Përvjetori/ 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, rruga e gjatë e një alfabeti

Përvjetori/ 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, rruga e gjatë e një alfabeti

Kongresi i Manastirit i zhvilluar ne 1908

Një gjuhë që s’shkruhetë e

s’këndohetë, nukë ziretë gjuhë

S. Frashëri

Përpjekje të gjata dhe të mundimshme, plot vuajtje dhe sakrifica ka qenë rruga përmes së cilës  u kristalizua alfabeti ynë.

Për të ardhur deri këtu, për më shumë se tre shekuj shqiptari diku qetësisht, diku i zemëruar dhe i egërsuar luftoi me shpirt për të pasur shkronjat e veta duke iu kundërvenë forcave pushtuese dhe arriviste.

Për kohën ishte “e modës” që çdo autor që botonte një libër, të hartonte një alfabet, prandaj shtypi i kohës  kritikonte ata botues që kujtonin se do të linin  një emër të pavdekur, nëse do të hartonin një palë shkronja të reja. Shkrimtari  Ernest Koliqi nuk e pëlqente  përdorimin e disa alfabeteve se “mbas secilit alfabet”,  theksonte ai, mshihej nji politikë, nji lakmi zotnimi, nji kreni krahinore, nji huj vetjak.”  

Dhe kështu pas disa shekujve do të vinte një ditë e lumtur në fushën e kulturës edhe për shqiptarët që të mblidhej një kongres për të zgjidhur problemin e alfabetit të përbashkët të shqipes.

110  vjet më parë, më 14 nëntor 1908, në një të shtunë të ftohtë do të mblidhej Kongresi i Manastirit, një tubim shumë i rëndësishëm për kulturën tonë, që do të zgjidhte  një herë e përgjithmonë çështjen e njësimit të alfabetit të shqipes.

Manastiri i largët për disa zona të Shqipërisë, një çerdhe e lëvizjes sonë patriotike, do të bëhej  për më shumë se një javë epiqendra e kulturës shqiptare. Nismën për të organizuar një kongres të tillë e mori klubi shqiptar “Bashkimi” i Manastirit, i krijuar në korrik të vitit 1908, me kryetar Fehim Zavalanin, një klub që luajti një rol  udhëheqës në lëvizjen tonë kombëtare për pavarësinë e vendit tonë. 

Një muaj më pas klubi “Bashkimi” jepte lajmin  se vendosi të bëhej një kongres në Manastir, me një të vjeshtës së tretë  që t’i jepte “mbarim kësaj të madheje nevojë për bashkimin  e të gjithë shqiptarëve në një abe.” Njoftimi  i bërë se do të mblidhej  një kongres për çështjen e  abesë ndezi zemrat e shqiptarëve kudo që ishin, i mbushi plot gëzim se po vinte ajo ditë shumë e mirëpritur për të gjithë shqiptarët që të kishin një  alfabet të vetëm. Sipas Justin Rrotës në muajin nëntor të vitit 1908 u ftua që të mblidhej në qytetin e Manastirit “Kongresi i parë i përgjithtë  i intiligjencës e i nacionalistave shqyptarë.”

Klubi shqiptar i Manastirit filloi menjëherë shpërndarjen e ftesave drejtuar klubeve në të gjitha trojet ku kishte shqiptarë. Jehona qe e madhe dhe kjo vërehet nga letrat e shumta që iu dërguan klubit të Manastirit dhe kryetarit të tij Fehim Zavalanit nga Shkupi, Janina, Shkodra, Elbasani, Vlora, Palermoja, Gjenova, Bostoni, Kembrixhi, Ohri, Berati, Starova etj. Në këtë letërkëmbim ata shfaqnin mendimet e tyre se cili do të ishte objektivi i këtij tubimi, që krahas zgjidhjes së alfabetit të përbashkët, kërkohej të trajtonte edhe probleme të tjera kulturore, si dhe të prekeshin edhe çështje politike.

Entuziazmi ishte shumë i madh nga shumica e shqiptarëve. Ai u mirëprit, ndonëse pati edhe dëshira të tjera që ai kongres të mos mbahej në Manastir, por në një nga qytetet e Shqipërisë, si në Elbasan, apo në Berat. Patrioti Luigj Gurakuqi, në një letër që i dërgonte nga Shkodra një miku të tij në Elbasan, një muaj  para se të mblidhej ky kongres, ndonëse edhe ai e pëlqente Elbasanin, por duke qenë se klubi “Bashkimi” i Manastirit në atë kohë ishte qendër e rëndësishme e lëvizjes kulturore shqiptare dhe kishte bërë të gjitha përgatitjet, këshillonte që të mos e kundërshtonin një ide të tillë.  

