PROFIL AKTORI/ Tefë Krroqi, “ringjallja” e një portreti

PROFIL AKTORI/ Tefë Krroqi, “ringjallja” e një portreti

Pluhuni
do të bijë mbi shkrime t’mija,
marimangat
do të endin mbi to pëlhurën tallse.
Barut i lagun qenë vargjet e mia
e gazi i tyne
nuk do të dëgjohet as te praku i derës.
Pluhuni
do të jetë murana e tyne,
pluhuni.

-Tefë Krroqi  poezia “Pluhuni do të bijë”-



Tefë Krroqi

1.

Me Tefë Krroqin jam takuar vetëm një herë. E kujtoj, si tani, atë takim. Ishte ditë marsi. Kohë e një pranvere shkodrane. Plot mall e frymëzim. Dhe ishte viti 1992. Nuk e harroj atë bisedë të këndshme. Tefa fliste pak e skuqej shumë, sikur ishte i “zënë në faj”. Kishte një të qeshur që donte diell, apo siç thonte në një poezi të tij: “Andërroj / sy të pastër dhe të kthjellët fëminorë”.

Nuk e di pse rrinte kaq shumë i menduar (?). Të vështronte gjatë, dhe dukej sikur kontrollonte çdo fjalë që thoshte. Kur biseda jonë mori ngjyrën e çiltër të bashkëbisedimit mes miqsh të vërtetë, Tefa sikur u çlirua, dhe nuk skuqej më në fytyrë. Fytyra, tashmë, i ngjante një pranvere shkodrane (si kjo ditë takimi), një pranvere… me gema dashunie e jare shkodrane.

Tefa më kishte sjellë ca poezi për emisionin letrar që drejtoja atëhere, kur isha gazetar në Radio Shkodra.

Përsëri, edhe sot, e kujtoj që… Tefa ecte pak i kërrusur. Por… ecte, siç ecën diçka flurore, e magjishme, e ëndërrt. Të vjen keq të shkëputesh prej saj.

Tefa ecte… dhe… sikur s’donte të trazonte njeri. As ajrin. Ndoshta donte të mbetej në kujtesën e ajrit. As ëndrrën. Ndoshta donte të mbetej në kufijtë e ëndërrimtarit…

Tefa…


Tefë Krroqi me bashkëshorten Antoneta

2.

Tani, pas aq e aq vitesh, teksa po shfletoja dosjet e mia të punës prej 15 vitesh të gazetarit, gjeta dhe ca fletë (ishin poezitë), të cilat i njoha menjëherë, sepse njoha shkrimin e Tefës. Zgjata dorën dhe preka ato germa, ato vargje… M’u duk sikur preka shpirtin e butë të Tefës. M’u dukën sikur ato fletë, disa të zverdhura nga vitet, fëshfëritën… Ndoshta kanë për të thënë mesazhe ende të pathëna… E, duke rikthyer asaj tufe me poezi, krahas kujtimeve që më zgjuan, nuk kam se si të harroj konceptimin dhe fluiditetin e poezisë së tij, ku motivi shihej, shpesh, në një trajtë të papërcaktuar, si një rreze e vonët shprese, e hera-herës me një parafytyrë sureale e shprehur mallshëm e durueshëm me at’ gegënishten e zemrës. Prania a mosprania e subjektit poetik me “gjurmën” e shformuar surreale, lëvizte përmes simboleve të mjergullës, ndërgjegjes së marrakotun, të boshësisë në beben e synit të korbave që krrokatin, etj., etj. Ndoshta ishte një pasqyrë e vetvetes. E pse jo... Këtë të vërtetë e shohim të pasqyruar, veçanërisht në lirikat dhe filozofinë poetike të mbresës së përftuar nga realiteti, në përmbledhjen poetike me titull: Kujtime”, që botohet 12 vjet pas vdekjes së poetit, me kujdesin e bashkëshortes, Antoneta dhe vajzës së tyre, Eva.

