POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Pllaka e Varrit/ Princesha Mara, motra e Gjergj Kastriotit, në një ishull të Liqenit të Shkodrës

Pamje nga kisha e Manastirit në Kom

Nga: Valter Shtylla

Gjatë fundit të shekullit të XIV dhe gjatë pjesës më të madhe të shekullit të XV, Kastriotët qenë ndër familjet më të fuqishme shqiptare në kohën e Gjonit dhe veçanërisht në periudhën 1443-1468 kur i biri Gjergj Kastrioti - Skënderbeu bëri epokë në historinë e vendit të shqiptarëve. Kastriotët shtriheshin në trojet kryesore të Shqipërisë së veriut dhe asaj të mesme. Kalatë e njohura të Krujës, Petrelës, Petralbës, Stelushit në Mat dhe Sfetigradit në Dibër, u bënë qendra të qëndresës shqiptare ndaj sulltanëve të Perandorisë Otomane.

Familja e Gjon Kastriotit ishte një familje e madhe e përbërë nga shumë fëmijë. Gjoni dhe gruaja Vojsava nga Tribalda e Pollogut kishin plot 9 fëmijë, katër djem dhe pesë vajza. Djemtë qenë Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji. Tre më të vegjlit u morën peng nga turqit kurse i madhi, Reposhi, përfundoi murg në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë në Greqi. Lidhjet dhe krushqitë që familja Kastrioti bëri me familje të njohura të kohës, përbëjnë një histori më vehte për këtë familje të njohur të mesjetës shqiptare.

Vajza e madhe Mara (në disa burime njihet si Maria) u martua me sundimtarin e Malit të Zi, Stefan Crnojeviçin, e dyta ishte Jella, e treta Angjelina u martua me zot Vladan Arianit Komnenin, e katërta Vllajka u martua me zot Balshën dhe e pesta Mamica u martua me zot Muzak Topinë. Në këtë mënyrë, Mara, motra e madhe e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, duke u martuar me Stefan Crnojeviçin realizoi krushqinë ndërmjet familjes së madhe shqiptare të Kastriotëve dhe familjes së Crnojeviçëve, e cila gjatë shekullit të XV sundonte në Malin e Zi fqinj.

Qendra e Crnojeviçëve ka qënë qyteti mesjetar i Zhabjakut në Kënetën e Madhe në veri-perëndim të Liqenit të Shkodrës, pranë derdhjes së lumit Moraça në liqen. Sot ky fortifikim njihet me emrin "Zhabjaku i Crnojeviçëve". Ky qytet i krijuar në shekullin XI nga familja e Vojisllavljeviçëve mori emër në histori gjatë shekullit të XV me Crnojeviçët. I pari prej tyre përmendet Aleks Crnojeviçi, ndërmjet viteve 1403-1435. Punime të thella fortifikuese në këtë qendër kreu Stefan Crnojeviçi, burri i Marës dhe kunati i Skënderbeut. Pas Stefanit në Zhabljok qëndroi i biri Ivan Gujeviçi, i cili e mbajti këtë qytet mesjetar, gjatë viteve 1466-1478, kur Zhabljaku u pushtua nga turqit.

Familja e Crnojeviçëve duke ndjekur traditën e familjes së njohur të Balshajve, ndërtoi një kishë manastir të tipit mauzoleu për varrimin e pjesëtarëve të familjes. Këtë manastir vepër shpirtërore e Gjergj dhe Aleks Crnojeviçit, ata e ndërtuan në ishullin e Komit në liqenin e Shkodrës, poshtë Zhabljakut fare pranë tij. Ishulli i pabanuar i Komit, ndodhet karshi fshatit Vranjina, në magjistralen rrugore që sot lidh qytetet Tuz dhe Ulqin. Ndërtesa kryesore e këtij kompleksi fetar është Kisha Fjetja e Shën Mërisë, e cila duhet të jetë ndërtuar ndërmjet viteve 1415-1427. Për një kohë të shkurtër në Kom ka qënë qendra e Mitropolisë së Zetës. Më tej manastiri e humbet rëndësinë dhe në vitin 1485, kur Ivan Crnojeviçi ngriti Manastirin e Cetinës, në shënimet e tij thuhet se për plo tësimin e mjediseve të manastirit të ri u përdorën mjaft objekte nga Komi Në fundin e shekullit të XVI, Kisha e Fjetjes së Shën Mërisë në Kom u pikturua me afreska, duke u bërë një qendër e rëndësishme shpirtërore, e cila në shekujt e mëvonshëm XVII e XVIII e humbi rëndësinë e saj Kisha e Manastirit është një ndërtim i vogël me përmasa 4,5 x 7 m, e cila në mesin e shekullit të XV u plotësua me dy kapela anësore paraklise. Në gjendjen e sotme kisha përbëhet nga Naosi me dy paraklise anësore në veri-lindje e juglindje dhe nga hajati në tre anë jug, perëndim e veri. Muri perëndimor i kishës nga jashtë është i pikturuar.

