Përkrahësit mbeten të përkushtuar ndaj Trump: Arsyet se përse e duam ende

Përkrahësit mbeten të përkushtuar ndaj Trump: Arsyet se përse e duam ende

Mbështetësit e Donald Trump

Shtëpia e Bardhë është tronditur nga skandale të njëpasnjëshme, dhe niveli i miratimit të Presidentit Donald Trump ka vazhduar të bjerë. Megjithatë, një grup mbështetësish vazhdon të jenë të përkushtuar dhe besnikë ndaj zotit Trump, duke besuar se axhenda e tij është për të mirën e tyre dhe të vendit.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, bisedoi me disa prej tyre. Që nga rrëfimet e një aktoreje filmash pornografikë.....deri tek pikëpyetjet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, si dhe librat që rrëfejnë detajet e kaosit në Shtëpinë e Bardhë. Administrata Trump është tronditur nga skandale të njëpasnjëshme. Megjithatë, ka njerëz të përkushtuar për të mbështetur Presidentin.

“Më pëlqejnë mesazhet e tij dhe ajo çfarë ka bërë për ekonominë; ka rikthyer vendet e punës”, thotë Patti Beavers, mbështetëse e Presidentit Trump. “Më pëlqen gjithçka që ka bërë. Po u qëndron premtimeve të fushatës”, thotë Kevin Gilbert, mbështetës i Presidentit.
"Më pëlqen që na mundëson të shprehim besimin tonë të krishterë dhe që na përkrah”, thotë mbështetësja Shawnery Patrick.

Sa më shumë që e sulmojnë kritikët, aq më shumë ngulmojnë mbështetësit e tij. Ekspertët ia atribuojnë këtë pjesërisht vetëmbrojtjes së grupit, në veçanti në kontekstin aktual amerikan ku ideologjia diktohet shpesh prej racës, besimit fetar, madje edhe gjinisë.

Politika bëhet shumë personale, kur identifikimi partiak personalizohet aq shumë me atë çfarë jemi, si p.sh. një femër afrikano-amerikane përkundër një mashkulli të bardhë, ose një i krishterë përkundër një laicisti. Kur dikush nga grupi juaj po sulmohet, atëherë aktivizohet ky mekanizëm i vetëmbrojtjes dhe dëshira për ta mbështetur njeriun tonë.

David Baker, pedagog i Universitetit Amerikan

Por, nuk është vetëm besnikëria ndaj grupit. Edhe politikat kanë rëndësi.

Zoti Trump realizoi pjesë thelbësore të legjislacionit republikan, gjëra që ata kanë dashur të arrijnë prej vitesh, si p.sh. ulje të taksave; madje edhe një pjesë e mirë e politikave të tij për emigracionin janë popullore mes radhëve të republikanëve.

Robert Griffin, i Fondit të Demokracisë për Studimin e Votuesve

Por, anketimet tregojnë rënie të mëtejshme të Presidentit Trump gjatë javëve të fundit. Sipas sondazhit më të fundit të kryer nga kanali ABCNews dhe gazeta The Washington Post, miratimi për Presidentin ka rënë në nivelin historikisht më të ulët prej 36%. Edhe në radhët e republikanëve, mbështetja për zotin Trump që dikur ishte në 90%, tashmë ka rënë nën nivelin 80%.

Anketuesit thonë se rënia e mëtejshme është nxitur kryesisht prej grave të arsimuara republikane që reagojnë ndaj sjelljes së Presidentit. Por, gra të tjera thonë se kjo është pjesë e atraksionit të tij.

“E di që thotë gjëra të papërshtatshme ndonjëherë, por ai thotë çfarë ndjen dhe ne për këtë kemi nevojë....Ai lufton për ne. Sinqerisht, ai lufton për mua. E besoj këtë me gjithë zemër”, shprehen dy mbështetëse të Presidentit, Misty Morrison dhe Tammie McDonald. Thonë se politika nuk është logjikë, por emocion. Dhe për sa kohë ka njerëz që ndjejnë se Presidenti lufton për ta, ai duket se do të vazhdojë të ketë mbështetjen e tyre./VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët