Plani i Trumpit për të ndëshkuar ekonominë e SHBA

Plani i Trumpit për të ndëshkuar ekonominë e SHBA

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump

Duke kërcënuar me një luftë tregtare me Kinën, presidenti duket se s’e ka idenë se çfarë rrezikohet

Agjencia ekonomike BLOOMBERG/New York

Gjëja kryesore që duhet kuptuar në lidhje me tarifat e reja doganore, të propozuara nga presidenti Donald Trump ndaj Kinës, është se ato janë, në radhë të parë, një taksë mbi prodhuesit dhe konsumatorët e SHBA. Të ardhurat që do të merren prej këtej nuk do të vijnë nga Kina, por nga xhepat e amerikanëve, që do të duhet të paguajnë më shumë për mallrat kineze. Vendosja e një takse të tillë kërkon një justifikim të fortë, ose të paktën një arsyetim logjik. Administrata Trump nuk ofron asnjë prej tyre. Është e vërtetë se SHBA-ja ka probleme në legjislacionin tregtar në lidhjet me Kinën, por ka mënyra shumë më të mira për zgjidhjen e tyre.

Shtëpia e Bardhë thotë se do të vendosë tarifa për 50 miliardë dollarë (ose ndoshta 60 miliardë dollarë) të importeve vjetore të Kinës në SHBA. Jo menjëherë, sidoqoftë: detajet do të duken pas 15 ditësh dhe do të kalojnë edhe 30 ditë përpara se tarifat të sjellin pasoja. Në të njëjtën kohë, Thesarit i janë dhënë 60 ditë për të dalë me kufizime të reja ndaj investimeve nga firmat kineze në SHBA.

Ndoshta Trumpi shpreson se këto kërcënime do ta detyrojnë Kinën të bëjë lëshime tregtare dhe atij nuk do t’i duhet t’i zbatojë me të vërtetë këto tarifa. Puna mund të shkojë edhe në këtë mënyrë: Kryeministri Li Keqiang tha këtë javë se Kina do të hapë më tej ekonominë e saj, do të bëjë më shumë për të mbrojtur pronën intelektuale dhe t'i kufizojë përpjekjet e saj për të gjetur investititorë të huaj për të transferuar teknologjinë. Nëse Kina ndjek këtë rrugë, kjo mund të jetë e mjaftueshme që Trumpi të deklaronte fitoren dhe të ecte përpara drejt aventurës së tij të ardhshme. 

Por rreziku është se Trumpi ka besim tek retorika e tij bombastike për fitore në një luftë tregtare, nisur nga bindja se nuk është më koha për bisedime, se premtimet e Kinës janë pa vlerë dhe se administrata duhet të vazhdojë të  rrisë taksat mbi prodhuesit dhe konsumatorët amerikanë derisa deficiti tregtar me Kinën të jetë eliminuar. Ky do të ishte një plan i marrë, nga ato që shkatërrojnë rritjen ekonomike, edhe nëse Kina nuk do të hakmerrej fare. Por, nëse Kina do rriste, edhe ajo, tarifat e veta ndaj eksporteve të SHBA, ndikimi në rritjen ekonomike të të dy vendeve do të ishte më i keq akoma. 

Edhe nëse nuk shkohet deri këtu, kostoja tjetër e rëndë e qasjes së Trumpit është kërcënimi që ai po i bën sistemit të tregtisë së liberalizuar, të bazuar në rregulla, projektuar dhe ndërtuar gjatë dekadave nga askush tjetër, përveç vetë SHBA-së.

Presidenti mund të gënjejë veten se ai mund ta ndryshojë qendrimin e Kinës thjesht nga qendrimi i ashpër i tij. Por një plan shumë më i mirë do të ishte tërheqja e një Kine gjithnjë e më të fuqishme në këtë sistem, me përfitim reciprok. Kjo është një përpjekje shumëpalëshe, që përfshin Bashkimin Evropian dhe Japoninë, por që bëhet më e vështirë nga vendimi i njëanshëm (apo thyerja e rregullave) që propozon administrata Trump. Sa e zgjuar është, në fakt, t'i thuash Kinës: "Bëj siç thotë më i forti"? 
Përsa i përket transferimit të pronësisë intelektuale dhe teknologjisë, Kina pranohet gjerësisht tani se ka vendosur vetë disa rregulla të saj. Kjo gjë duhet të rregullohet dhe sistemi ekzistues ofron mënyra për ta bërë një gjë të tillë. Çuditërisht, administrata Trump e pranon këtë mundësi dhe ajo vetë njoftoi këtë javë se Shtetet e Bashkuara do të nisin një ankesë të re në Organizatën Botërore të Tregtisë mbi rregullat e Kinës për teknologjinë e licensimit, madje është mbështetur në ekspertizën e CFIUS, komitetit për investimet e huaja, për të bllokuar marrëveshjet mbi baza të sigurisë kombëtare.

Megjithatë, fillimi i një lufte tregtare është krejtësisht diçka tjetër. Ky është një plan, që do të sillte viktima të shumta tek të dyja palët. Askush nuk thotë se Trumpit i mungon autoriteti për të zhvilluar një luftë të tillë. Por ai dhe publiku amerikan duhet të jenë të vetëdijshëm për atë që rrezikojnë.

Opinioni i publikuar në prestigjozen ekonomike Bloomberg

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Anton: 26/03/2018 14:56

    Zionist news

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë