Raporti i DSIK: Gjyqtari Faqolli i korruptuar dhe i lidhur me krimin

Raporti i DSIK: Gjyqtari Faqolli i korruptuar dhe i lidhur me krimin

Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Tiranës, Astrit Faqolli, duke hedhur poshtë një raport të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i cili ngre dyshime të forta se gjyqtari ka patur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar si dhe është implikuar në një veprimtari korruptive.

Raporti i DSIK është bazuar mbi informacione të disponuara nga Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme dhe vetë DSIK. “Për subjektin e rivlerësimit, Astrit Faqolli, administrohen. . . informacione..., nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Informacioni i ardhur nga institucioni verifikues bën me dije se në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, Astrit Faqolli, disponohen të dhëna të vitit...., nga të cilat ngrihen dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv”, thuhet në raportin e DSIK. Sipas raportit, bazuar në informacionet e administruara nga DSIK, gjyqtari është përfshirë në një veprimtari korruptive si dhe subjekti rezulton individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga struktura kriminale.

Informacionet që disponohen në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, Astrit Faqolli, për implikimin e tij në një veprimtari korruptive, evidentojnë rrethanat e konstatimit të faktit se ekziston një kontakt i papërshtatshëm, sipas përcaktimit të pikës 6, të nenit 3, të ligjit nr. 84/2016 në formën e një takimi të qëllimshëm në papajtueshmëri me ushtrimin e detyrës së subjektit të rivlerësimit. Referuar këtij informacioni, subjekti i rivlerësimit, Astrit Faqolli, rezulton individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga struktura kriminale, sipas përcaktimit të germës “c” të nenit 37 të ligjit nr. 84/2016.

Shkuhet në raportin e DSIK

Rrethana lehtësuese

Megjithatë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, thotë në raport se informacioni verifikues i përket periudhës para datës 01.01.2012, çka nuk mund të merret parasysh sipas ligjit të Vetingut. Ligji parashikon që nëse një gjyqtar apo prokuror ka pasur kontakte me krimin para 1 janarit 2012, kjo është një rrethanë lehtësuese në favor të konfirmimit në detyrë.

Sipas përcaktimit të pikës 8 të nenit 3 të ligjit nr. 84/2016, që përfshin veprat penale, që sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale janë në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ose të çdo gjykate tjetër që mund ta zëvendësojë atë në ushtrimin e këtyre kompetencave, subjekti i rivlerësimit është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit kryer në bashkëpunim. . . Merret në konsideratë si rrethanë lehtësuese fakti që informacioni i institucionit verifikues..., pra para periudhës së përcaktuar në ligj-01.01.2012.

Shkruhet në raportin e DSIK

KPK hedh poshtë raportin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hedhur poshtë si të pasaktë raportin e DSIK-s për gjyqtarin Astrit Faqolli. “Në këto kushte, duke analizuar raportin e ardhur nga DSIK-ja dhe organet ligjzbatuese, duke bërë një studim të thelluar të tyre, duke administruar provat e tjera në lidhje me çështjen, Komisioni çmon se informacioni mbi të cilin ka ardhur rekomandimi i DSIK-së rezulton i pasaktë dhe i pabazuar në prova dhe fakte, për pasojë subjekti Astrit Faqolli konsiderohet i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës”, arsyeton KPK. Sipas KPK, grupi i punës i përbërë nga SHISH, SHKÇBA dhe DSIK i nuk ka bërë një kontroll të plotë siç e parashikon ligji.

Raporti i Grupit të Punës së DSIK-së (informacioni që përmbante)iu nënshtrua një hetimi administrativ të thelluar, i cili konsistonte në verifikimin e rrethanave që merren parasysh në konstatim, si dhe rrethanave lehtësuese, të rrjedhura nga informacioni që kishte marrë Grupi i Punës dhe kishin çuar në konstatimin e papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës, si dhe vërtetësisë së ngjarjes konkrete, me qëllim gjetjen e provave, për realizimin e një procesi të rregullt ligjor. Komisioni konstatoi se informacioni i përcjellë nuk përmban elementet e parashikuara nga neni 38 i ligjit nr. 84/2016 dhe ai konsiderohet i paplotë. Informacioni në çdo rast duhet të jetë i bazuar mbi prova të sakta, kjo është edhe fryma e ligjit për krijimin e grupit të punës. Nëse Grupi i Punës nuk do të bëjë një verifikim të plotë, atëherë ai rrezikon të nxjerrë përfundime të gabuara dhe të rëndojë pozitën e subjekteve të rivlerësimit. Në këtë rast, Grupi i Punës nuk ka kryer verifikime të mëtejshme, duke arritur në konkluzion vetëm mbi bazën e informacionit të paverifikuar.

Argumenton KPK

Periudha kohore

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit argumenton se verifikimi i gjyqtarit dhe prokurorit, sipas Kushtetutës dhe ligjit të Vetingut, bëhet vetëm pas periudhës 01.01.2012.

Po ashtu, duhet theksuar se në pikën 2 të nenit Dh të Aneksit të Kushtetutës është sanksionuar se deklarata e detajuar (prej së cilës fillon edhe verifikimi i figurës), mbulon periudhën nga data 1 janar 2012 deri në ditën e deklarimit, sipas ligjit -dhe ky është kriter kushtetues. Informacioni i përdorur për arritjen në konkluzion nga Grupi i Punës nuk i përket kësaj periudhe. Për të krijuar bindjen e brendshme, si dhe për të plotësuar kuadrin e procesit hetimor administrativ, Komisioni administroi dhe shqyrtoi fashikullin e plotë të procesit të ndjekur nga subjekti në pozicionin e …. në vitin .…për rastin në fjalë.

Thotë KPK

Lidhja me krimin, rrethanat lehtësuese për gjyqtarët dhe prokurorët

Subjekti i rivlerësimit në mënyrë të besueshme parashtron se nuk është në dijeni të faktit se personi është i përfshirë në krimin e organizuar.

Marrëdhënia familjare e subjektit të rivlerësimit me personin e përfshirë në krimin e organizuar është e largët, ose ka kontakte familjare të rralla.

Subjekti i rivlerësimit ka qenë i hapur, i besueshëm dhe i plotë në lidhje me kontaktet dhe është distancuar prej tyre. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me kohëzgjatjen e kontakteve ose me perceptimin e arsyeve të veprimeve të ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit.

Subjekti i rivlerësimit ka qenë në dijeni që personi është i përfshirë në krimin e organizuar, por nuk ka qenë në dijeni të faktit se ai do të ishte i pranishëm në një takim, ose është mashtruar për një takim të tillë.

Kontaktet e subjektit të rivlerësimit kanë qenë pesë vjet më parë dhe nuk ka ndonjë tregues që ato vazhdojnë ende. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me shkallën e seriozitetit të kontakteve dhe/ose me rrethanat.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale