Protesta/ Një grup studentësh vijojnë para Kryeministrisë, 'sfidojnë' të ftohtin me zjarr, Rama: Kur do flasim?

Studentët kanë vendosur që të vijojnë protestën e tyre përballë Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, ndonëse kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm që të nisë zbatimin e 8 pikaveve me të nisur dialogu. Teksa kanë vendosur mbulesa në tokë dhe kanë ndezur zjarr, ata janë shprehur se do të vijojnë të protestojnë për të drejtat e tyre.

Një grup i ngushtë njerëzish pranë kryeministrit Edi Rama, sipas Report Tv, po punon intensivisht për përgatitjen e dialogut me studentët dhe elementë surprizë do t'u shtohen 8 pikave që kërkojnë studentët. Drafti i uljes së tarifave shkon përtej kërkesës së studentëve dhe pret firmën e Ramës. Po ashtu është punuar për të gjitha pikat e tjera, në pritje të studentëve që duan të dialogojnë. Burimet konfirmojnë gjithashtu se pa u hapur dialogu, kryeministri nuk ka ndërmend të lëvizë nga pozicioni i tij.

Pak orë më parë, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje protestuesve që të ulen dhe të dialogojnë. Sipas kryeministrit 8 pikat e kërkuara nga studentët për t’u plotësuar nga qeveria janë për të vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës universitare dhe këtë transformim mund, duhet dhe do ta bëjnë së bashku qeveri dhe student, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë. Sipas Ramës adresimi i 8 pikave duhet të nisë pa humbur kohë që ulja e tarifave të studimit të mbyllet përpara pushimeve të Vitit të Ri. Rama përsëriti se është gati për dialog me studentët dhe pa asnjë kusht.

Në ditën e 9-të të protestës, studentët janë të përçarë. Një grup po proteston nga mbrëmë përpara Kryeministrisë, ndërsa një grup tjetër përpara Ministrisë së Arsimit, atje edhe ku nisi protesta.

Dje, sipas të dhënave të policisë, në protestë ishin rreth 6500 studentë, përfshirë gjimnazistët dhe studentë nga rrethet, protesta u nda në tre grupime. Një pjesë e studentëve protestuan dje para Ministrisë së Arsimit, një pjesë e tyre para Kryeministrisë, ndërsa një pjesë tjetër protestuan tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Një pjesë e vogël e studentëve e kanë kaluar natën para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke përballuar temperaturat e ulëta gjatë natës, që kanë shkuar në minus 2 gradë C, ndërkohë që është e paqartë situata për vijimin e protestës. Megjithëse kryeministri Edi Rama u shpreh mbrëmjen e djeshme se është i gatshëm të përgjysmojë tarifat për të gjithë studentët,(LEXO KËTU), ende nuk ka një përgjigje nga këta të fundit. Ditën e djeshme skadoi edhe afati i vendosur prej tyre për qeverinë për të pranuar 8 kërkesat e tyre. Studentët protesojnë për përgjysmimin e tarifave për të gjitha ciklet e studimit, përfaqësimin e studenteve në senatin e akademik dhe bordet e universitetit si edhe rritjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe bibloteka.

Kërkesat e fundit/ Letra drejtuar Ramës, Ruçit e Nikollës nga Këshillat Studentorë/ Datë 9 Dhjetor

1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online
3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5.Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6.Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19
7.Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8.Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

Kërkesat e para të studentëve (lexo këtu)
Kërkesat e dyta të studentëve (lexo këtu)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:50
'Kur do flasim?', Rama fton studentët për dialog me foto me filtra

Kryeministri Edi Rama ka postuar disa foto në rrjetin e tij social Instagram. Në një nga fotot e postuara Rama ka bërë pyetjen drejtuar studenteve: Kur do flasim?

Postimi i Ramës në Instagram 

Ndërsa edhe një foto tjetër është postuar nga kryeministri por është hequr shpejt. Në të Rama kishte vendosur disa filtra Instagrami.

Postimi që u fshi nga kryeministri Rama

Teksa Rama i fton prej kohësh për dialog, një pjesë e studentëve protestues qëndrojnë para kryeministrisë ndërsa të tjerë para godinës së Ministrisë së Arsimit.

Ora 19:06
Studentët ndezin zjarr përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit (VIDEO+FOTO)

Krahas shtrimit të mbulesave në tokë, studentët që po protestojnë përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit kanë ndezur edhe zjarr për t'u ngrohur. Ata janë shprehur se ndonëse temperaturat janë të ulëta, do të vijojnë të protestojnë për plotësimin e tetë kërkesave të parashtruara edhe përgjatë orëve të vona. 

 

Ora 18:05
Studentët shtrojnë mbulesat në tokë: Do kalojmë natën përpara Kryeministrisë

Studentët të cilët po protestojnë përpara Kryeministrisë, kanë shtruar mbulesat në tokë. Ata janë shprehur për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi se do të kalojnë natën përpara këtij institucioni.

"Derisa të dëgjohet fjala jonë, do të qëndrojmë përpara Kryeministrisë. Duam thjesht të drejtat tona", u shpreh njëri protestues.

Studentët përpara Kryeministrisë, kanë shtruar mbulesat në tokë
Ora 16:22
Qytetarët vijojnë solidarizimin me studentët, u shpërndajnë ushqime
Ora 16:17
Rama në 'Twitter': Një tjetër ditë e humbur me arsyen e Mosarsyes

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar ditën e nëntë të protestës së studentëve "si një tjetër ditë të humbur me arsyen e Mosarsyes". Përmes rrjetit social "Twitter", Rama shkruan me ironi se e tërë situata është orkestruar nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe nga nxitja që po iu bën studentëve profesor Arlind Qorri. Rama shton më tej se kultura ku shpalosen kërkesa dhe nuk kërkohet të fliten për to, nuk janë produkt i demokracisë së përftuar nga prindërit.

Kryeministri Edi Rama në rrjetin social "Twitter"
Ora 15:31
Qytetarët vijojnë solidarizimin me studentët, një grua u shpërndan ushqim atyre të pozicionuar përpara Kryeministrisë

Studentëve të cilët po protestojnë përpara Kryeministrisë, iu kanë ardhur sërish në ndihmë qytetarët. Sikurse shihet në video, një grua e veshur me një xhup të kuq iu ka shpërndarë dhe ofruar ushqim falas. 

Ora 14:15
Procedimet penale në protestë, reagon Policia: Cënuan e bllokuan rrugët, dogjën materiale të dëmshme për qytetarët

Pas 25 procedimeve penale për qytetarë, studentë përfshirë pedagogun Edmond Tupe dhe artistin Robert Aliaj, ka ardhur reagimi edhe nga Policia e Shtetit. Në një deklaratë për mediat, Policia sqaron se procedimi është bërë i shkëputur dhe ka patur në fokus të gjithë personat që kanë cënuar protestën.

Njoftimi i plotë:

Në përgjigje të interesit të disa mediave, Policia e Shtetit sqaron se gjatë protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera të vendit, punonjësit dhe strukturat e saj janë angazhuar në një vëllim të shtuar shërbimesh, të cilat kanë pasur si qëllim garantimin e kushteve për ushtrim të lirë dhe të pa cenuar të së drejtës për protestë dhe për ruajtjen rendit publik e të qetësisë së përgjithshme të qytetarëve. Në zbatim të procedurave standarde policore dhe të detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit ka filluar procedime në bazë të ligjit për raste të shkëputura personash, të cilët e kanë cenuar qartazi atë, kryesisht në formën e bllokimit të akseve rrugore të vendit, goditjes me sende të forta, apo djegies së materialeve të dëmshme për shëndetin e qytetarëve në mjedise të rëndësishme publike. Policia e Shtetit shpreh edhe një herë gatishmërinë e strukturave të saj për të shërbyer me përkushtim të plotë ndaj të drejtës së çdo qytetari për të protestuar si dhe ndaj mirëmbajtjes së rendit, sigurisë dhe normalitetit të jetës për të gjithë qytetarët e tjerë.

Ora 13:38
Protesta/ Studentët zbulojnë 'skenarin': Nesër do të protestojmë para Parlamentit

Ditën e nesërme, protesta do të zhvendoset para Parlamentit. Studentët bëjnë me dije se protesta e tyre do të bashkojë nesër të dyja grupet, atë që po proteston para Ministrisë së Arsimit dhe atë që po proteston tek Kryeministria. Studentët thonë se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e të 8 kërkesave të tyre. 

“Nesër të gjithë studentët do të protestojnë para parlamentit, ne nuk do të lejojmë që kazani ashtu si preferon ta thotë dikush, të diskutojë llogje pa vlerë në atë parlament, ne jemi përfaqësuesit më dinjitozë, do të protestojë bashkë, vatra do te jetë nesër një, nesër në të njëjtin vend, jemi në një kauzë, jemi një, vetëm studentë, ne që ëndërrojmë Shqipërinë Evropiane"-kanë thënë studentët.

Ora 13:24
Gjimnazistët në Berat nisin protestat në mbështetje të studentëve: Na penguan për t’u mbledhur, na mbyllën brenda shkollës

Lëvizja e protestave në mbështetje të studentëve në Tiranë dhe në rrethe, ka nisur sot dhe në qytetin e Beratit. Kanë qënë gjimnazistët e BabëDudë karbunarës” gjimnazit më të madh në qytet, të cilët nisën të dalin sot në rrugë.

Rreth orës 11:00 gjimnazistët u mblodhën në qendër të qytetit, ndërkohë që nuk vonoi dhe mbështetja e qytetarëve.

Gjimnazistët me pankarta nëpër duar u shprehën në solidaritet me studentët që po protestojnë në Tiranë që prej disa ditësh, ndërkohë që janë shprehur se u penguan që të mblidheshin më të shumtë në numër.

Gjimanzistët u shprehen se kishin vendosur që të mblidheshin rreth orës 10:30, kohë në të cilën është pushimi i madh, por sot orët janë zhvilluar të reduktuara me nga 35 minuta dhe nuk është zhvilluar pushimi i madh.

“Nuk na lejuan që të dilnim nga shkolla, sepse orët u bënë të shkurt dhe na mbyllën dyertë”, u shprehën gjimnazistët”. Mbështetje për gjimnazistët dhanë dhe qytetarë të Beratit, të cilët u bashkuan në këtë protestë. 

Nga ana tjetër burime nga shkolla “Babë Dudë Karbunara” bëjnë me dije se orët e mësimit janë zhvilluar sot me orë të reduktuara për shkak të temperaturave mjaft të ulëta të ditës së sotme.

Ora 13:20
‘Duam të shkruajmë historinë’, vazhdon protesta e studenteve para Kryeministrisë: S’ka dialog

Vazhdon protesta prej 5 orësh para kryeministrisë. Njëra nga studentet e protestës u shpreh para gazetarëve se nuk pranohet dialogu apo negociatat. ‘Duam të shkruajmë historinë. Nuk negociojmë. Nuk kërkojmë luks, kërkojmë karrige, banka, dhe dërrasa se janë copë copë. Kërkojmë të na plotësohen kërkesat. Nuk duam dialog.”-u shpreh njëra nga studentet.

Ora 12:39
FOTO+VIDEO/Dita e 9-të e protestës, studentët të ndarë në dy grupe te kryeministria dhe MASR

Në ditën e 9-të të protestës, studentët janë ndarë në dy grupe. Një grup po proteston nga mbrëmë përpara Kryeministrisë, ndërsa një grup tjetër përpara Ministrisë së Arsimit, atje edhe ku nisi protesta.

