“Prona ime”/ Gjergj Begaj: Taksa e ndërtesës, ja si llogaritet

“Prona ime”/ Gjergj Begaj: Taksa e ndërtesës, ja si llogaritet

Gjergj Begaj në emisionin Këndi i Ekspertit në REPORT TV

Eksperti Gjergj Begaj si çdo javë ka sqaruar qytetarët shqiptarë mbi problematikat e pronave, në studion e emisionit “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli. Meqenëse këtë muaj hyn në fuqi taksa e pronës, eksperti Begaj ka sqaruar mënyrën e llogaritjes së pagesës, por edhe se si do paguajnë ata qytetarë që zotërojnë apartamente të vjetra që i kanë kthyer në dyqane.

Zoti Begaj, do të flasim për taksat, të cilat kanë hyrë në fuqi në datën 1 prill. Çfarë mund të na thoni?
Zyrtarisht taksat e reja kanë filluar në datën 1 prill, për ndërtesat, apartamentet, njësitë, garazhet, bodrumet etj., sepse këto janë objektet që taksohen. Ndërsa toka bujqësore e ka pasur taksën edhe më përpara dhe nuk ka ndryshuar. Ne kemi shpjeguar edhe më parë se si do të aplikohet për taksën e re ose shkurt po themi se taksa do të tatohet mbi vlerën e shitjes së çdo objekti dhe vlera do të jetë 0,05% e vlerës totale të shitjes së çdo objekti. Po marrim një shembull: në qoftë se një pronë kushton 10.000.000 lekë të reja ose 100.000.000 lekë të vjetra, taksa e këtij apartamenti do të jetë 5.000 lekë të reja ose 50.000 lekë të vjetra. Por, ajo që dua të theksoj dhe që është me rëndësi për qytetarët, është që gjatë periudhave të transicionit, në vitet 1991-1993 kur filloi edhe ndryshimi, qytetarët që kanë pasur apartamente në katet e para, në pjesën më të madhe të tyre, i kanë kthyer në njësi, por në zërin kadastral këto përsëri i kanë apartamente, pavarësisht se vazhdojnë të punojnë si njësi. Kemi edhe rastin tjetër, të kateve të dyta, të cilat kanë qenë njësi dhe janë kthyer në apartamente. Tani që lindi çështja e taksave të reja, me qëllim që të taksohen drejt, qytetarët duhet të bëjnë rishikimin. Qytetarët duhet shkojnë pranë bashkive dhe të marrin informacionin e duhur. Në bashki merret një formular, qytetari duhet të ketë edhe një certifikatë pronësie të noterizuar, kartelën e pasurisë dhe hartën e 3 muajve të fundit dhe duhet t’i drejtohet një studioje tekniko-ligjore private, e cila merret me çështjet e objekteve dhe të bëjë një relacion teknik për ta dorëzuar pranë bashkisë. Pranë bashkive janë ngritur komisione, të cilat bëjnë verifikimin në terren. Pastaj qytetari e regjistron pronën e tij pranë hipotekës dhe bën ndryshimin e zërit kadastral, d.m.th. në qoftë se ka qenë apartament dhe është e punon si njësi, do të marrë vlerën e njësisë dhe të taksohet drejt, ose anasjelltas.

Telefonoj nga fshati Rrushbull i Durrësit. Kam marrë tokë sipas ligjit 7501. Tani që dua ta regjistroj figuron tokë shteti. Në fakt jemi 100 e ca shtëpi. Tani në fund kemi marrë nga një letër në komunë, na thonë që do t’i bëjmë, por akoma s’kemi bërë gjë.
Me ndarjen e re administrative, normalisht që ndryshuan edhe komunat, u kthyen në qendra administrative. Edhe ligji është përmirësuar. Mund të ndodhë që tokat që keni ju, të jenë duke u azhurnuar në hartën e re. Duhet të bëni edhe pak durim sa këto të azhurnohen. Ligji funksionin normal. Vendimi i fundit i qeverisë ndalon regjistrimin vetën për tokat në bregdet.

Telefonoj nga Tirana. Kam shtëpinë e prindërve, e cila është ndërtuar që në vitin 1962, në zonën e Shkozës. Problemi është që nuk kam asnjë dokument pronësie. I vetmi dokument që kam është një gent-plan, i cili tregon se shtëpia është ndërtuar me leje. Në hipotekë më thonë që shtëpia nuk është e regjistruar dhe është pa leje. Tek ALUIZNI më thonë që nuk e mbulojnë ata se është ndërtuar para vitit 1991.
Raste të tilla kemi pasur shpesh. Në Shkozë është një lagje e tërë që ndodhet në këtë lloj situate. Aty janë vendosur nga shteti, me parcela dhe është dhënë në atë kohë një leje ndërtimi. Është miratuar ligji nr. 608, që me këto merret bashkia, por bashkia ka një kusht: në qoftë se zotëria në banesën në fjalë nuk ka bërë ndryshime që nga viti kur është ndërtuar, nga origjina ndoshta deri në vitin 1991, atëherë është brenda ligjit 608, sipas të cilit e merr përsipër bashkia për ta regjistruar. Zotëria duhet të shkojë pranë Bashkisë së Tiranës, të tërheqë formularin për ligjin 608, të plotësojë pikat e këtij formulari. Gjithashtu duhet të shkojë edhe pranë një studioje private ligjore. Nëse ka bërë ndryshime në strukturën e shtëpisë, shtesa, nuk ka dalë jashtë, atëherë do të jetë produkt i një institucioni tjetër ose i mbetet të provojë në rrugë gjyqësore me anë të gjykatës, pasi kanë kaluar mbi 20 vjet, me parashikim fitues të titullit të pronësisë. Dhe e ka një zgjidhje. Por para gjithë këtyre, duhet të shkojë në Bashki.

Telefonoj nga Fieri. Dua të pyes për taksat. Po ne që banojmë me qira, a përjashtohemi nga taksat e shtëpive?
Taksa është atribut i pronarit që zotëron apartamentin sepse prona është e tij dhe jo e juaja.

Jam pensioniste nga Durrësi. Banoj vetëm sepse burri më ka vdekur. Fëmijët e mi kanë marrë pjesën e babait të tyre, që i takon sipas ligjit. Pra jemi të gjithë pronarë të apartamentit, por unë zotëroj më shumë. A e paguaj edhe unë taksën e shtëpisë, meqenëse marr një pension të vogël?
Taksën e paguajnë të gjitha shtresat. Qeveria përkrah vetëm ata që janë me ndihmë sociale. Ndërsa ju zonjë do ta paguani rregullisht taksën, sepse keni edhe fëmijët bashkëpronarë. Për t’u sqaruar më drejt dhe më hollësisht, duhet të shkoni në Bashkinë e Durrësit, te zyra e taksave.

Telefonoj nga Italia. Dua të di nga kjo taksa që ne do të paguajmë për apartamentet tona në Shqipëri, a shkon ndonjë përqindje për mirëmbajtjen e fasadave?
Taksa sapo ka filluar të aplikohet dhe është kompetencë e bashkive se si do t’i përdorin këto taksa. Por, normalisht taksat paguhen për të gjitha shërbimet që ne marrim nga bashkitë. Dhe një pjesë e tyre shkojnë edhe për fasadat. Ne po shohim konkretisht që Bashkia e Tiranës, në marrëveshje me banorët, financon një pjesë të shumës që duhet, pjesën tjetër e plotësojnë banorët dhe po punohet në disa lagje të Tiranës për sistemimin e fasadave.

Telefonoj nga Kruja. Jemi 5 pjesëtarë në familje dhe jemi pa punë, vetëm me ndihmë ekonomike. A na takon të paguajmë taksë për banesën?
Normalisht, që ka favorizime, për kategoritë që trajtohen me përkrahje sociale, sepse kjo ndihmë ekonomike është shumë minimale. Normalisht duhet të shkojnë pranë bashkisë së tyre, te zyra e taksave për t’i sqaruar këto probleme dhe atje do të gjejnë zgjidhje. Kjo taksë është vënë për qytetarët që kanë aftësi paguese dhe që kanë dy ose më tepër apartamente, dyqane, garazhe etj. Prandaj, qytetarët që kanë probleme të tilla si zotëria, duhet patjetër të sqarohen pranë zyrave të bashkisë.

Jam një qytetar nga Durrësi. Kam një truall, bosh, në mes të qytetit, për të cilin kam fituar gjyqin e shkallës së parë dhe apelin, mirëpo më thonë që ka mbivendosje me kishën. Eksperti i gjykatës është bazuar në dokumente serioze të marra në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Si zgjidhet ky problem?
Duhet të rishikoni edhe një herë pozicionin e truallit, hartën me ekspertin ose ndoshta mund të vini edhe në studion time, meqë jeni pak konfuz, dhe bashkë me avokatin e studios të shqyrtojmë dokumentet që keni dhe t’ju japim një përgjigje. Faktikisht, më duket pak e çuditshme që ju ta fitoni çështjen edhe në shkallën e parë gjyqësore edhe në apel dhe të mos ju regjistrohet prona. Këto janë dy institucione të rëndësishme.

Jam një qytetar nga Gjirokastra. Banoj në një shtëpi private. Unë kam qenë me ndihmë ekonomike dhe më kanë nxjerrë nga skema. Si llogaritet taksa e shtëpisë që do të paguaj tani?
Unë e thashë edhe në fillim të emisionit, që taksa do të llogaritet në bazë të vlerës reale të shitjes së pronës që keni, qoftë apartament apo shtëpi private. Ka dalë edhe në fletoren zyrtare të hipotekave dhe të bashkive. Taksa është 0,05% e vlerës së shtëpisë suaj. Meqenëse keni qenë me ndihmë ekonomike, duhet të shkoni te zyra e taksave pranë bashkisë suaj dhe të sqaroheni më saktësisht sepse bashkia merret me këtë problem.

* Për qytetarët që kanë probleme pronësie, drejtohuni pranë Studio Ligjore “Bylis”, përballë Hipotekës në Tiranë, Rruga “Panorama”. Kontaktoni edhe në numrin e celularit 0694093431

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lumo skendo: 04/04/2018 14:39

    100000000 . 0.05= 5000000/Si dalkane 50000 leke te vjetera.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Milani ndan rrugët me Piolin, tifozët votojnë për trajnerin e ri! Ish-rivali në stolin kuqezi

Milani ndan rrugët me Piolin, tifozët votojnë për trajnerin e ri! Ish-rivali në stolin kuqezi