POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Për çfarë ka nevojë ‘korrigjimi i kufijve’

Hashim Thaci, Mogerini dhe Vucic

Ka disa kohë që media është e mbushur me analiza, ide, supozime, mendime nga gazetarë, të njohur si analistë, komentatorë, etj., të fokusuar te kufinjtë e Kosovës dhe te Thaçi! Kufijtë, domethënë territoret e përcaktuara prej tyre, janë çështje tepër delikate në marrëdhëniet midis shteteve. Ato ngërthejnë si aspekte politike, ashtu edhe të së drejtës ndërkombëtare. Për shkak të tyre janë bërë historikisht luftëra që kanë shkaktuar dëme kolosale në botë.

Duhet kujtuar se Evropa qendrore-lindore ka qenë gjithmonë e përbërë nga grumbuj popujsh me pretendime konfliktuale bazuar në gjuhën, etnicitetin, ekonominë, gjeografinë, konsideratë ushtarake, lidhjet historike etj. Prandaj, dhe për më tepër, shtetet e reja që dolën nuk ishin në asnjë rast homogjene. Për shembull, emri Jugosllavi nuk mundi të fshihte rivalitetet brenda mbretërisë të asokohe të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, le pastaj edhe të shqiptarëve, pasi dhanë si shpërblim, ia „ngjitën“ atyre territoret shqiptare.
Me këtë logjikë mund të vazhdohet: Çekosllovakia lindi nga një aleancë që akomodonte pak a shumë sipas oreksit çekët, sllovakët dhe rutenët; Polonia historike rroku ukrainas, gjermanë, lituanezë dhe hebrej që flisnin Yidish. Shkurtimisht, Ballkani dhe Evropa qendrore, apo ballkanizimi i të gjithë këtij territori, ngriti po aq shumë konflikte dhe mosmarreveshje politike sa edhe zgjidhi, duke krijuar shumë shtete të vegjël shumëkombëshe në vend të disa perandorive. Thjeshtë, sot nuk mund të gjesh një shtet që është etnikisht i pastër në Evropë apo gjetiu.

***

A do të ketë apo nuk do ketë “rregullime” të kufijve midis Kosoves dhe Serbisë? A do ta shtyjë përpara këtë ide Thaçi apo jo! A është mirë apo është keq nisja e kësaj rruge? A është konsultuar gjerë me spektrin politik, përfshirë atë ndërkombëtar? A janë bërë analiza të thella se cilat janë favoret dhe disfavoret, shanset e suksesit, çfarë mund të fitojmë e çfarë mundet të humbim, pra, edhe rreziqet e daljes më keq sesa ishim para këtyre bisedimeve?

Kur flitet per ndryshim kufinjsh, së pari, kërkohet njohje e thellë e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, përvojë në negociata ndërkombëtare, njohje të organizatave ndërkombetare dhe e funksionimit të makinerive të tyre. Ndryshe lehtë mund „të shkelësh në dërrasë të kalbur“ dhe te krijosh më shumë konfuzion.

Para se të hyhet në të tilla „ndërmarrje“, ose si cilësohet nga disa, në të tilla „aventura“, duhen studiuar shumë mirë më parë të gjitha anët e favorshme dhe jo të favorshme, nga ekipe profesionistësh të vërtetë (jo thjesht cilildo që është në një zyrë të caktuar), dhe pa u ngutur. Njëkohësisht, duhet mbështetje e plotë politike institucionale dhe, sipas nevojës, duke bërë transparencë por duke ruajtur edhe konfidencialitetin, me një balance të kujdesshme.

çështja e kufijve, kudo, për çdo shtet, si më parë ashtu edhe sot, është shumë e ndjeshme. Ajo ka të bëjë me dimensionin e vendit edhe kur “rregullimet” duken sikur janë të vogla, të papërfillshme. Nëse rregullimet vërtetë do ishin të papërfillshme, atëherë përse t‘i hyhet kësaj meseleje!?
Dimension në këtë kontekst do të thotë peshë, forcë, influencë, ndjekje më mirë dhe me sukses e interesave. Të tjerat, si multi-etniciteti, toleranca, hapja e kutisë së Pandorës, dakordësite ndërmjet palëve, etj., hidhen më shumë si pretekste për të penguar ose për të shtyrë përpara, për të mbrojtur dhe kamufluar atë që është nën të – interesin real.

Në ditët e sotme duket se jemi në një periudhë që kurrëherë më parë nuk ka qenë e tillë që nga Lufta e Dytë Botërore: nëse dëshiron të informohesh, duhet të ndjekësh mediat, por nëse ndjek mediat dizinformohesh! Kjo periudhë është e ngarkuar me të pavërteta, me gjysmë të vërteta dhe çerek të vërteta. Ndoshta kështu është edhe për çështjen e kufijve të Kosovës që ka iniciuar Thaçi.

A do të lëvizen kufijtë midis Kosovës dhe Serbisë? A mundet ta bëjë këtë gjë presidenti i Kosovës vetëm, pa e pyetur dhe pa miratimin e Kuvendit? Apo pa referendum – nëse e lejon kuadri „kushtetues“ që ka. A do të ishte e pranueshme mundësia e ndryshimit të kufijve në emër të „rregullimeve të vogla“?

