Qeverisja përmes fjalimeve

Qeverisja përmes fjalimeve
Në kohën e Luftës së Ftohtë tregohet anektoda e diferencës midis ekonomisë amerikane dhe sovjetike të makinave. Makinat amerikane e bazonin forcën dhe investimin tek shpejtësia dhe siguria, kurse ajo sovjetike tek boria e lartë dhe zbukurimet e jashtme. E cituar në dhjetra raste si simbolikë e dallimit midis dy modeleve, ky krahasim vlen të rikthehet si gjetje e duhur edhe në kontekstin e sotëm politik dhe ekonomik shqiptar në raport me atë europian (BE). Argumenti është i prekshëm dhe i përditshëm.
Në çdo vend demokratik, ku vendimmarrja dhe përfaqësimi ndodh në institucione, ku demokracia funksionale bazohet në sjellje e mentalitet institucional, ku logjika e ligjit, ndjenja e moralit dhe e përgjegjësisë publike dominon mbi interesa të tjera personale, grupore apo partiake, - çdo ditë marrim e japim lajme të modelit amerikan të politikës: politikanë, qeveri dhe parlamente që debatojnë e marrin vendime tranparente, që konsultohen dhe ofrojnë projekte e zgjidhje për qytetarët, që përballen me sfidat, dështimet e sukseset; që kërkojnë mekanizma e energji të reja për përshpejtimin e reformave dhe që pranojnë e nxisin rotacionin e elitave politike.

Tjetër model ofron përvoja e disa vendeve ish komuniste, përfshirë Shqipërinë. Ashtu si në modelin e vjetër sovjetik këtu politika dhe institucionet personalizohen, vendimet merren jashtë institucioneve, pa pjesëmarrjen e publikut, në një rreth të kufizuar individësh që kontrollojnë politikën dhe ekonominë. Këtu energjia dhe pasuria e vendit përdoret për reklamën, boritë, imazhin e jashtëm, - pa pasur dhe pa realizuar projekte konkrete për qytetarët e shoqërinë. Në SHBA Presidenti Obama flet për shëndetësinë si prioritet i axhendës së tij, në Gjermani Merkel flet për stabilitetin e eurozonës si prioritet i axhendës së saj, në Itali e Greqi qeveritë kanë vetëm një prioritet: stabilitetin ekonomik dhe evitimin e krizës, kurse tek ne, brenda një dite qeveria ofron 4-5 prioritete, titullarët e saj mbajnë 3-4 fjalime me premtime, pa pasur kriter cilësor vlerësues, as rezultat konkret, as projekte konkrete zhvillimi, as plan për zgjidhjen e afërt ose të largët. Thjesht, retorikë, fjalime, premtime dhe kështu, - dominim të jetës politike e ushqimin e publikut me fjalë!

Për pasojë pas 21 vitesh ne ende nuk kemi zgjidhur asnjë çështje plotësisht, as pronat, as legalizimet, as privatizimet, as kompensimin e ish të përndjekurve, as institucionet e pavarura, as drejtësinë efektive, as policinë apartiake, as administratën publike, as mirëqeverisjen vendore, as dialogun institucional dhe natyrisht, as integrimin europian. Në praktikat perëndimore vendimi jepet në fund të mbledhjeve, kur bëhen debate e analiza institucionale; në praktikën tonë përfundimet jepen në fillim të mbledhjes, përpara kamerave televizive, e më pas vijon “debate” në mbledhje. Në perëndim ditët simbolike (1 maji, 1 qershori, 8 marsi, 14 shkurti, etj, apo ditët lokale simbolike siç ne i kemi (7 marsi, 20 shkurti, 8 dhjetori, 13 marsi, 28 nëntori, etj) kanë simbolikë te veçantë dhe bazohen në reflektim, protestë apo nismë ligjore e politike për përmirësimin e gjendjes, kurse tek ne, - koncerte festive, fjalime pompoze, administratë që urdhërohet në listë e në heshtje të duartrokasë prijësin e radhës, fëmijë që keqpërdoren për tu bërë sfond i mitingjeve, retorika boshe me parulla, sulme denigruese palës tjetër dhe premtime të përgjithshme, - asgjë konkrete, asnjë projekt, asnjë draftligjor, asnjë reflektim nga gabimet dhe asnjë shenjë të sjelljes demokratike e institucionale.

Më 1919 Kosta Çerkezi këshillonte të huajt se “Shqiperia eshte nje vend ballkanik dhe duhet te gjykohet me standardet e veta, jo ato europiane”. Prej një shekulli, - kur shohim se çdo regjim e qeveri krekoset e vetshpallet modeli më i mirë, fati ynë historik apo ekipi më i sukseshëm, ndërkohë që kur bien regjimet dhe qeveritë të gjithë pranojnë se u ndamë prej një të keqeje të madhe, - Shqipëria e vitit 2012 vijon të jetë një demokraci e brishtë, një shoqëri parademokratike, një iluzion suksesi, fatekqësisht e denjë për etiketimin e modelit sovjetik të qeverisjes me fjalime, bori e reklama.

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Votimi pro anëtarësimit të Kosovës, 'tërbohet' Daçiç: Ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Votimi pro anëtarësimit të Kosovës, 'tërbohet' Daçiç: Ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës