Radikalizmi e ekstremizmi, Bushati:
Shqipëria e angazhuar ndaj fenomenit

Radikalizmi e ekstremizmi, Bushati:<br />Shqipëria e angazhuar ndaj fenomenit
Në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në aktivitetin “Lufta kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit” ku ka deklaruar se Shqipëria ka qenë dhe vijon e angazhuar për të luftuar këtë fenomen.

Duke u ndalur në sfidat dhe rezultatet e arritura në luftën kundër këtij fenomeni, Ministri Bushati nënvizoi se: "Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë të vendosur në përpjekjet globale për t'iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Ne thuajse kemi zeruar numrin e luftëtarëve të huaj nga Shqipëria gjatë vitit të fundit. Edhe pse koalicioni global kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik ka bërë përparime, Shqipëria, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të rajonit, tani po përballet me sfidat që paraqesin të kthyerit nga zonat e luftimeve".

Të pranishmit ndanë pikëpamje mbi ecurinë dhe koordinimin e përpjekjeve në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe rolin e agjencive ligjzbatuese, edukimit, medias, komuniteteve fetare dhe masave të ndërmarra nga qeveritë respektive në këtë drejtim. 

Ministri Bushati i njohu të pranishmit me angazhimet dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke u ndalur në hapat shtesë që Shqipëria po ndërmerr për parandalimin e shkaqeve të radikalizmit, veçanërisht në futjen e kurrikulave për tolerancën fetare në tekstet shkollore dhe forcimin e rolit të institucioneve arsimore, si kontribues të kohezionit shoqëror.

Qeveria shqiptare i kushton një vëmendje të madhe rolit të arsimit në përballimin e fenomenit, duke i konsideruar shkollat jo vetëm si institucione arsimore, por edhe si katalizatorë të zhvillimit dhe kohezionit social. "Arsimi është ndoshta veprimi më i plotë dhe afatgjatë, ku qeveritë tona duhet të investojnë për të ndërtuar breza të ardhshëm të fortë dhe rezistentë në përballimin e kërcënimeve të tilla", u shpreh Ministri Bushati.

Të pranishmit shprehën rëndësinë e vijimit të bashkërendimit të përpjekjeve globale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe hartimit e zbatimit të paketave të posaçme strategjike, sociale, politike, ligjore, edukative dhe ekonomike që kanë rezultuar të suksesshme në luftimin e fenomenit. 

Ky aktivitet u iniciua nga Shqipëria, në bashkëpunim me SHBA-në, Vatikanin, Jordaninë, Marokun dhe UNESCO-n.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Arrestimi i Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH

Arrestimi i Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH