Projektet e investimeve/ Rikthehet në rend të ditës porti ‘transoqeanik’ i Karpenit

Projektet e investimeve/ Rikthehet në rend të ditës porti ‘transoqeanik’ i Karpenit

Damian Gjiknuri

Projekti i ndërtimit të një zone ekonomike në bregdetin e Kavajës, ku të përfshihej një port gjigand, centrale elektrike, depozita nafte, etj, ende nuk është lënë në harresë. E ka bërë të ditur këtë dje ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, i cili ka folur në një aktivitet kushtuar industrisë detare, me mbështetjen e qeverisë norvegjeze. Sipas Gjiknurit, projekti për Karpenin është ende në fazë negociatash, megjithëse është shpejt që të flitet për zbatimin e tij.

Projekti
Një mini-kompani nga Britania e Madhe, që u prezantua me një projekt-ide për të ndërtuar në bregdetin shqiptar një super-port me vlerë 5 miliardë dollarë, ndonëse kishte një aktivitet dhe një kapital shumë të vogël, është tërhequr nga bisedimet me qeverinë shqiptare, u mësua në shkurt të këtij viti nga dikasteri i Ekonomisë dhe Financave.

Në korrik 2016, me një lëvizje të papritur, qeveria shqiptare ka lënë në heshtje të gjitha planet e mëparshme për zhvillimin e porteve të Durrësit, Vlorës apo Shëngjinit drejt standardeve të qendrave të mëdha portuale të vendit, apo pika fundore të Korridorit VIII Pan-Evropian. E gjithë vëmendja lidhur me infrastrukturën portuale u duk se do të përqendrohej në realizimin e një mega-projekti “Morgan”, të panjohur nga publiku i gjerë deri atëhere dhe të propozuar nga privatët, që parashikonte krijimin e një porti të ri gjigand në Karpen, në bregdetin e Kavajës. Objekt, që do të shoqërohej edhe nga një TEC i madh me gaz, një stacion rigazifikimi, si dhe nga një zonë ekonomike prej 1.700 hektarësh.

Kjo u bë e ditur vetëm kur një projektligj mbërriti në Kuvendin e Shqipërisë. Me projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë ‘Star Bridge Port Developments Limited’ me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”, qeveria kërkoi dhe mori miratimin për një procedurë “të veçantë” për negociatat.

Pra, këto negociata do të kryheshin me një shpjetësi të pazakontë, nisur nga leverdia e madhe e këtij investimi kolosal të propozuar nga Star Bridge Port Developments Limited, që, sipas qeverisë, ishte një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjoze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si AECOM, SFTA, Ramboll, RVT Architects, Summa. Sipas relacionit, ”nga një vlerësim i dokumentacionit, del qartazi serioziteti i këtij grupi shoqërish për realizimin e projektit”.

Kanë qenë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të qeverisë Rama 1, që morën iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë, me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë efiçente të një kontrate me subjektin në fjalë.

Por gjithshka mbeti në letër dhe u duk se qeveria Rama 2 nuk po interesohej më për këtë projekt.

Propozimi
Dikasteret, nisur nga një vlerësim paraprak i projektit “Morgan”, sugjeruan atëhere se “propozimi i sjellë përbën një investim strategjik, i pari i këtyre përmasave në Shqipëri dhe një mundësi unike zhvillimi, si për zonën ku është menduar të realizohet, edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit”.

Projekti “Morgan”, si një propozim i pakërkuar, parashikonte ndërtimin e një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie, përkatësisht: Projekti “Deep Water Port” – Porti detar me thellësi të madhe dhe Projekti “Port Centric Logistics and Enterprise Zone” – Zona ekonomike.

Ky projekt pretendonte një investim në total prej 5 miliardë USD për një periudhë 5-10 vjet. Porti propozohej të ndërtohej në zonën e Karpenit, për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20 m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, thuhej se ishte e domosdoshme të ndërtohej edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit ishte parashikuar me një shtrirje prej 1.700 hektarësh.

Zona e portit parashikohej të përbëhej nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti. Gjithashtu, parashikohej ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase).

Sipas hartuesve të projektit, vetëm faza e ndërtimit do të sillte një investim vjetor të barabartë me 57% të PBB-së çdo vit, dhe 6.200 vende pune. Në përfundim të realizimit të projektit, parashikohej të gjeneroheshin 70.100 vende pune për ekonominë shqiptare, që përfaqësojnë një rritje të nivelit të punësimit me 6.4%.

Nga vetë pretendimet shumë të fryra, u krijua që në fillim përshtypja se nuk ishte fjala për një investitor të besueshëm. Dhe, sikurse pritej, pas një viti e gjysmë bisedimet dështuan.

Por ringjallja e tyre, edhe jashtë urgjencës që u lejua nga Kuvendi, tregon se interesimi duket se ka lindur përsëri.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • fatmir Lohja: 17/11/2018 09:41

    Sa projekte te infrastuktures kane mbetur rrugeve?Jane harruar projektet madhore;hekurudha Tirane Durres; portet Karpen dhe Shengjin; aeroportet Kukes edhe Vlore;e te tjera e te tjera.

    Përgjigju
  • redi: 17/11/2018 09:08

    Kujdes Gjiknur me kontratat ne oergjithsi dhe per investimet ne porte ne vecanti . Larg kompanive off shore se ju mashtrijne dhe do vije nje dute qe po gabuat , ti dhe Ahmetaj do dilni oara drejtesise . Kujdes dhe trabsosrence

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Dhunë ndaj fëmijës dhe nënës, vihen në pranga dy persona në Tiranë

Dhunë ndaj fëmijës dhe nënës, vihen në pranga dy persona në Tiranë