Periferia kërkon një zë, qoftë 2019 viti i saj

Periferia kërkon një zë, qoftë 2019 viti i saj

Pamje nga Bathore, në periferi të Tiranës

Periferia e Tiranës është një realitet kubist, abstrakt. Sidomos tani në dimër, po të shkosh te Astiri, te Fresku, te Xhamlliku, në Bathore a Paskuqan, në Farkë a Sauk, në Selitë a Laprakë, në Institut, Kodër Kamëz, aty sheh sesi dëshirat e njerëzve për t'ju ngjitur kryeqytetit kanë qenë më të mëdha se edhe vetë ligji i gravitetit.

Shtëpi, pallate, ballkone, garazhe, lokale, parrukeri, sallone mode, loto, gomisteri, fruta-perime, bulmet, qëndrojnë ngjitur, sipër e poshtë njëri-tjetrit, anash dhe pezull. Shqiptarë nga jugu e veriu u gjendën në gjithë këto vite të mbivendosur, të shtypur, të rreshtuar në këtë periferi që rënkon.

Dëshira, urrjetje, ëndrra, janë të stivuara përreth kryeqytetit, e rrethojnë. Nga këto realitete kanë dalë disa nga djemtë e vajzat, studentë që protestojnë. Janë në kushte presioni në shtëpitë e tyre e po në këto kushte absurde, edhe në shkollë. Shpeshherë të shtypur nga sistemi, shpesh nga titullarët; padituria bën punën e saj dhe gjithë kjo situatë që vlon, kërcënon si një tenxhere me presion. Të shpërthejë.

Është e vështirë të gjendet kohë për reflektim e mendim të qartë kur jeton nën presion, prandaj, protesta e studentëve është paralajmërimi i sëmundjes së rëndë të periferisë sonë; është zëri i mpakur e i sëmurë i saj. Janë në fjalët e disa prej studentëve, të sinqerta e të vërteta, vuajtjet e një realiteti që nuk mund të qëndrojë për shumë kohë në këmbë, si të ishte dënuar të kalonte jetën në një cirk pa fund.

Rënkimi i periferisë nuk duron. Nuk mban, nuk dëshiron t'i ngjitet askush ta maskojë apo përfaqësojë. Është si një kala prej rëre që sa më shumë ujë deti e rërë t'i hedhësh përsipër, aq më shumë rrezikon.

Ky zë dëgjohet, dallohet, i dobët, por i qartë mes zhurmës së selfistëve protestagllabërues, politikanëve protestazhvatës, shoqërisëcivile porotestasajues. Mes gjithë kësaj kakofonie është ky zë, i brishtë, këmbëngulës, dëshmues i një mungese mirëqënieje në kohën kur Shqipëria vrapon.

Por ne nuk mund të vrapojmë pa periferinë, pavarësisht se disa kujtohen për të, vetëm për t'i marrë votat e projektet. Një pjesë e Shqipërisë, qendrat e saj, po shkëlqejnë, dalëngadalë kudo. Është koha të shpëtojmë periferinë tonë rënkuese, ta bëjmë sa nuk është vonë.

Do të doja që për këtë Vit të Ri 2019, zërin e periferisë të jenë sa më shumë ata që e dëgjojnë. Eshtë pjesë përbërëse e jona, nga ajo vijmë e tek ajo shkojmë. Qoftë 2019 vëmendja, zëri, fati i gjithë shqiptarëve që mbajnë pesha të rënda për shkak të ngjarjeve e kohëve që kaluam dhe kalojmë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet