POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

'Qyteti bëhet më i bukur kur vëmë dorë', Veliaj shtron me kalldrëm rrugën ku banon Lulzim Basha

Nga një rrugë e lënë në harresë dhe ku mbizotëronte balta dhe pluhuri, tashmë segmenti që lidh stadiumin “Qemal Stafa” me Fakultetin e Gjeologjisë është kthyer në një nga rrugët më të bukura të Tiranës, e cila shërben edhe si pedonale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera, ndërsa theksoi se falë vizionit dhe këmbënguljes, sot Tirana ka një nga rrugët më të bukura, e shtruar me kalldrëm dhe mermer. Ai falenderoi edhe qytetarët që bashkëpunuan dhe mundësuan që ky investim të bëhej sipas të gjitha standardeve.

Kjo është pa dyshim një nga rrugët më të bukura të Tiranës. Siç thoshte Faiku i madh, ‘Shqipërinë s’e kuptova ndonjëherë’, shumë herë kemi pasur momente të tilla kritike në këtë rrugë, ku përpjekja për të bërë trotuare haste rezistencën e dikujt që duhej të tërhiqte pak avllinë e vet, dhe nevoja për një korsi biçikletash haste rezistencë nga i forti i lagjes, i cili thotë: Range im meriton të ketë gjithë hapësirën e mundshme. Në fakt, në një qytet demokratik, ka hapësirë edhe për Range, edhe për biçikletat, edhe për të vënë tavolinat për kafe, por edhe për një trotuar ku nënat me fëmijë, të moshuarit apo paraplegjikët me karrocë, të kenë mundësi për akses.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Kjo është një rrugë e cila, jo shumë e gjatë në distancë, por sigurisht shumë e gjatë në luftën dhe betejën për të ndryshuar mentalitetin. Në këtë rrugë i kemi parë të gjitha, nga grupet “mos ma prek parkun, teatrin, rrugën, mos ma prek këtë apo atë”, sepse me sa duket për disa njerëz, të jetuarit në mizerie është stil jete, ndërkohë aspirata e qytetit është të dalim nga mizeria, të jetojmë më mirë dhe gjërat bëhen më mirë jo kur nuk i prek, por kur i prek; ndaj vumë dorë në këtë rrugë që besoj është një ndër rrugët më bukura të Tiranës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryebashkiaku theksoi se rruga e re krijon mundësinë që përmes sistemit të pistonave të mund të kthehet në një hapësirë vetëm për këmbësorët, që mund të shërbejë edhe si vend për panaire të ndryshme.

Për të gjithë ata që duan të shohin vizionin se si e planifikojmë Tiranën, një rrugë e tillë e cila mund të kthehet dhe të konvertohet edhe në hapësirë pedonale me piston për të pasur një panair ushqimor, një treg fshatar, gjatë fundjavave, pra për t’i pasur rrugët shumëpërdorimshe, jo vetëm si pista për të xhiruar gomat, por edhe si hapësira ku komuniteti mund të mblidhet dhe nga rrugë mund të rikthehet në piacë, në një piacë lineare, ku njerëzit kalojnë kohën e tyre të lirë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Ai nënvizoi se Rr. “Faik Konica” është e para e një pakete rrugësh që do të ndërtohen me kalldrëm, që do t’i kushtohen më shumë qytetarëve dhe më pak makinave.

Jam shumë i lumtur që ky projekt pilot i shtrimit të rrugëve me kalldrëm, ku për herë të parë kemi bordura mermeri, ku kemi investuar nga e para të gjitha rrjetet bashkëkohore, duke nisur nga fibrat optike dhe deri tek kanalizimet, besoj që e ka ngritur standardin e punëve publike në qytetin e Tiranës dhe nga përshtypjet që morëm nga banorët duket tamam si jashtë shteti.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Rruga “Faik Konica” ndodhet në Njësinë 2, në pjesën jugore të qytetit të Tiranës. Rruga është konceptuar si një zonë pedonale, me trafik të kufizuar, duke vendosur edhe pistona të levizshëm dhe me një sens kalimi. Është e pajisur me korsi të dedikuar për biçikleta, ndriçim, trotuare, si dhe me të gjithë rrjetin elektrik, telefonik dhe kanalizimet e nevojshme.

a.me./ma.nd.
Komento