Ora 12:32
Protesta e studentëve/ Vasili: Rama kërkon t’i mashtrojë, dialogu nën presionin e shantazheve

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka dalë në një konferencë për mediat nga selia e LSI-së, pas propozimit të Kryeminisitrit Edi Rama për hapjen e një procesi dialogu student-qeveri.

Vasili tha se kryeministri Edi Rama kërkon që t’i mashtrojë studentët.

“Studentët jetojnë në kushte mizore, Kryeministri Rama, premtime boshe. Rama kërkon që të mashtrojë studentët. Të rritet buxheti për arsimin. LSI, amendamente për kërkesat e studentëve. Protesta e studentëve është e drejtë. Dialogu nën presionin e shantazheve dhe presioneve.”-u shpreh Vasili.

 

 

Ora 12:26
Asnjë automjet nga Elbasani drejt Tiranës, studentët bllokojnë edhe rrugën e vjetër të Krrabës ( VIDEO+FOTO)

Prej rreth një orë asnjë automjet nuk ka udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Studentët e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" janë mbledhur te rrethrrotullimi i Bradasheshit në dalje të qytetit dhe kanë bllokuar autostradën në drejtim të Tiranës. Kjo bëri që policia të devijonte lëvizjen e automjeteve në drejtim të rrugës së vjetër të Krrabës. Por studentët nuk janë ndaluar dhe brenda pak minutash kanë bllokuar edhe aksin e vjetër Elbasan-Tiranë.

Momenti kur policia devijoi trafikun nga rruga e vjetër e Krrabës
Ora 12:18
Dita e 9-të/ Mbyllet protesta e studentëve në Korçë me marshimin para Katedrales

Është mbyllur paqësisht dita e nëntë e protestës së studentëve në qytetin e Korçës. Protesta e studentëve në Korçë u mbyll me marshimin e studentëve para Katedrales së qytetit. Në mbështetje të studentëve ishin edhe gjimnazistët e shkollave të mesme të këtij qyteti.

Ora 12:10
Pankartat e studentëve para Ministria Arsimit Sportit dhe Rinisë (FOTO)
Ora 12:04
Protesta e studentëve/ Kryeministria, grup pune për të plotësuar më shumë se çfarë duan studentët

Report Tv ka mësuar se një grup i ngushtë njerëzish pranë kryeministrit Edi Rama, po punon intensivisht për përgatitjen e dialogut me studentët. Të njëjtat burime flasin për elementë surprizë që do t'u shtohen pikave të studentëve.

Kryeministri është gati që të nisë zbatimi për të 8 pikat me të nisur dialogu. Drafti i uljes së tarifave shkon përtej kërkesës së studentëve dhe pret firmën e Ramës. Po ashtu është punuar për të gjitha pikat e tjera, në pritje të studentëve që duan të dialogojnë.

Burimet konfirmojnë gjithashtu se pa u hapur dialogu, kryeministri nuk ka ndërmend të lëvizë nga pozicioni i tij.

Ora 11:56
Protesta, studentët e Korçës në marshim (VIDEO)

Paralelisht me Tiranën edhe studentët në Korçë po protestojnë. Report TV sjell pamje nga marshimi i tyre në qytet.

Ora 11:44
Rama i përgjigjet studentes: Të plotësohen 8 pikat pa dialog!? Në cilën familje ecën kjo logjikë?

Në një reagim tjetër për protestën e studentëve, Rama ka kërkuar sërish dialog me ta. Ai iu referua deklarimeve të një studenteje, e cila tha se duan që t’u plotësohen 8 pikat pa dialog, por nuk duan të bisedojnë. Dhe Rama pyet se në cilën familje ecën kjo logjikë?

Statusi i Ramës

Një vajzë sapo tha: s'duam të lutemi (në fakt lutem unë:-) po duam të na plotësohen 8 pikat pa dialog! D.m.th. s'duam të bisedojmë për kërkesat tona, po duam të bërtasim deri në plotësimin e tyre! Në cilën familje ecën kjo logjikë?Në familjen tonë të madhe jo njëherë, prandaj DIALOG.