Nuk është e panjohur se si janë përcaktuar historikisht apo përcaktohen kufijtë:

a) me luftë, dmth., njëra palë ushtarakisht, me forcë, arrin t‘i zgjerojë ndërsa tjetra palë i ngushton territoret që kishin respektivisht para luftës;

b) kufijtë trashëgohen nga një entitet tjetër por në linjë vijimësie, ose

c) kufijtë janë ato që trashëgohen nga kufijtë e brendshëm të pjesëve formuese të shteteve federale që shpërbëhen, etj.

Rasti i Kosoves është kombinimi i pikave (a) dhe (c) më lart. Kosova, si krahinë autonome në kuadër të RFSJ-së, ka pasur po këto kufi që ka edhe sot! Edhe shtetet e tjera që dolën nga ish RSFJ kanë trashëguar po ato kufij të brendshëm që kishin.
Kosova është shpallur shtet i pavarur, por nuk është ende i njohur ndërkombëtarisht, nuk është ende subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Kosova nuk është anëtare në asnjë organizatë ndërkombëtare të sistemit të OKB-së, ajo nuk ka nënshkruar asnjë konventë që është nën kujdestarinë apo për të cilën është depozituese OKB-ia apo Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në përputhje me Konventën e Vjenës mbi Ligjin e Traktateve, i cili në paragrafin 2 (1)(b) përcakton çfarë do të thotë „hyrje“!

A mundet, pra, Kosova të ketë të drejtën e plotë juridike, në kuadër dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare – të hyjë në negociata për „rregullime“ kufijsh të saj me një shtet tjetër që subjekt i së drejtës ndërkombëtare?
Nëse po, automatikisht del çcështja e barazisë, e reciprocitetit, sepse bëhet fjalë për bisedime midis dy palëve të pabarabarta, ku thelbi është – njëra palë nuk njeh tjetrën! Nuk ka asnjë siguri që nesër, kur supozohet se teorikisht do mund të ketë „rregullime kufijsh“, kjo palë do t’i njohë kufijtë e ndryshuar të Kosovës; por edhe sikur t‘i njihte, sepse do i interesonte rezultati, përsëri mund të mos e njohë politikisht palën tjetër!

Nëse ka „premtime“ se po u arrit të bihet dakord midis „palëve“ të bëhen „rregullime“, dmth., të lëvizin kufijtë, atëherë do të ketë „njohje“, është habi sesi nuk janë kërkuar të jepen „premtime“ të ngjashme për njohje para se të pranohej të hyheshe në bisedimet e deritanishme?! Mirëpo jemi mësuar të dëgjojmë rëndom – kështu na thanë aleatët tanë të mëdhenj!

E thënë troç, kjo do të thotë që kanë gjetur një palë të dobët, të molepsur, të korruptuar, të papërvojë, të pa mirëinformuar, të pa integritet dhe dinjitet dhe pa largpamësi e ndershmeri tek interesat VETëM të vendit. Dhe është luajtur dhe vazhdon të luhet teatër – kaq dinë, kaq kuptojnë, kaq mund të bëjnë, kaq meritojnë, kaq na duhen, boll e kanë edhe kaq sa u është dhënë!
Deri dje dëgjonim të thuhej nga „komuniteti ndërkombëtar“ – pavarësisht çfarë nënkuptojnë këto terma – se kufijtë e Kosovës janë të qartë dhe të palëvizshëm. Sot gradualisht shtohen zërat që dëgjojmë të thuhet se jemi dakord me atë që bien dakord palët. Kjo do të thotë që tani pranohen bisedime për këtë çështje në kundërshtim të hapur me atë çka është thënë deri tani, për çka është bërë lufta!

Çudi, Kosova ndryshon kufi – i ashtuquajturi demarkacion me Malin e Zi, Kosovës i ushtrohet trysni dhe ajo pranon Gjykatën Speciale, dmth pranon t‘i vihet shenja e barazimit … me luftë-nxitësin e gjithë turbullirave në Ballkan, dhe egzakt në kohën kur mbyllet rrufë Gjykata Speciale e OKB-së për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi. Mos vallë Kosova nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë? A nuk mundej që gjithë të dyshuarit për krime, pa asnjë përjashtim, të ishin dërguar fare lehtë tek ajo gjykatë!

Kosova u duhet si territor dhe pa turbullira të mëdha, të voglat janë të pritshme dhe menaxhueshme! Po kështu edhe Ballkani më gjerë. Lëvizje dhe ndryshime të mëdha pozicionesh, „harresë“, konturime të reja interesash, „lënie në baltë“ do thonin të vjetrit – të gjitha këto nuk janë gjëra të reja, që nuk kanë ndodhur gjetiu dhe asnjëherë. Përkundrazi! Sa keq nëse nuk llogariten mirë gjërat dhe futen të gjitha vezët në një shportë, sa keq kur nuk ke këllqe që të zgjedhësh në drejtim njerëz të ndershëm. Kam dëgjuar se ish Presidenti italian, Sandro Pertini, ka pasë thënë një shprehje brilante për shtetin: Për të ndërtuar një shtet civil, duhet pak ndershmëri.

Zef Mazi/ Ish-ambasador i Shqiperise ne OSBE dhe ish-asistent i posaçëm i Drejtorit te Agjencise Berthamore/ Javanews

d.ba.
Komento