhe drekën. Sa u nisa nga lokali për të ardhur te  Fresku duheshin 40 minuta dhe unë gjatë gjithë kësaj kohe isha duke pirë.
 
Çfarë mendoje në ato momente?
Më shkonte mendja që e ka fikur telefonin kastile që të mos i bija unë, mund të ketë dalë me një shoqe, ku s’më shkonte mendja. Ndërsa kur shkova në shtëpi e gjeta duke gatuar ndërsa celularin e kishte në karikim me 1 % bateri. Ajo po më tregonte se çfarë kishte ndodhur por unë nuk po logjikoja dhe fillova ta godisja. 

Çfarë mendoje kur e godisje?
Asgjë, isha shumë i ftohtë. Sikur po godisja ndonjë kafshë.
 
Si ka mundësi, si e shpjegon?
Njeriu kur është i nevrikosur mund të bëjë edhe gabime më të mëdha.
 
Edhe ta vrasë?
Edhe mund ta vrasë. Atë e shikoja vetëm bardh e zi nga pija. S’e dalloja dot a e përplasa, kishte dhimbje, s’kishte dhimbje. Vetëm thjesht godisja, edhe bluzën ja kam grisur, ja kam lidhur në fyt. Më trego ki ishe, ça bërë, pse e fike telefonin, dhe budalliku im që isha tepër xheloz. Ne gratë s’i linim të dilnin nga shtëpia, i nxirrnim vetë ndërkohë që në shtëpi shkonim n jë herë në javë.
 
Pastaj çfarë ndodhi?
 E mora e futa në makinë, e çova në Malin e Dajtit, kisha dhe fëmijën në makinë. Fëmijën e lashë në makinë atë e nxora përjashta dhe e kërcënova.
 
Si e kërcënove, çfarë i the? 
E kërcënova, o më trego çfarë bëre ku ishe ose unë të vrava këtu.

Ti nuk e besoje që i kishte rënë bateria? 
Nuk e besoja fare. Më dukej sikur më pëshpëriste dikush te veshi dhe më thoshte ajo po të gënjen. ka dikë tjetër ose nuk po tregohet e sinqertë. Ndërkohë që ajo e shkreta më lutej më përgjërohej po të tregoj të vërtetën, ke njerëz mund të shkosh t’i pyesësh. Pastaj pas ca momentesh hipa në makinë e shkova në shtëpi dhe pas tre orësh kur po më dilte pija pashë shtëpinë komplet përmbys.
 
E kishe kthyer ti përmbys?
Unë. Dhe thoja çfarë kam bërë dhe realisht nuk mbaja mend asgjë. 

Po tani i mban mend, përderisa po m’i tregon mua...
Po m’u kujtuan pas disa orësh. M’u kujtuan momentet kur ajo bërtiste unë godisja dhe kërcënoja.
 
Ndërkohë ajo kishte bërë denoncimin? 

Jo, denoncimin nuk e bëri ajo. Kur kuptova që kisha gabuar shumë, kur më doli pija, e mora me vete në makinë shkova te lokali dhe u mundova ta qetësoja i kërkova falje, por ajo ishte me mendimin që unë nuk do ndryshoj sepse nuk ishte hera e parë që e keqtrajtoja.

Ky nuk ishte episodi i parë ka ndodhur edhe shumë herë të tjera? 
Jo ky nuk ishte episodi i parë, ka ndodhur edhe herë të tjera. Mund të ketë ndodhur edhe 3,4 herë të tjera por jo në këtë gjendje. Jo me këtë lloj dhune, thjesht ndonjë, shpullë, ndonjë ofendim, po jo në këtë masë.
 
Këtu mendon se e ekzagjerove? 
Këtu tejkalova çdo gjë, sepse herët e tjera pajtoheshim, po si këtë herë nuk kishte ndodhur më parë. Edhe ajo vetë kishte frikë të rrinte me mua. Ajo nuk donte të hynte në shtëpi sepse kishte frikë.
 
Kush e bëri denoncimin? 
Denoncimin e bën njerëzit e asaj pasi ajo kishte makinën e vet dhe më tha dua ta marr vajzën dhe të pi një kafe e të qetësohem dhe kishte shkuar te njerëzit e saj. Ata pak donin sepse nuk më kanë pas qejf asnjëherë. Ajo bëri denoncimin dhe nuk donte që unë të dënohesha, thjesht dua që të mos më afrohet, këtë kërkonte ajo. Njerëzit e saj kërkojnë me çdo kusht dënimin tim që të më ndanin nga jo më çdo mënyrë.
 
Partnerja juaj donte që të ndahej nga ju? 
Po ajo donte që për një kohë të mos më shikonte me sy sepse e kisha tmerruar.
 
Pastaj të dënuan? 
Bëra 2 muaj burg, pastaj më lanë 2 vjet me shërbim prove. Sepse kam edhe 2 fëmijë të tjerë.

Mendon se bëri mirë partnerja që të denoncoi? 
Ata bënë shumë mirë. Arrita të ndahem me këtë njeri, që ishte dashuri me shikim të parë.
 
Në një fare mënyre kur të bëri denoncimin ti kuptove se çfarë po humbisje?
 Ato 2 muaj që kam qëndruar në burg po tretesha, po kuptoja se çfarë kisha bërë dhe çfarë humba dhe u mundova me gjithë shpirt që të dilja prapë nga ai vend dhe të ribashkohesha me të.
 