Një problem tjetër që e shqetësonte Luigj Gurakuqin, ishte ftesa që duhej t’i dërgohej Faik Konicës. Edhe për këtë L.Gurakuqi ndërhyn, duke i kërkuar klubit që ta thirrnin domosdo Faikun.

Konica  nuk e mirëpriti Kongresin e Manastirit dhe nuk mori pjesë, pasi për të nuk ishte koha për një mbledhje të tillë. Gjithashtu nuk ishte i kënaqur me ftesën që i kishin bërë, ndonëse aty ishte shënuar se “kombi ka nevojë  të madhe për njerëz të tillë si Z. Juaj për t’i dhënë fund kësaj çështjeje kaq të vyer.” Ai jo vetëm që nuk mori pjesë, por edhe e kritikoi rëndë këtë tubim.

Konica vite më parë kishte paraqitur një projekt për organizimin e një kongresi për njësimin e alfabetit të shqipes. Te Faik Konica duhet vlerësua puna frytdhënëse  për çështjen e zgjidhjes së alfabetit të përbashkët të shqipes, për përhapjen e tij, si dhe te alfabeti i “Albanisë” mund të gjejmë burimet e para të alfabetit të shqipes me bazë latine.

Klubi i Manastirit u mor edhe me hartimin e programit të punimeve të Kongresit. Atmosfera para fillimit të Kongresit të Manastirit ishte elektrizuese. Ndonëse ishte gjysma e nëntorit dhe bënte shumë të ftohtë, kur u deshën vetëm tri ditë që ky qytet të mbulohej me dëborë, patriotët shqiptarë, delegatë, të ftuar dhe shumë shqiptarë të tjerë të ardhur nga të gjithë trojet shqiptare nuk u penguan nga koha, por në mes të një entuziazmi brohoritnin nëpër qytet. Manastiri gumuzhinte nga zërat, këngët patriotike shqiptare, nga flamurët që valaviteshin nëpër duart e tyre dhe në ndërtesat e qytetit, nga kostumet kombëtare që pasqyronin krahina të ndryshme, nga vallet dhe këngët popullore etj. Një pamje madhështore. Një festë e vërtetë.Të gjithë pjesëmarrësit ishin të vendosur në hotelet më të mira të shqiptarëve, si te Konstandinopoli, Selaniku, Roma etj. Por kryesor ishte hotel “Liria” i vëllezërve Themistokli dhe Telemak Gërmenji, si dhe shtëpia e madhe e vëllezërve Qiriazi, ku aty bëheshin edhe mbledhjet e fshehta të shqiptarëve.  Kongresi i zhvilloi punimet  nga data 14 nëntor-22 nëntor 1908.

Morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 23 qytete, shoqëri dhe klube, kolonitë e shqiptarëve, si dhe shtypi i disa organeve. 18 delegatë nuk kishin të drejtë vote. Përfaqësoheshin katër vilajete: Shkodra, Kosova, Manastiri dhe Janina. Të bie në sy se disa qytete kishin më shumë delegatë se të tjerët, si Shkodra dhe Korça.

Kongresin e hapi kryetari i klubit “Bashkimi” të Mastirit patrioti Fehim Zavalani, pastaj u kalua në zgjedhjet e organeve drejtuese të Kongresit, ku kryetar u zgjodh Mithat Frashëri dhe nënkryetarë: Gjergj Qiriazi dhe Luigj Gurakuqi. Duke qenë se fillimisht mungoi Mithat Frashëri Kongresin e drejtoi Gjergj Qiriazi. Ardhjen e Mithat Frashërit e përshëndeti sekretari i Kongresit Hilë Mosi, delegat i Shkodrës, i cili lavdëroi edhe Frashërin që ka nxjerrë njerëz të tillë të vlefshëm. Mithat Frashëri iu përgjigj, duke i rrëfyer shërbimet që i ka bërë Shkodra gjuhës shqipe dhe vleftën që kanë shkodranët në një kohë kur gjuha jonë ishte e ndaluar dhe kërkund gjetkë s’këndohesh shqip, në Shkodër shqipja punohesh dhe përdoresh prej një shumice të madhe.

