I jepet lamtumira e fundit Adem Demaçit, vajza: Kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët

PRISHTINE-Aktivisti i njohur, Adem Demaçi është përcjellë sot në banesën e fundit. Ai ndërroi jetë para dy ditësh. Ceremonia mortore nisi sot në sheshin “Skënderbeu” në 08:30, ku morën pjesë shumë personalitete. Presidenti Ilir Meta e quajti Demaçin, Mandelën e Ballkanit, ndërsa Hashim Thaçi e cilësoi simbol i lirisë kombëtare. Pas përfundimit të ceremonisë kortezhi së bashku me qytetarët u nis drejt varrezave të Velanisë, kurse varrimi u bë në orën 12:00. Ceremonia e varrimit të veprimtarit Adem Demaçi u bë me nderimet më të larta shtetërore. 

Një biografi e shkurtër për Adem Demaçin:
Adem Demaçi u lind në 1935, por zyrtarisht babai i tij Zeqiri e regjistroi më 26. 02. 1936. Që pas mbarimit të shkollës Demaçi u bw pjesw e organizatave që dënonin shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi dhe diskriminimin e tyre në çdo hap. Aktivisti dënonte fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 – 1956, dhe arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto terrorizma frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi.

Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër “Jeta e re“ falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. 

Romani, nën petkun letrar, me aludime dhe metafora pothuaj të hapta ishte në të vërtetë nje mesazh politik. Porosi ishte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Menjëherë pas këtij botimi popullariteti i Ademit u rrit jashtë mase dhe emri i tij filloi të përmendej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe.

Më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua nga qeveria autoritare e Josip Broz Tito dhe pas disa muajsh në hetuesi, doli para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”. Por në gjyq Ademi jo vetëm që nuk u mbrojt por u hodh në kundërsulm, duke u shprehur që Kosova duhet të shkëputej nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me Shqipërinë. Demaçi u burgos për tri vite. Në vitin 1964 u burgos sërish deri në vitin 1974, dhe nga 1975-1990, kur u lirua nga burgu pas zhvillimeve demokratike në RFSJ.

Për gati 29 vite, në burgjet e ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi u përballë me të gjitha të këqijat që i vinin nga okupuesi e nga servilet e okupuesit për ta larguar nga rruga e tij e drejt madje qoftë edhe për një periudhë të shkurtër.

Madela i Kosovës është nderuar me çmimet:

“Urdhëri hero i Kosovës” në vitin 2010.

Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit,1991

Çmimi për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos, 1995

Shkrimtari Selatin Novosella i dedikoi edhe një libër këtij njeriu të pavdekshëm me titull “Demaçi-njeri i lavdisë”. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:53
Vajza e Demaçit: Kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët

Në Prishtinë po zhvillohet ceremonia mortore për Adem Demaçin, ndërsa vajza e tij është shprehur se kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët. “Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit dhe do na përsëritet historia”, ka thënë Abetare Demaçi.

Ora 11:52
Meta: Adem Demaçi, model për shqiptarët si sakrifikohet për atdheun

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta deklaroi se Adem Demaçi është modeli më i mirë për shqiptarët se si duhet të sakrifikohet. ‘Në jetën e tij ai asnjëherë nuk u dorëzua e nuk u step. I dashur baca Adem, jeta jote ishte luftë dhe ti këtë luftë e fitove, jeta jote ishte sakrificë, por ti ia dole t’i kalosh ato me urtësi e qetësi. Ti je njeriu, prindi, shoku e miku përherë pranë. Sot fjalët janë të mangta për ty, sot dhimbja e rëndë është sa një mal. Prehu në paqe heroi ynë’ tha Meta.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve

Media amerikane: Raketat e lëshuara nga Izraeli kundër Iranit kanë teknologji për t'iu shmangur radarëve