POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Qëlloi katër herë me pistoletë në disko 'Havana', Gjykata e Vlorës mbyll në qeli të riun

Disko 'Havana' pas kaosit të shkaktuar nga të shtënat

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Emiljano Nina, i cili qëlloi katër herë me armë në një lokal nate në Dhërmi. Seanca e cila drejtohej nga gjyqtar Hektor Sinanaj, ndërsa prokuror ishte Kledian Llaho është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Gjatë seancës, e cila ka zgjatur për rreth 20 minuta, i akuzuari nuk ka lëshuar asnjë deklaratë, ndërsa është njohur vetëm me akuzat e palës paditëse. Në fund trupi gjykues ka vendosur “Arrest në burg”. Emiljano Nina qëlloi katër herë në ajër në një lokal nate në Dhërmi, ndërsa ngjarja ishte fatmirësisht pa viktima, pavarësisht se gjatë ngjarjes personat që ndodheshin në disko kanë kaluar momente tmerri.

Një burim pranë prokurorisë së Vlorës tha për “Shqiptarja.com” se Nina nuk ka asnjë lidhje me Emiljano Nino (Tasho) të arrestuar dhe dënuar nga Apeli Tiranë në nëntor të 2016 me 14 vite burg për vrasjen e Enton Nikaj në një lokal në zonën e malit të Dajtit. “Janë dy persona të ndryshëm që kanë të gjeneralitete të njëjta” - thanë burimet pranë akuzës së Vlorës.

Sipas burimeve të dyja palët janë konfliktuar njëri me tjetrin ku debate fillimisht ka nisur për femra, ku më pas Emiljano, ka përdorur armën duke qëlluar katër here në ajër. Nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim policor dhe një person tjetër me mbiemrin Paço, si i implikuar në ngjarje por ky i fundit nuk është arritur ende të lokalizohet dhe arrestohet nga uniformat blu.

23-vjeçari Nina u përball në gjykatën e Vlorës me tre vepra penale. Prokurori i çështjes, ka administruar të gjithë materialin që ka servirur policia, duke arritur në konkluzjonin se Nina, duhet të qëndrojë në masën e “arrestit në burg”. Ndaj Nina janë ngritur tre akuza, dhe më konkretisht “Armë mbajtje pa lejë”, “Kanosje” dhe “Prishjes e qetësisë publike”.

Sipas burimeve të prokurorisë në këtë përplasje mes dy grupeve të përbërë nga djem të ndryshëm që kishin frekuentuar ambientet e “Clab Havana”, nuk ka pasur asnjë të lëndur. “Të vetëm që janë lënduar pak, kanë qenë disa klientë të cilët kanë marrë disa gërvishtje nga xhamat, të cilët janë thyer nga plumbat”- thonë burimet pranë prokurorisë.

l.q.
Komento