Lexoj poezitë e shumëviteve, si dhe këto në librin e fundit, dhe m’u sikur më foli Tefa, dhe para syve më dolën tiparet e tij. Më foli ai zë… “-Dashunomë / po munde, / -thotë një fjalë e moçme. // Unë tham: / Dashunomë, kur nuk munde. // Vetëm atëherë / do të besoj ngultas / në dashuninë / dhe mbi altar të saj / zemrën time të coptueme / therore do ta baj.” (poezia: Vetëm shpresë?!, f. 32)

Tefa…

3.

Po mundohem të bëj një sprovë në “ringjalljen” e portretit të aktorit, regjisorit, përkthyesit dhe poetit Tefë Krroqi.

U lind në Shkodër, më 28.09.1924. Kreu Kolegjin e njohur të Jezuitëve në qytetin e tij të lindjes. Në shtator të vitit 1942 shkoi për studime të larta në Itali. Më pas, në vitin 1948, punoi si Drejtor në Bibliotekën e Shkodrës (sot “Marin Barleti”). Më vonë si mësues e njohin Leskoviku e Vraka. Në këtë të fundit, udhëve të këtij fshati do t’i shfaqej përherë imazhi i portretit të Migjenit dhe i hapësirave të tij dëshpëruese dhe revoltuese poetike.

Me krijimin e teatrit “Migjeni”, më 24.11.1949, Tefa është pjesëtar i bërthamës së parë formuese, krahas Andrea Skanjetit (regjisor), Adem Kastrati, Vitore Ujkës (Nino),Ndrekë Prelës, Antoneta Fishtës, Paulin Lacajt, Çezarina Çiftes, Ndoc Dedës (aktorë).

Nga viti 1955 deri në maj të vitit 1959 punoi si llogaritar në Spitalin e Shkodrës. Më pas, për afro 20 vjet është regjisor i estradës profesioniste të Peshkopisë që me themelimin e saj (1959). Është marrë, për nga natyra e punës me krijimtari, si skeçe, monologë, dialogë, etj., në fushën e estradës. Gjithashtu është dhe autor i shumë tekste këngësh. Veçanërisht në periudhën 1960 – 1970, kur drejtues muzike ishte Tonin Rrota, ka bashkëpunuar me këtë të fundit në krijimin e teksteve, për të cilat ato këngë u bënë të njohura e shumë të njohura, si: “Jepma mollën”, “Hiqe vallen”, “Hej, more, hej!”, “Rapsodi dibrane”, etj., …, të gjitha të mbështetura në muzikën dhe motivet popullore dibrane. Në Dibër Tefa punoi, e la mbresa të pashlyera, aq sa e quanin “dibranë”, pavarësisht se vinte nga Shkodra. Për Dibrën ai punoi edhe pasi doli në pension, e deri në ditën që ndërroi jetë, më 01.12.1995 në Tiranë.

4.

Qysh fëmijë e më pas në rini u muar me veprimtari teatrore. Po kujtojmë disa shfaqje, si: “Te nipat e Pashko Tamizit” (komedi, vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më 22.02.1935, me regjisor Injac Zamputin), “Lundërtari i mordes” (dramë, regjisor Henrik Lacaj, vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më 19.02.1933). Po ky grup aktorësh dhanë këtë dramë, më 20.02.1941, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko. Gjithashtu Tefën e shohim të interpretojë te “Shtjefën Nafaka” (komedi, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 07.05.1935), te “Kështjella e Skifterit” (dramë, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi i Don Boskos, më 24.12.1935). Kjo dramë u shfaq edhe më 25.12.1936, edhe më 25.04.1944. E shohim te “Vandea” (dramë, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 12.04.1936), te “Perizë” (komedi, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 13.04.1936), te “Shjor Pllumbi me bark thatë” (lojë gazi, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 08.08.1937). Po ky grup aktorësh, më 15.08.1937 interpretuan në lojën e gazit: “Divorci”, e në dramën “Britaniku” (regjisor Henrik Lacaj, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 02.02.1941), te “Vallja e mordes” (bocet, regjisor Tefë Krroqi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 27.09.1941), te “Napoleoni e Papa” (bocet, vënë në skenë nga Seminari Papnuer, më 05.08.1942)  etj.

