POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Përse shqiptarët janë kaq të dhunshmëm? Sociologu Tushi: Na kanë dalë nervat në sipërfaqe e kemi arritur në sjellje kafshërore

Rastet e shumta të raportuara nga media, veçanërisht vitet e fundit, disa prej të cilave kanë marrë dhe jetë njerëzish, vërtetojnë gjithnjë e më shumë se shqiptarët janë gjaknxehtë e të dhunshëm. Shkaqet e një zënke në familje, apo mes të afërmish dhe miqsh, mund të jenë nga më të ndryshmet, që nga më të pabesueshmet e deri tek çështjet e nderit, larjet e hesapeve apo edhe trafiku i drogës. Po përse shoqëria shqiptare është kaq e dhunshme? Shumë sociolgë e psikologë mendojnë se ka të bëjë me natyrën gjaknxehtë e aspak racionale që karakterizon shqiptarët.

Treguesit e dhunës dhe konfliktualitetit janë shumë të larta. Kam përshtypjen që kjo mund të ketë arsyet e veta që mund të jenë kulturore, historike dhe psikologjike që janë të lidhura me natyrën e shqiptarëve dhe të përgjithësi të popujve të Ballkanit që e kanë të vështirë të vetëpërmbahen dhe të bëjnë veprime racionale siç duhet. Jemi një shoqëri që kemi shumë probleme, komunikime të vështira në familje, në jetën sociale, në komunitet, në ambjentet publike e kudo.

Gëzim Tushi, sociolog

Pak kush mund ta besojë por në Shqipëri mund të vritesh edhe për një këngë. Rasti ka ndodhur në Lezhë ku një 26-vjeçar është ekzekutuar me armë zjari vetëm se urdhëroi një këngëtare tallavaje të ndërpriste këngën që atij nuk i pëlqente. Kjo këngë ishte porositur nga një grup djemsh në një tavolinë tjetër të lokalit, çka shërbeu për lindjen e një konflikti, që solli më pas vrasjen. Duket se dominimi përmes dhunës ka nisur të bëhet pjesë dalluese e shoqërisë shqiptare, veçanërisht në vitet e tranzicionit, ku mungesa e institucioneve të forta solli ekstremet e lirisë së individit.

Largimi i frikës dhe paranojave nga regjimi komunist kanë bërë që shpesh njerëzit të mendojnë se të jesh i suksesshëm duhet të jesh i fortë. Dhe kjo ideja e njeriut të fortë që dominon të tjerët, që mposht tjetrin për të realizuar qëllimet e tij ka filluar të bëhet një limfë që rrjedh në të gjitha organizimet e jetës sociale, në komunikimet personale dhe komunitare. Kjo është ajo atmosfera e përgjithshme që gjeneron dhunë dhe krim. Këto gjeneratorë të së keqes, dhunës e krimit janë me kapacitet të plotë në shoqërinë e sotme dhe kjo lidhet edhe me një faktor tjetër të rëndësishëm, që ne nuk e kemi patur në traditën tonë historike e kulturore, përdorimin e mjeteve të komunikimit human.

Gëzim Tushi, sociolog

Po cila mund të jetë zgjidhja për ta zbutur paksa këtë atmosferë dhe mënyrën se si i zgjidhim konfliktet mes nesh?

Kemi konflikte dhe do të kemi konflikte të gjithëfarëllojshme, por nevoja e kulturës së dialogut të komunikimit, të vetëpërmbajtjes dhe instikteve që të shtyjnë të bësh veprime të dhunshme dhe arsyes e racionalitetit që të detyrojnë të vetëpërmbajtjesh, të solidaritetit, të racionalitetit dhe të dëgjojmë njëri tjetrin, sepse ne kemi filluar të mos dëgjojmë njëri tjetrin. E gjithë kjo bën që të prishet ekuilibri i domosdoshëm mes njeriut, sjelljes dhe humanizmit.

Gëzim Tushi, sociolog

Sociologu Gëzim Tushi

a.ko./b.ha.
Komento