Në dy ditët e para u mbajtën ligjërata dhe u bënë diskutime sipas parashikimeve të organizatorëve. Në mes problemeve të tjera u diskutua se ku duhet të mbështetej alfabeti i shqipes. Nga të gjithë pjesëmarrësit u pranua se alfabeti i shqipes  duhej të mbështetej  në alfabetin latin, pasi, përveç faktorëve të tjerë, ai kishte pasur vazhdimësi, pothuajse pa ndërprerje që prej fillimit të shkrimit shqip e deri në Kongresin e Manastirit. U diskutua për vlerat e tri alfabeteve që kishin fituar të drejtën e qytetarisë: i Stambollit, i Bashkimit dhe i Agimit.

Por Luigj Gurakuqi nuk pëlqeu asnjë nga diskutimet dhe shfaqi mendimin se duhej të hartohej një alfabet i ri që të mos i thyhej zemra askujt. Një problem që solli interesimin e delegatëve, ishte caktimi i parimeve  dhe zgjedhja e shkronjave dhe për këtë u shfaqën shumë mendime, duke hyrë edhe në grafema të veçanta.

Në ditën e tretë u zgjodh një komision prej 11 vetësh. Me vota të fshehta kryetar u zgjodh Gjergj Fishta, nënkryetar Mithat Frashëri dhe sekretar Luigj Gurakuqi, si dhe tetë anëtarë.

Fishta u zgjodh kryetar, ndonëse nuk ishte gjuhëtar, pasi kishte fituar emër si poet në të gjitha trojet shqiptare, pasi njihej  përmes poezive të botuara  në revistën “Albania”, si dhe të botimit “Te Ura e Rzhanicës” ( 1905), që pati jehonë si brenda , ashtu edhe jashtë vendit dhe të vëllimit me satira “Ansat e Parnasit”(1907). Fishta në atë kohë ishte 37 vjeç. Shquhej për erudicionin e thellë, kulturën e gjerë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë. Kështu zgjedhja e Fishtës si kryetar, pothuajse njëzëri tregonte për simpatinë që pati te pjesëmarrësit, ndonëse përfaqësonte shoqërinë “Bashkimi” të Shkodrës, e cila edhe ajo kishte hartuar një alfabet që kishte pasur jehonë. Ndikimi i Gj.Fishtës  në komision vërehet se i dha zgjidhje, ndonëse jo të plotë dhe ideale çështjes së njësimit  të alfabetit, pasi miratoi dy alfabete, por koha vërtetoi se vendimi ishte i drejtë dhe kishte rëndësi për momentin plolitik, pasi nuk lejonte  më të përdoreshin sisteme të tjera shkrimore, përveç dy alfabeteve që miratoi Kongresi i Manastirit.

Sipas S.Skëndit delegati që kontribuoi më shumë për krijimin  e atmosferës së vëllazërimit dhe të mirëkuptimit ishte patër Gjergj Fishta, i cili e vlerësoi  punën e alfabetit të “Bashkimit”, por e mbyll me këto fjalë: “Unë nuk kam ardhur këtu që të mbroj ndonjërin prej alfabeteve, por erdha që të pranojmë alfabetin  që do të vendosë Kongresi si më të dobishëm për ngritjen e popullit”, fjalë e cila  u mirëprit nga të pranishmit.

Komisioni e filloi punën me dyer të mbyllura, më 17 nëntor 1908 për tri ditë rresht. Nuk u mbështet në asnjë nga alfabetet ekzistuese, por u nis të hartojë një alfabet të ri, mbështetur në atë latin. Lindën dy probleme: i pari shkronjat e alfabetit latin çfarë vlere fonetike do të kishin për shqipen  dhe e dyta, si do të plotësoheshin 11 shkronjat që i mungonin këtij alfabeti. Të tri alfabetet kishin të përbashkëta 19 grafema. Diskutimi është zhvilluar në komision për 9 grafema e konkretisht për dh, ë, gj, ll, nj, sh, th, xh, zh. Këto grafema me përjashtim të ë-së ishin krijuar me bashkimin e dy shkronjave, sistem që së fundi i kishte edhe alfabeti i shoqërisë “Bashkimi”.

Në ditën e shtatë të Kongresit, më 20 nëntor 2008 u shpall vendimi i komisionit që pranonte alfabetin e Stambollit, me pesë ndryshime dhe bashkë me të edhe një abece thjesht latine. Të dy variantet do të përdoreshin bashkërisht. Ndonëse kjo zgjidhje ishte jo e plotë, pasi miratoi dy alfabete, megjithatë ajo u pranua dhe u quajt një ngjarje solemne, një fitore e madhe  që arriti t’i bashkojë  shqptarët dhe t’i japë një shtysë zhvillimit të gjuhës dhe shkollës shqipe.