Për të vazhduar me role të tjera ku spikati talenti i tij prej aktori në dramat e autorëve shqiptarë e të huaj. Po përmendim: “Armiku i popullit” e H. Ibsen, vënë në skenë nga Zef Zorba; “Mortja e mesnatës”, përkthyer nga Andrea Skanjeti; “Portreti” i A. Afinogjekov, “Ishulli i Paqes” I J. P. Petrov, “Përmbysja” e B. Lavraniev (26.05.1950); “Jeta fillon përsëri” e V. Sobke (15.10.1952), në rolin eHagel-it; “Agimi” i autorit Kolë Jakova (14.12.1952), në rolin e Sykut; “Ata u rritën në luftë” (dramë kineze, autori Hu Ke, 29.03.1953), në roline Sihaj-it; “Kush asht fajtori?”  e G. Mdivan (komedi, 11.01.1954), në rolin e Çizhivkov-it, k/inxhinieri i fabrikës; “Toka jonë” e autorit Kolë Jakova (27.04.1954), në rolin e Sokolit; “Shtëpia buzë shkambit” (28.11.1954), në rolin e n/oficerit; “Shtrëngata” (20.04.1956), në këtë vepër është as/regjisor. , etj.

5.

Në vend të përfundimit: Tefa si krijues

Tefa ka një krijimtari letrare, publicistike dhe dramaturgjike. Është me vend t’i shenjojmë disa, për të plotësuar më mirë portretin e tij.

 Tefa ka punuar numrin e parë dhe të vetëm të revistës “Ja liri, ja robnim”, me pseudonimin Besim Stajka. Gjatë verës së vitit 1944 shkroi dramën “Për liri”, të cilën nuk arriti ta vërë në skenë. Është marrë me përkthime, ndonëse të pabotuara. La të përkthyer në shqip dramat madhore të Ibsenit duke filluar nga “Hijet” e duke mbaruar me “Kur ne të vdekurit zgjohemi”. Është marrë edhe me përkthime poetike. Kryesisht poezi modern të këtij shekulli, por pa harruar edhe nga H. Hajneja, Bajroni, etj.

 Pas viteve  ’90 punon redaktor i revistës “Hylli i Dritës”. Përgatit për botim Bibliografinë e plotë të revistës “Hylli i Dritës” (1913-1944). Përktheu “Katekizmi, një libër për Shna Ndoun e Padovës”. Mes shumë përkthimeve është edhe drama “Vëllai Zotit tonë”, dramë e cila para disa vitesh u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

 Tefa ka shkruar edhe poezi. E tillë është dhe përmbledhja në dorëshkrim “Xhevahiret e rreme” (Kështu i quajti autori). Vjershat e kësaj përmbledhjeje janë të shkruara midis viteve 1942-1972. Ndonëse ato nuk janë xhevahire të rreme, por xhevahire që dritësojnë natën e rrezatojnë në heshtje, por edhe në vite. Këto mademe të çmuara flasin për një kod, nga i cili poeti Tefë Krroqi i vështronte ngjarjet, fenomenet apo objektet që trajtonte. Ishte kontestues, shpesh me gëlime metafizike, me një kontestim përzier me një lloj pesimizmi dhe ironie, ku nuk harronte ta veshte vargun edhe me ndonjë sarkazëm të lehtë.

Tefa…

Shkodër, mars 2018





(Tefë Krroqi në role si aktor)
 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Pezullimi shefit të qarkullimit në Lezhë, djali i Tom Doshit përplasi me makinë gruan e një biznesmeni

Pezullimi shefit të qarkullimit në Lezhë, djali i Tom Doshit përplasi me makinë gruan e një biznesmeni