Ora 11:38
Vlorë/ Studentët marshojnë drejt Sheshit të Flamurit, bllokohet rruga Transballkanike (VIDEO)

Paralelisht me Tiranën protesta e studentëve po vijon edhe në Vlorë. Studentët e universitetit Ismail Qemali të Vlorës kanë protestuar sërisht ditën e sotme para ambienteve të godinës së rektoriatit të këtij universiteti. Me megafonë në duar, për mbi 1 orë, këta studentë kanë kërkuar  plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Ata thonë se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e tyre. Studentët kanë marshuar drejt sheshit të Flamuarit , ku në rrugën Transballkanike kanë ndaluar duke bllokuar një nga akset e kësaj rruge.

Ora 11:38
Studentët mblidhen te rrethtrrotullimi i Bradasheshit, bllokojnë autostradën Elbasan-Tiranë (VIDEO)

Dhjetëra studentë janë mbledhur te rrethrrotullimi i Bradasheshit. Ata kanë marshuar në këmbë nga Universiteti "Aleksandër Xhuvani" dhe vijuan protestën në dalje të qytetit ku bllokuan autostradën Elbasan-Tiranë. Ata janë ulur këmbëkryq në rrugë dhe nuk lejojnë kalimin e asnjë automjeti. Protesta pritet të zgjasë rreth një orë.

Studentët e Elbasanit bllokojnë autostradën drejt Elbasanit
Ora 11:37
Studentët lexojnë 'live' postimin e Ramës: Përqafimin ta kthjemë pas. What the F*ck

Studentët protestues përpara Kryeministrisë kanë lexuar 'live' një prej postimeve të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale (Lexo këtu). Përgjigjja e studentëve për kryeministrin ka qenë: "Përqafimin ta kthejmë mbas. What the F*ck! Ku ishe 5 vjet zoti kryeministër? Plotëso kushtet tona". 

Ora 11:14
FOTOLAJM/ Pamje nga lart e protestës së studentëve të Kryeministria dhe Ministria e Arsimit

Report Tv sjell fotot nga lart të protestës së studentëve në Tiranë në ditën e 9-të (Lexo këtu). Protesta vijon të jetë e ndarë në dy pjesë te Ministria e Arsimit dhe Kryeministria. Kjo është pjesëmarrja në protestë deri në këto momente kur ora shënon 11:25 minuta.

Ora 10:55
Studentët të ndarë edhe sot, protestë te Ministria e Arsimit dhe Kryeministria (VIDEO)

Studentët po protestojnë të ndarë edhe sot. Pjesa dërrmuese e tyre ndodhen përpara Ministrisë së Arsimit aty ku protestojnë për të 9-ën ditë me radhë, ndërsa një pjesë tjetër ndodhen përpara Kryeministrisë. Mes studentëve nuk mungojnë as akuzat për përdorim politik. Ishin studentët e Politeknikut ata të cilët marshuan në këmbë nga sheshi "Nënë Tereza" dhe vijuan drejt Ministrisë së Arsimit duke shmangur protestuesit te Kryeministria duke thirrur "Jo politikë". 

Protesta u nda një ditë më parë pas skadimit të ultimatumit të vendosur për kryeministrin Edi Rama, kur një grup studentësh marshuan drejt rrethrrotullimit të "Zogu të Zi" ku bllokuan trafikun për më shumë se një orë, ndërsa pjesa tjetër qëndroi përpara Ministrisë së Arsimit. Përpara këtyre dy institucioneve kaluan edhe natën në të ftohtë një grup i vogël studentësh. 

Ora 10:51
Korçë/ Studentët denoncojnë drejtoreshën e gjimnazit: Bëri status kundër protestës, u ka bërë presion nxënësve, me funksione në PS

Studentët e Universitetit Fan S. Noli në qytetin e Korçës kanë denoncuar drejtoreshën e gjimnazit Raqi Qirinxhi, Keti Qirinxhin se po kërcënon nxënësit e gjimnazit, me qëllim që të mos marrin pjesë në protestë.

Studentët thonë se drejtoresha ka bërë statuse në rrjetet sociale kundër protestës dhe se sipas tyre, drejtoresha është koordinatore e Partisë Socialiste në këtë qytet.

“Larg politikës, drejtoresha bën presione ndaj nxënësve. Ajo është koordinatore e PS dhe këto rrënjë i ka shtrirë te nxënësit.”-janë shprehur nxënësit.

Ora 10:46
Dita e 9-të/ Protestë e studentëve edhe në Gjirokastër (VIDEO)

Protesta e studentëve ka nisur edhe në Gjirokastër, paralelisht me protestën që po zhvillohet në Tiranë dhe në rrethet e tjera të vendit. Me pankarta në duar studentët e Universitetit Eqerem Cabej, kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Ora 10:38
'Jo politikë'/ Studentët e Politeknikut injorojnë protestuesit te Kryeministria, marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit (FOTO)

TIRANE - Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës kanë marshuar në këmbë nga sheshi "Nënë Tereza" në drejtim të Ministrisë së Arsimit me thirrje dhe pankarta për realizimin e 8 kushteve. Moment pikant ka qenë ai përpara Kryeministrisë, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" kur studentët e UPT nuk i janë bashkuar studentëve të tjerë, një pjesë e vogël e të cilëve kaluan edhe natën në të ftohtë aty.

Momenti kur studentët e UBT kalojnë tanget me protestuesit te Kryeministria

Me thirrjet "Jo politikë" dhe "Protesta është e studentëve", studentët e UPT kanë shmangur studentët e tjerë përpara ndërtesës qeveritare dhe kanë vijuar marshimin në këmbë drejt Ministrisë së Arsimit ku edhe është grumbulluar pjesa më e madhe e studentëve protestues. Ata kanë kërkuar që protesta e tyre të mos politizohet nga partitë politike, por të ketë në fokus vetëm problematikën e universiteteve dhe kërkesat e adresuara prej tyre. 

Ora 10:29
Protesta/ Rama sërish thirrje studentëve: Ejani bisedojmë, uljen e tarifave ta bëjmë para pushimeve të Vitit të Ri

Pas nisjes së ditës së 9-të të protestës së studentëve ka reaguar sërish kryeministri Edi Rama. Rama iu bën sërish thirrje studentëve për hapjen e një procesi dialogu. Kryeministri shton se 8 pikat janë pikënisja e një faze transformimi për Universitetet. Kryeministri thotë se nuk ka asnjë kusht dhe iu dërgon atyre përqafime dhe kurajo.

Reagimi i Ramës:

Të dashur studentë protestues, gjithçka na duhet tani është të ulemi dhe të flasim. 8 PIKAT janë për mua vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës sonë universitare. Dhe këtë transformim mund, duhet e do ta bëjmë VETEM SE BASHKU, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë. Adresimin e 8 PIKAVE duhet të nisim pa humbur kohë. Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s'ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktorreshë Monës e të Profesor Lulit. Unë jam gati dhe s'kam asnjë kusht, prandaj bëhuni mbarë e më çoni fjalë, kur e ku doni të takohemi. Përqafime dhe kurajo, sepse do ju duhet shumë kur ta kuptoni që kjo që keni nisur është ku e ku më e madhe, sesa ato 8 PIKA:-)

Ora 10:23
VIDEO/Nis protesta e studentëve para Kryeministrisë, gjimnazistët bojkotojnë sërish mësimin

Studentët e Universitetit të Tiranës dhe të disa prej fakulteteve kryesore kanë nisur protestën para Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Protesta e studentëve hyn sot në ditën e 9-të, ndërkohë që me thirrjet: "8 pika. Dy sheshe. Një kauzë", studentët kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre. Ndërkohë që edhe gjimnazistë nga gjimnazet kryesore në Tiranë kanë bojkotuar sërish mësimin.

Ora 10:04
Procedimi i 25 protestuesve/ Basha: Hajduti psikik dhe vartësit nuk hetohen penalisht, u kapën duke vjedhur para

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas procedimit penal për 25 protestuesit që bllokuan dje rrugën tek Zogu i Zi. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha thotë se për tenderin e Unazës së Re nuk u procedua askush, ndërsa studentët që bllokuan rrugën tek Zogu i Zi procedohen penalisht.

Kapen duke vjedhur dhe pastruar 30 milionë euro, por as hajduti psiqik dhe asnjë nga vartësit e tij nuk është duke u hetuar penalisht. Ngritën zërin kundër qeverisë, të drejtë të cilën ja u ka dhënë Zoti dhe Kushtetuta dhe ka filluar procedimi penal për 25 qytetarë të lirë.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 09:47
Korçë/ Protestës së studentëve i bashkohen edhe gjimnazistët, marshim në qytet (VIDEO)

Ka nisur edhe në Korçë protesta e studentëve të cilët janë solidarizuar prej disa ditësh me protestën 9 ditore të studentëve të Tiranës. Studentëve të Universitetit "Fan Noli" i janë bashkuar edhe gjimnazistët. Ata janë nisur në këmbë nga ambientet e Universitetit dhe kanë marshuar në qytet, ndërsa në duar mbanin pankarta me mbishkrime për realizimin e tetë kërkesave. 

Ora 09:32
Nis protesta e studentëve edhe në Sarandë: S'duam dialog, plotësoni kërkesat

Nis protesta e studentëve edhe në Sarandë. Studentët e Filialit të Universitetit të Tiranës, dega Ekonomik dhe ata të degës së Infermierisë, pjesë e Universitetit të Mjekësisë janë ngritur në këmbë për realizimin e tetë kërkesave. Me thirrjet "S'duam dialog, plotësoni kërkesat" studentët në të gjithë vendin kanë bojkotuar mësimin dhe protestojnë prej 9 ditësh.

Ora 09:13
Dita e 9-të e protestës së studentëve, nis organizimi edhe në Shkodër (VIDEO)

Ka nisur dita e 9-të e protestës së studentëve në Shkodër. Studentë të Universitetit Luigj Gurakuqi janë mbledhur në këtë qytet në mbështetje të protestës së studentëve në Tiranë. Ditën e djeshme studentët e Shkodrës protestuan, madje disa autobusë u nisën në Tiranë.

Ora 09:10
Protesta/ Deputetët e LSI hyjnë në Kuvend, dorëzohen amendamentet për studentët (VIDEO)

Dy deputetet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Floida Kërpaçi dhe Kejdi Mehmetaj, kanë shkuar mëngjesin e sotëm në Kryesinë e Kuvendit, ku kanë dorëzuar dy amendamentet e LSI-së për plotësimin e kërkesave të studentëve.

Mehmetaj u shpreh se votat e LSI janë për studentët. “Votat tona janë për studentët. Rama tentoi të bëjë shoë, donim të ishim pjesë e protestës.”-u shpreh Mehmetaj.

Më herët ishte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi që kërkoi votimin me urgjencë të dy amendamenteve, njëri që 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për Arsimin dhe tjetri, për krijimin e një Fondi Emergjence që do të shërbente për investimet në infrastrukturën arsimore.

Ora 08:35
Një grup studentësh kaluan natën jashtë edhe te Ministria e Arsimit (VIDEO-FOTO)

Edhe te Ministria e Arsimit një grup studentësh kanë kaluar natën jashtë sikurse te Kryeministria (Lexo këtu). Ata kanë qëndruar përballë Ministrisë edhe pse temperaturat kanë zbritur nën zero. Siç duket edhe nga këto foto të siguruara nga "Shqiptarja.com", studentët kanë ndezur edhe një zjarr në anë të rrugës.