“Dom Ndre Mjeda, shkruan ‘Lirija’ e Selanikut, me urtësi të madhe foli dhe tregoi  se shqiptarët qenkan të zotët që edhe të bashkohen dhe të punojnë së bashku sikundër q’i rrëfen kjo mbledhje e Manastirit.” Më pas pati edhe diskutime: Pse u miratuan dy alfabete  dhe i kujt është  alfabeti i shqipes me bazë latine. Disa e pëlqyen një zgjidhje të tillë, disa jo, por vetë kushtet politike, kulturore dhe arsimore të vendit tonë bënë që populli shqiptar të zgjedhë alfabetin që kemi sot, i cili përmblidhte cilësitë më të mira të alfabeteve që kishin fituar një epërsi në shkrimet e shqipes, praktik, i thjeshtë dhe i lehtë si në të shkruar, ashtu edhe në shtyp. Me këtë alfabet mund të shtypej brenda dhe jashtë Shqipërisë mjafton që ajo shtypshkronjë të kishte karakteret latine. Shumë shpejt ai mënjanoi  nga përdorimi alfabetin e Stambollit dhe u bë mbizotërues në shqipen.

Të zgjedhurit e alfabetit latin, sipas studiuesve të historisë së alfabetit të shqipes, do të thoshte të hiqej dorë nga orienti, duke u kthyer nga perëndimi.

Anëtarëve të komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes, shkruan Karl Gurakuqi “Lipset t’u ngrihet një përmendore  për t’i ba të pavdekshëm.”

Kongresi i Manastirit vazhdoi punimet edhe për dy ditë të tjera, me leximin e disa ligjeratave nga Nikollë Kaçorri  dhe Gligor Cilka etj. Gjithashtu vendosi që mbas dy vjetësh, më 10 korrik  1910 të mblidhej  një kongres tjetër kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe. Me rëndësi është një program prej 18 pikash, që do ta paraqiste në parlamentin turk në emër të shqiptarëve deputeti Shahin Kolonja, ku vendin kryesor e zinin kërkesat politike, si njohja zyrtare e kombësisë shqiptare dhe e gjuhës shqipe, emërimi i nëpunësve shqiptarë etj. Në program  ishin shënuar edhe kërkesa  të fushës së kulturës, si dhe kërkesa ekonomike. Ky program është konsideruar si një ndër dokumentet  e rëndësishme të Kongresit të Manastirit, pasi aty janë pasqyruar aspiratat e shqiptarëve për autonominë e Shqipërisë. Kjo tregon se Kongresi i Manastirit nuk u përqendrua vetën më problemin e zgjidhjes së alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, por u mor edhe me çështje politike.

Kongresi i Manastirit përfundoi me sukses. Ai ishte një faqe e ndritur e kulturës shqiptare, një hap i rëndësishëm drejt pavarësisë së popullit shqiptar që do të realizohej katër vjet më vonë. Pas Lidhjes shqiptare të Prizrenit, ky ishte kuvendi që mblodhi përfaqësues nga të gjithë krahinat e vendit tonë, si dhe të ngulimeve shqiptare, vendimet e të cilit patën rëndësi të veçantë politike, kulturore dhe arsimore. Ai i tregonte opinionit vendës dhe atij europian se shqiptarët ishin në gjendje të zgjidhnin vetë çështjet e kulturës, pa ndihmën e të tjerëve. U krijua një atmosferë optimiste te atdhetarët dhe populli shqiptar për të përhapur gjuhën, shkrimin dhe arsimin kombëtar.

Rëndësi për kohën kishte përhapja e tij, por menjëherë ndeshën  në pengesat dhe raprezaljet e turqve të rinj, të cilët nuk donin që për shqipej të hartohej një alfabet me bazë latine. Por populli shqiptar, me manifestime të fuqishme, doli në mbrojtje të alfabetit të miratuar nga Kongresi i Manastirit. Por ishte vonë për pushtuesit, pasi flaka e ndezur nuk mund të shuhej. Dhe alfabeti ynë mori udhë dhe u konsolidua, duke mbetur alfabeti i vetëm i shqipes, të cilin e kremtojmë sot pas 110  vjetëve.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Aksident pranë Rinasit, trajleri përplaset me një makinë! 1 i plagosur

Tiranë/ Aksident pranë Rinasit, trajleri përplaset me një makinë! 1 i plagosur