Dhe je ribashkuar? 
Normal që jam ribashkuar.
 
Si shkojnë gjërat? 
Gjërat shkojnë shumë mirë. Nuk pi më. E kam lënë pijen që në momentin kur jam arrestuar e deri më sot.
 
Mendon se ti mund të jesh prapë i dhunshëm? 
Nuk mendoj se do të ndodhë sepse u mësova me këtë jetë, sepse gruaja po të doja ta bëjë të keqen ta bën. Ti mbaje sa të duash, lidhe po të duash po të dojë ta bën. Një njeri që e do me gjithë zemër dhe të do është budallallëk t’i vësh kushte.
 
Nuk arrij të kuptoj se si mund të duash kaq shumë një njeri edhe pastaj ta godasësh?
Ngaqë e doja shumë doja ta kisha vetëm për vete, edhe kur kalonte në rrugë dhe e shikonin njerëzit më ikte truri, pse shikon ky, çfarë ka ky që shesh.
 
Mendon që burri e ka të drejtën që ndonjëherë ta gjuajë gruan?
Jo nuk ka asnjë lloj të drejte, jam super i bindur për këtë.
 
Si je bindur? 
Gjatë kohës që isha brenda kujtoja gjërat që kisha bërë dhe kuptova sa gabime kisha bërë. Koha brenda më bëri të ndryshoja komplet. Nuk e di se si.
 
Je bërë pishman? 
Jam bërë shumë pishman sepse po të mos isha kështu nuk do të shkonin gjërat kështu.

Shoqëria e keqe mendon se ka qenë faktori që të ka ndikuar më shumë të jesh i dhunshëm apo të kesh ato koncepte mbi gruan?
Kjo ka ndikuar shumë sepse kur mblidheshin me çunat dhe flisnim ne gratë tona nuk donte që t’i zinte njeri me gojë. Që në moshë të vogël isha rritur në shoqëri të keqe.
 
E ke braktisur këtë lloj shoqërie? 
E kam braktisur dhe mos e pafsha më!
 
Tani je fokusuar te familja? 
Tani jam fokusuar te familja aq më tepër te ky njeri që e kam lënduar shumë dhe po bëj gjithçka që ta bëj të lumtur.
 
Po ia del? 
Po, po ja dal.
 
Si po përpiqesh ta bësh të lumtur?
Përpiqem ta bëj të lumtur duke hequr të gjitha skenat e xhelozisë sepse nuk kam arsye të jem xheloz, i plotësoj gjithçka, nuk e ndaloj të shkojë askund.
 
Çfarë mendon kur dëgjon se në lajmet tona ka vrasje? 
Është injoranca më e madhe ta keqtrajtosh gruan ose ta vrasësh. Nëse diçka nuk shkon më jepi drejtim lëre, ndahu. Nëse dashuria ka përfunduar nuk ke pse të kalosh në ekstrem.
 
Nëse partnerja jote vjen dhe të thotë që do një njeri tjetër, çfarë do bësh? 
Do t’i them të vaftë mbarë. Nuk ka arsye as asaj t’ia ndërpresësh jetën as vetë të kalbesh në burg, burra dhe gra sot ka plot.
 
Çfarë do t’i thoje një djali që në një moment të caktuar çon nëpër mend të qëllojë, të dashurën, të fejuarën apo gruan? 
Do t’i thoja që po bën gabimin më të madh sepse nëse dikush ka vendosur të shkojë me dikë tjetër nuk e ndal dot. Ka mbaruar dhuna në 2017-ën nuk funksionon më. Nuk të do, nuk të do.
 
Në familjen tënde kur ke qenë i vogël ka pasur dhunë?
Asnjëherë nuk ka pasur dhunë. Ka pasur debate si çdo familje, por jo dhunë. Nuk jam rritur me dhunë.
 
Mendon se shoqëria shqiptare është shumë patriarkale dhe e dhunshme, ku gruaja trajtohet si pronë?
Jo vetëm gruan por edhe për të dashurën shqiptarët e kanë këtë mentalitet. Kjo ndodh sepse shqiptari nuk ka tjetër punë. Vetëm kafe, duhan, lokale, si e si të duket më i pushtetshëm se të tjerët.
 
Ti thua që shoqëria ka qenë ndikuesi jot më i keq, sot mund të ketë të rinj plot që ë mendojnë kështu, çfarë do u thoje? 
Po bëjnë gabimin më të madh në jetë sepse unë e kam provuat se ça do të thotë të keqtrajtosh gruan ose të kalosh në masa ekstreme siç kalova unë saqë për një moment kur e kujtoj momentin që e çova në Dajt dhe e lidha thashë se më vdiq në dorë. Atëherë s’e mendoja por kur e mendoj tani.
 
E kishte të vështirë të tregoje gjithë këtë në intervistë? 
Të vështirë jo për mua por më shumë për partneren sepse u desh shumë kohë e gjatë që ajo të harronte ato që i bëra.
 
Mendon se kjo intervistë mund të ndihmojë njerëz të tjerë? 
Kush e sheh të arsyeshme mund ta marrë si ndihmë.

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Juventus për turp, barazon 2-2 me Cagliarin! Lazio i falet Luis Albertos, mund Genoan në udhëtim

GOLAT/ Juventus për turp, barazon 2-2 me Cagliarin! Lazio i falet Luis Albertos, mund Genoan në udhëtim