POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Profil-Përkujtim/ Skënder Drini, 4 vjet pas ikjes, fjalë, ende, të pathëna për shkrimtarin

Kopertina e librit të Skënder Drinit

Në Shkodër, shkrimtari Skënder Drini kishte pak miq të vërtetë. Vërtetësia e miqve vërtetohej me gishtat e dorës. Në Tiranë, domosdo kishte miq. Disa prej tyre jo dhe aq të vërtetë. Mbase kështu ndodh kur shkon të jetosh në provincë. Miqtë e Tiranës preferonin më shumë ta kujtonin përmes kujtimeve. Skënderi rrallë shkonte atje. Kur e takonin miqtë e Tiranës, e përqafonin me mall dhe dashuri. Ky mall dhe kjo dashuri e kishte jetën e shkurtër, si një bisedë tavoline, a si një bisedë kafeje. Shumë prej tyre ishin në borxh të Skënderit, për nderat që u kishte bërë gjatë punës së tij si diplomat në ambasadën shqiptare në Turqi. Ndera që kurrë nuk i përmendi dhe nuk i tha qoftë në një bisedë. Ishte fisnik deri në heshtje. Ishte i matur e këmbëngulës deri në zgjidhjen e problemit a të hallit. Dhe, ata miqtë mundoheshin ta respektonin përmes buzëqeshjeve të tyre, pa i përmendur dhe kujtuar historitë e tyre personale. Në jetë Skënderi ka marrë pafund buzëqeshje, anipse disa prej tyre kanë qenë të sforcuara, të gënjeshtërta e fallso. Ah, kjo buzëqeshja!. .

Me gjithë këto marrëdhënie miqsh, në kontekste të caktuara e realitetesh gjithashtu, Skënder Drini mbeti Skënder Drini, me filozofinë, dëshirat, ëndrrat dhe karakterin e tij të pathyeshëm. Për natyrën e tij, në pamje “hijerëndë” gjë që nuk ishte e vërtetë, shumë prej tyre nuk kuptonin të vërtetën e tij: ai kishte një shpirt njerëzor dhe e pati tërë jetën e tij e deri sa ra në komo. Shpirti i tij njerëzor qe një dinjitet i çmueshëm. Mbase do të thosha edhe atë ditë qiranë atëgjendje moskomunikimi, ai komunikonte. Ishte shpirti që i fliste… Ishte Humanizmi i tij njerëzor!. . Dhe kjo ishte arsyeja që nuk e parapëlqente politika, ndonëse nganjëhrë kur ishte ngushtë e thërriste, e pyeste, kërkonte mend prej tij. Kishte nevojë për të diturin, të kulturuarin, diplomatin dhe shkrimtarin Skënder Drini.

Përmenda miqtë e vërtetë të Shkodrës. Jo më kot. Në atë rreth të ngushtë, unë kam qenë njëri prej tyre. Dhe me të drejtën e miqësisë, dua të them ca fjalë, ende, të pathëna…, ndonëse të pathënat janë shumë e shumë…

2.  Kur u kthye Skënderi nga ambasada turke në Shqipëri, më mori në telefon, dhe më kërkoi të pija një kafe me të. Mbeta i befasuar. Për ca sekonda nuk iu përgjigja, se zemrën time e përshkoi një valë emocioni. Kishte ardhur miku im nga larg… Kishte mbetur po ai zë i njohur, I dashur, po ato fjalë e ajo ngjyrëe  semantikës së tij. “Skënderi, nuk paska ndryshuar, - mendova unë me veten time. Skënderi -  Skënder. ”

Të nesërmen u takuam te kafe “Venecia”. U përqafuam me mall. Nisëm bisedën si dikur… Bisedën tonë e mbulonin shtëllungat e hirta e të pafund të cigareve që pinte parreshtur Skënderi. Sikur e kishte shtuar numrin e cigareve ditore. Nuk i fola për cigaret. Nuk i kam folur kurrë, përveçse asaj dite kur të nesërmen do të shkonte për të bërë koronaren në Tiranë. “Nuk e di, a kam gabuar?. . ” – shpesh e pyes veten edhe tani, pa marrë një përgjigje…

“-Mirë se erdhe! – i thashë.

Më vështroi dhe nuk foli. Heshti siç e kishte zakon. Më pas qeshi, si për të thënë një ‘mirëseardhje’ si kot, kjo.

-Ç’do të bësh në Shkodër? – e pyeta. – Pse nuk rri në Tiranë. Për intelektualitetin dhe kulturën tënde duhet të rrish nëTiranë. , - këmbëngula unë.

-Jo, do të rri në Shkodër. E kam ndarë mendjen.

-Do të humbasësh, mik… Do të jetosh në periferi… Mos e harro… në periferi.

-Kultura dhe dituria e vërtetë nuk kanë periferi, - tha ai dhe qeshi përsëri, ndonëse rrallë qeshte. ”

Bisedën nuk e zgjata më tej. Folëm për letërsinë shqipe e më pas për Hygoin, Balzakun e Danten.

Në ditët që do vinin Skënderi mbeti, përsëri, banor i Shkodrës dhe miku ynë i lokalit “Venecia”. Një mik i rrallë si gur i çmuar. Gjatë bisedave në tavolinën e lokalit “Venecia”, ai kurrë nuk na thirri me emra veç me pseudonime. Na kishte vëzhguar hollë, me vëmendje. Dhe një tipar tonin, atë më përfaqësuesin e kishte shndërruar në nofkë ose pseudonim. Nga ne, nuk pati kundërshtim dhe kështu si nofkëtarëtë bindur bisedonim  e bisedonim pafund… Çdo bisedë me të ishte interesante e hapte një qiell kulture. Kjo ishte arsyeja që me padurim prisnin të nesërmen dhe ishte ora 9. 00 për t’u takuar me të, te “Venecia”, tashmë e preferuar, ku na priste pronari i saj, ish boksieri human e shpirtgjerë Besnik Gjetja. I heshtur si natyrë dhe fisnik.

3. Në një nga takimet me Skënderin, dhe ishte viti 1980, kur ai më thotë: “Miku im, ata, të Shtëpisë botuese “Naim Frashëri” më kanë sjellë për recensë romanin “Korbat mbi mermer” të Teodor Laços. Gjithmonë, si edhe në këtë rast, kur redaktori ka mospërputhje mendimesh me recenzentët, materialin e nisin për Shkodër. Është delikat ky moment. Dhe presin zgjidhje nga unë. Dhe unë do t’ia jap zgjidhjen, se e kam dhënë gjithëherë… Nuk jam penduar asnjëherë. ”

Në bisedat e mëvonshme nuk e pyeta se cili ishte mendimi përfundimtar i tij. Por një ditë, që kisha orar takimi me të, i dhashë librin e Teodorit. Në fakt kisha blerë dy. Dhe kuptova… përgjigjen e tij prej recenzenti.

4.Kam bërë disa shkrime për mikun tim të paharruar Skënder Drini. Dua të kujtoj një mendim të lexueses Nimfa Hakani, e cila më thotë: “Unë jam e brezit që e kam lexuar dhe e lexoj Drinin. Ai erdhi si një zë i ri në letërsine shqiptare. I freskët dhe i veçantë. I ndryshëm nga të tjerët. Romanet dhe tregimet e tij ishin si një hapje e re, si një frymëmarrje ndryshe për ne, lexuesit. Ai me talentin e tij la gjurmë në letërsinë tonë të brishtë. Ai ishte një zë, që u kalua pak si mënjanë, por që i dha lexuesit kënaqësinë e madhe të të lexuarit, dhe e futi shpesh në rrugicat karakteristike të Shkodërloces. “ Gjithashtu dua të kujtoj edhe optikën e gjykimit të shkrimtarit të talentuar Faruk Myrtaj, i cili shprehet: “Skënder Drini ishte si një "lumë që megjithëse rridhte mes për mes Shqipërisë", citojmë Lasgushin, jo aq lehtëDrini e ka rrëmbyer vëmendjen e kritikës zyrtare. Madje, përse të mos e themi, jo aq edhe tëkolegëve të tij… Ka një varg romanesh e prozash të tjera, në pasurinë që ka lënë Skënder Drini, pa mënjanuar këtu letrarisht e estetikisht ndokend (ndonjë vepër) që "mban edhe kufizimet e kohës". Citojmë mënyrën se si kritika zyrtare i referohej "dobësive të kohës" te Migjeni, Naim Frashëri, apo të tëtjerë kuota lartërore që s’patën "fatin" të lindin dhe të vdisnin nën atë kohë censure! Tani e marr vesh qe qenka edhe korçar. Skënder Drini, kudo, lexohet po aq këndshëm, dhe e ka pranuar si fat bërjen shkodran, për t’u përfshirë në madhështinë e Kulturës së Veriut. ”

5.U bënë 4 vjet pa ty miku im, Skënder Drini! 16 dhjetori i vitit 2014 gjithnjë më trishton.

U bënë katër vjet! Ende kujtoj fjalët e dylexuesve të tjerë e të studiueses Irena Dono, dhe dua t’i përsëris edhe në shkrim tim përkujtimor:

“Ju lutem, kujtoni këto emra, pasi kur të mos jenë mes nesh, do të jetë shumë vonë. Shoqëria u ka shumë borxh atyre. ”

“Skënder Drini, sipas gjykimit tim, është një hero i vërtetë për kushtet politike, shëndetësore dhe sociale. Është i vetmi, pas Lasgushit, që veprën e thuri në provincë, duke e kuotuar me letërsinë më të mirë bashkëkohore evropiane e më gjerë. Po përmend një vepër, biografinë për Bajram Currin, që sipas mendimit tim, përfaqëson modelin e atyre botimeve që ishin të pakta për nga vlerat e vërteta, por që kritika letrare e asaj kohe me të padrejtë e në mënyrë cinike e quajti letërsi dokumentare. ”

Irena Dono, studiuese: “Unë kam pasur fatin të jem redaktore e romanit "Shembja e idhujve", një nga kryeveprat e letërsisë shqipe dhe nuk mund ta harroj figurën e tij,takimet e punës që bënim në Shtëpinë botuese. Kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm për mua. ”

6.Unë kam shumë fjalë për të thënë miku im, Skënder Drini. Paraditja jote ishte si një ‘parajsë’ te “Venecia”, kurse pasditja ishte bashkudhëtare me vetminë, në ato vetmi qëpërshkruhen në poezisë e Fred Rreshpjes, ku ti fole aq bukur e plot dhimbje ditën e varrimit të lirikut të madh të letrave shqipe. Dhe vetminë…, edhe kur perëndonte dielli, edhe kur binte muzgu, edhe kur afrohej nata, ti e ndaje me shahun në kompjuter, shahun që ti e dashuroje shumë. Dhe ti kur fitoje (zakonisht në fillim të lojës kundërshtarit i falje mbretëreshën) vetmia largohej pa u ndjerë dhe të shoqëronte si një hije herë e dukshme dhe herë e padukshme. Më pas, në shpirt, dëgjoje zërin e Karolinës, që duhej t’i ishe pranë… Në fakt ti pranë i ke qenë përjetësisht, edhe sot. . . Ti i kishe lënë asaj me modestinë dhe madhështinë tënde: “Testamentin”.

Nuk e di miku im Skënder Drini, ç’hapësirë kishte dhe ka shpirti yt njerëzor? Me se matet? Sigurisht, ka një koeficient: Shpirti njerëzor matet me shpirtin njerëzor. . .   

Shkodër, dhjetor 2018

f.g./r.k.
Komento