Ora 08:07
Protesta e studentëve, Kryemadhi: Gjendja, kritike. Të plotësohen kërkesat

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka dalë në një konferencë urgjente nga selia e LSI-së, për situatën e studentëve në vend. Kryemadhi tha se gjendja është kritike. Kryemadhi propozoi dhe dy amendamente të cilat sipas saj duhen votuar nesër me urgjencë në parlament. (Lexo këtu fjalën e Kryemadhit)

Shqiptarët të rrënuar nga mjerimi, të përkulur nga situata. Gjendja është kritike, mijëra student po përballen me mjerimin dhe arrogancën e qeverisë. Zgjidhja e problemeve është emergjenca kryesore. Mesazhi është një: plotësimi i 8 kërkesave të tyre. Kërkesat e tyre janë minimale.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së

Ora 08:00
Nata e parë jashtë, pak studentë u rezistojnë temperaturave të ulëta (VIDEO-FOTO)

Nata e parë e protestës së studentëve para Kryeministrisë ka kaluar pa probleme. Mes temperaturave të ulëta që kanë arritur në minus 2 gradë C studentët kanë qëndruar para Kryeministrisë të mbuluar me batanije. 

Turma që qëndroi dje para Kryeministrisë është shpërndarë dhe shumë pak të rinj kanë rezistuar që të qëndrojnë jashtë deri në mëngjes. Të rinjtë janë mbuluar me batanije,e kapucë, ndërsa qytetarë të ndryshëm iu kanë dhënë atyre ushqim.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fraiku: 12/12/2018 14:45

    Del Monika pa makiazh, e veshur me bluze trikotazhi dhe i qan hallin studenteve, o pike e seze. Mona duhet te kishe dale sebashku me femijet e tu dhe tu thoje studenteve se perse studiojne ne Mbreterine e Bashkuar. Si i perbalon cifti Mona dhe Like floriri gjithe keto shpenzime? Vilen ne Lalez? Apartamente dhe luks pafund? A jante mundura keto vetem me paga nenpunesi? Del Kerpaci dhe Mehmetaj pa make up, me te shpifura se kurre me ate fjalor prej rrugacesh qe lexuam neper sms. Keto jane shembulli i rinise? Zoti Rama plotesoi kerkesat studenteve edhe perse ata te nxitur nga gangesteret e llojit Sali Lusha nuk pranojne as dialog. Plotesoja keto nevoja jetike dhe jepi grushtin e fundit forcave anti shqiptare te koruptuara PD - LSI. Situata eshte e papranueshme me per ata qe ju votuan. Plotesoji studenteve kerkesat e tyre te drejta, nese shtojne te tjera duke perdorur ultimatume atehere drurin e kane pak.

    Përgjigju
  • alb: 12/12/2018 14:44

    Ajo e djeshmja ishte skandal i madh mediatik...teater pa lek...

    Përgjigju
  • Liku: 12/12/2018 11:04

    Pse kerkon me z.Rama te uluni per bisedime????? Ju bisedimet i filluat mbreme tek Dudushi. Tani vazhdoni punen. A e kupton ku ke rene z. Rama? Po Endri Fuga qe te bani gazi i botes cfare te thote? Tani me vjen turp qe je Kryeminister i vendit tim. Ti qe bertet per fake news (lajme te rreme),qe po i denon lajmet e rreme me ligj BAN NJE EMISION KOMLET TE RREME. TURP TURP TURP.Tesh dua te dalin komentuesit e Rilindjes te ma kundershtojn nese e kam gabim

    Përgjigju
  • toni: 12/12/2018 10:16

    cte ben partia sta ben as perendia...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Trupi i pajetë i 58 vjeçarit gjendet në ujrat e rezervuarit të Prrenjasit, familjarët kallëzuan në polici në 1 të natës

Trupi i pajetë i 58 vjeçarit gjendet në ujrat e rezervuarit të Prrenjasit, familjarët kallëzuan në polici në 1 të natës