POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Po pse pas 4 muajsh prokuroria ende nuk e ka marrë në pyetje Izet Haxhinë?

Izet Haxhia para gjykatës së Tiranës

Pas afro katër muajsh nga kthimi i tij në Shqipëri, Izet Haxhia, përmes së dashurës së tij, bën të ditur se dëshiron ''të tërhiqet'' për të mbrojtur jetën e gruas që dashuron, e cila, siç shkruan, duhet të jetë kërcënuar me vdekje. Izet Haxhia, i cili kishte gjetur strehim në Turqi, për vite të tëra ka akuzuar Sali Berishën, por edhe shumë miq dhe ish-miq të tij, për krimet më të tmerrshme, duke premtuar shumë herë se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Prokurorinë shqiptare. Më pas, në muajin maj, erdhi lajmi i papritur i vetëdorëzimit të tij në një burg turk, me synimin për t’u ekstraduar me ne fund në Shqipëri, ku ishte dënuar në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit.

Kthimi me dëshirë i Izet Haxhisë në Shqipëri u interpretua nga shumë analistë si pragu i një furtune politike, për shkak të akuzave - të cilat Izeti është shprehur gjithnjë se ishte i gatshëm t’i deklaronte para një prokurori - ndaj ish-presidentit, truproja e të cilit ishte në vitet e tmerrshme nga 1993 deri më 1998. I konsideruar si një super-dëshmitar, Izet Haxhia me të vërtetë mund të jetë në dijeni të shumë sekreteve të viteve të para pas rënies së regjimit komunist. Por, përveçse kërkoi dhe siguroi rishikimin e procesit të tij për vrasjen e Azem Hajdarit, deri tani Izet Haxhia nuk ka thënë gjë tjetër. Dhe, më e çuditshmja është se asnjë, duke filluar nga Prokuroria, nuk është përpjekur ta marrë në pyetje. Katër muaj, gjatë të cilëve asnjë prokuror nuk ka patur kuriozitetin të verifikojë nëse, të paktën, ndonjë nga akuzat, e shumta dhe shumë të rënda, të bëra nga Izet Haxhia, deri atëherë vetëm nëpërmjet Facebook-ut, do të mund të paraqitej apo jo edhe në një sallë gjyqi.

Tani vjen edhe njoftimi, po aq i papritur, nga ana e së dashurës së tij, i ''tërheqjes'' së Izet Haxhisë. Po nga çfarë është tërhequr? Për çfarë bën fjalë kjo grua? Izet Haxhia do të tërhiqet edhe nga procesi i rishikimit të vrasjes së Azem Hajdarit? Apo do të tërhiqet nga përpjekjet e tij për të zbuluar të vërteta mbi krimet e kryera deri në vitin 1998?

Është herët të thuash një gjë të tillë. Por, ama, janë shumë ata që po konstatojnë se, pas mbërritjes në Shqipëri, diçka po ndryshon për Izet Haxhinë. E ka ndryshuar ajri i Tiranës, apo burgu shqiptar?! Por “Spartaku”, që shkruante çdo ditë nga Facebook-u postime të zjarrta, nuk po bëhet më i gjallë. Në vend të tij, shkruan një grua, e cila prej kohësh ka reshtur së sulmuari “doktorin”. Natyrisht, Izet Haxhia është i lirë të zgjedhë linjën e tij të mbrojtjes, apo të sulmit, por ajo që të befason në këtë mes është indiferenca e Prokurorisë: duket sikur Drejtësia po pret që “Spartaku” të heqë dorë nga betejat e tij, për ta takuar në qeli dhe pastaj të shkruajë një rresht në proces-verbal: “Nuk kam asgjë për të deklaruar”. Nënshkruar: Izet Haxhia. Mbaron historia. 

d.ba.
Komento