Peter Pacult nuk është më trajner i Kukësit, Cungu kandidati kryesor

Peter Pacult nuk është më trajner i Kukësit, Cungu kandidati kryesor

Peter Pacult

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici nuk pret, sidomos kur është fjala për trajnerin e skuadrës që financon. Ai nuk e ka kapërdirë dot barazimin pa gola në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ndaj maltezëve të Valleta, në “Loro Boriçi”, edhe pse çështja e kualifikimit mbetet plotësisht e hapur për në kthim.

Presidenti i nënkampionëve të vendit ka shpërthyer me tone të ashpra ndaj trajnerit austriak, Peter Pacult, të cilin e rikonfirmoi me lavde të shumta më herët, në fillim të kësaj vere.

Thyerja e madhe mes trajnerit dhe presidentit nga një komunikim i tillë, që nuk është pranuar kurrsesi nga tekniku i huaj, që vjen nga Vjena e jo nga Afrika, ka bërë që palët të divorcohen, edhe pse austriaku duket i vendosur për t’i shkuar zbatimit financiar të kontratës deri në fund.

Nga ana tjetër, klubi verilindor ka vendosur ta largojë njeriun e stolit të vet, pa marrë parasysh pasojat që rrjedhin më tej, sidomos në aspektin financiar.

Përmes një diplomacie të dobët, vetëakuzuese, në njoftimin për shtyp të Kukësit, ku flitet për mosrinovim të kontratës, kur kjo gjë kishte ndodhur më parë për sezonin e ri futbollistik, kur mbetet të luhet edhe kthimi me Valleta, është bërë me dije se stoli i nënkampionëve të vendit mbetet bosh, në kërkim të dikujt tjetër:

“FK Kukësi ka vendosur që të mos rinovojë kontratën me trajnerin, Peter Pacult. Dy palët nuk kanë rënë dakort për pretendimet financiare, kështu që klubi i Kukësit e falënderon për punën e bërë dhe i uron suksese trajnerit Pakult në karrieren e tij të mëtejshme.

Klubi dhe ekipi vijojnë me intensitet punën dhe stërvitjen për të kaluar në turin tjetër të Champions-it dhe nesër do të kemi në drejtim një trajner tjetër, që merr përsipër objektivat e klubit dhe ka përvojën dhe profesionalizmin e duhur për ta drejtuar FK Kukësin”.

Emri më i përfolur për të pasuar trajnerin austriak në stolin e Kukësit është ai i shkodranit Armando Cungu. Bëhet fjalë për një rikthim të tij në këtë pozicion, sepse i ka drejtuar edhe më parë verilindorët suksesshëm, duke kaluar deri në turin e katërt eliminator të Ligës së Europës, në vitin 2013.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

VIDEO: Eurodeputeti nxjerr nga çanta pëllumbin dhe e lëshon në sallën e Parlamentit Europian

VIDEO: Eurodeputeti nxjerr nga çanta pëllumbin dhe e lëshon në sallën e Parlamentit Europian