POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Përse IBP përsërit rekomandimin e KLSH për Këshillin Fiskal?

Kontrolli i Lartë i Shtetit

Një buxhet Shteti ka përparësi absolute për qytetarin. Nga aftësia që përgatitësit dhe zbatuesit e tij kanë për të përfshirë në të realizimin e interesave themelore të qytetarit varet shumë cilësia e jetës sonë si qytetarë. Partneriteti Ndërkombëtar për Buxhetin (në anglisht International Budget Partnership-IBP) mat pikërisht punën për ta bërë sa më të hapur dhe të kuptueshëm për qytetarin buxhetin e dalë nga taksat e tij.

Ky Partneritet është një organizatë jo-fitimprurëse me qendër në Uashington D.C., SHBA. Nga një strukturë në formim e sipër në fund të viteve 90-të të shekullit të kaluar, kjo organizatë sot përfaqëson një rrjet ndërkombëtar me filiale në 100 vende të botës dhe me qindra OJF partnere të saj. Këto institucione studimore partnere mbikqyrin dhe japin rekomandime për përmirësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe të transparencës në përgatitjen dhe realizimin e buxheteve të shteteve që monitorojnë(janë 100 të tilla).

Moto e organizatës është “Buxheti i hapur transformon jetët e njerëzve”. Produkti kryesor i Partneritetit është Indeksi i Vrojtimit të Buxhetit të Hapur (Open Budget Survey Index, http://internationalbudget.org/opening-budgets/open-budget-initiative/open-budget-survey/ ). Ky indeks bazohet mbi kritere të pranuara ndërkombëtarisht, të zhvilluara nga organizatat ndërkombëtare FMN, OECD dhe INTOSAI, kjo e fundit organizata botërore e institucioneve supreme të auditimit publik.  Treguesi pasqyron një proces vrojtimi të mbështetur mbi fakte dhe praktikën e përditshme të realizimit të buxhetit të një vendi. Indeksi përdor 109 tregues të ponderuar për të matur transparencën e Buxhetit të Shtetit.

Këta tregues vlerësojnë nëse qeveria i publikon tetë dokumente kryesore online dhe në forma të tjera gjithëpërfshirëse dhe të dobishme për qytetarin. Në indeksin “Vrojtimi i Buxhetit të Hapur Shqipëria 2017” (www.internationalbudget.org/wp-content/uploads/albania-open-budget-survey-2017-summary.pdf) , të botuar më datë 5 shtator 2018, edhe pse si vend kemi bërë hapa përpara nga vlerësimi i dy viteve më parë, ku merrnim vetëm 38 pikë, duke rritur informacionin buxhetor, duke botuar Raportin Vjetor të Buxhetit dhe Buxhetin e Qytetarëve në internet dhe duke publikuar Deklaratën Para-Buxhetore, nuk kemi arritur dy tregues të rëndësishëm. Së pari, të realizojmë një Rishikim të Buxhetit në mes të vitit ushtrimor.

Së dyti, të japim informacion të bollshëm dhe të detajuar në Raportin Vjetor të Buxhetit. Dobësia më e madhe në transparencën buxhetore për Shqipërinë cilësohet ajo që KLSH ka rekomanduar disa herë në raportin e tij për zbatimin e Buxhetit të konsoliduar të Shtetit në vitet 2014, 2015 dhe 2016, krijimi i një Këshilli të Pavarur Fiskal. Indeksi thekson se “Shqipëria nuk ka një institucion fiskal të pavarur. Këto institucione po njihen gjithnjë e më shumë si një burim i rëndësishëm i informacionit të pavarur dhe jopartiak. Ato marrin forma të ndryshme institucionale.

Shembuj të zakonshëm përfshijnë zyrat parlamentare për buxhetin dhe këshillat fiskalë”. IBP rekomandon ngritjen e një strukture të tillë. Ky vrojtim ndërkombëtar mbi transparencën e buxhetit tonë prej rreth 3.2 miliardë euro të ardhura dhe 3.36 miliardë euro shpenzime, përfshin edhe vlerësimin ndaj mbikqyrjes së Buxhetit. Një buxhet Shteti nuk mund të realizohet i përgjegjshëm për qytetarin, pa mbikqyrjen e duhur nga organizma të caktuara me Kushtetutë për ta kryer. Vrojtimi i IBP-së e vlerëson mbikqyrjen tonë parlamentare të mjaftueshme, me 67 pikë, ndërsa pikët maksimale i ka dhënë për mbikqyrjen që realizon auditimi i jashtëm publik i vendit(KLSH), me 72 pikë nga 100 të mundshme. Ndër arsyet për këtë vlerësim të lartë, ISB rendit faktin se, sipas Ligjit të vitit 2014, KLSH ka pavarësi të plotë në realizimin e auditimeve të tij. Vrojtimi rekomandon që vendi ynë të përgatisë dhe të publikojë një rishikim afatmesëm të Buxhetit, si dhe të japë të dhëna të hollësishme për gjendjen financiare të qeverisë dhe të rrisë informacionin mbi performancën dhe politikat në Propozimin e Buxhetit nga Qeveria.

Duhet të vendosim mekanizma pilot për publikun  dhe zyrtarët e Qeverisë, për të shkëmbyer pikëpamje, si për çështjet e buxhetit gjatë formulimit të tij, ashtu dhe gjatë monitorimit të zbatimit. Këto mekanizma duhet të mbështeten në risi qe po zbatohen gjerësisht në shumë vende të BE-së dhe më gjerë në botë, si buxhetimi me pjesëmarrje dhe auditimet shoqërore. Treguesi kërkon që të mbajmë seanca dëgjimore të Kuvendit për formulimin e buxhetit vjetor, gjatë të cilave të mund të dëshmojnë përfaqësues të publikut ose nga organizatat e shoqërisë civile. Vetëm duke i realizuar të gjitha këto, mund të formulojmë dhe zbatojmë një buxhet Shteti më pranë qytetarëve dhe interesave të tyre.

l.q.
Komento