Pikërisht në këtë kishë ndodhen pllakat e varreve të familjes së Crnojeviçëve. Sa hyn në kishë, në qoshen djathtas, janë dy pllakat e bijve të Stefanit Aleksej dhe Gjergj. Mbishkrim ka vetëm pllaka e Aleksejt (Ljesha) që është dhe lititori i kishës, e cila ndodhet në qoshe pranë murit. Në të majtë të hyrjes në kishë janë pllakat e varreve të prindërve të tyre Stefan dhe Mara.

I biri Ivani, sundimtari i Malit të Zi pas vdekjes së babait, Stefanit, më 1464, ka zgjedhur mjeshtrit më të mirë nga bregdeti për gdhendjen e pllakës së varrit të nënës së tij Mara me ornamentikë gotike. Pllaka e Marës me përmasa 60 x 180 cm, më një bordurë anësore të gdhendur ka në qëndër tre lule në formë rozete, ndërsa pllaka e Stefanit është trajtuar me motive floreale më të dëndura. Kjo e fundit,nuk ka mbishkrim dhe ka përmasa më të mëdha, 74 x 194 cm. Tek pllaka e Marës, nga kreu pranë derës, lexohen disa monograme për përkatësinë e saj. Me sa kemi mundur të deshifrojmë këto monograme, duke shpresuar për një saktësim të leximit të tyre në të ardhmen, mendojmë se tek pllaka e Marës lexohet "Eshtë pllaka e zonjës Mara princesha e Crna Gora motra e Giogio Seanderbeg".

Shkrimi është realizuar në gjuhën sllave. Katër pllakat e varreve të familjes Crnojeviç ruhen në gjendje të mirë në brendësinë e Kishës së Manastirit të Komit. Gjatë vitit 1986 në Manastirin e Komit janë kryer punime studim-gjurmimi dhe restaurimi. Në ambientet e kishës dhe të krahëve të Manastirit, duke iu referuar gjurmëve të ruajtura, u kryen plotësimet e ambienteve që ishin rrënuar gjatë kohës. Gjatë sondazheve arkeologjike rezultoi se vetëm nën pllakën e Ljeshës, lititori i kishës, ruhej skeleti pa asnjë inventar tjetër, ndërsa nën pllakat e tjera nuk ruhej asnjë skelet, gjë që vërteton supozimin e hershëm se varret e tyre ndodheshin në parakliset ose në hajatin e kishës, siç dëshmohet edhe nga gjetjet e një varri të një prifti në anën jugperëndimore të hajatit.

Djali i Stefanit dhe i Marës, Ivani, sundoi në Mal të Zi dhe gjatë viteve 1465-1490. Ivani qe martuar me Vojsavën (Nora), vajza e sundimtarit të njohur shqiptar të asaj kohe, Gjergj Arianit Komnen Topia, zot i Mokrës dhe Shpatit deri në lumin Devoll. Vajza e parë e Gjergj Arianitit - Andronika - Donika ishte gruaja e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Ivani dhe Vojsava patën dy djem - Gjergjin dhe Skënderbe Crnojeviçin ose Skënderbeu II, siç thotë Gjon Muzaka në Memorjen e tij të vitit 1510, daja i Donika Kastriotit. I fundmi i Crnojeviçëve - Skënderbe Crnojeviçi u konvertua në mysliman dhe sundonte vendin e tij që ja njohu Sulltani pasi ai ndërroi fenë. Në vitin 1523 ai njihet si "Zot i Sanxhakut të Malit të Zi dhe i krejt tokës së Dioklitëse". 

Manastiri i Komit sot ka statusin e Monumentit të Kulturës dhe mirëmbahet si i tillë nga ana e Institutit Republikan të Monumenteve të Kulturës të Cetinjës, dikur i drejtuar me kompetencë nga Drejtori i tij, arkeologu dhe studjuesi i njohur Çedomir Markoviç. Fakti i rëndësishëm historik i evidentimit të varrit të Mara Kastriotit në Kom të Malit të Zi, dëshmon për lidhjet e hershme historike ndërmjet dy vendeve tona fqinje, çka përbën një taban të qëndrueshëm dhe për zhvillimin e marrëdhënieve aktuale të cilat kohët e fundit kanë njohur përparime të ndjeshme. Sundimtari i Malit të Zi Crnejoviçi duke iu përgjigjur ftesës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut ka marrë pjesë me 2 mars 1444 në Kuvendin Historik të Lezhës, domethënie e marrëdhënieve të mira ndërmjet Kastriotëve dhe Crnejoviçëve gjatë shekullit të XV.

a.me.
Komento