Raporti i FMN: Shqipëria, me ecuri më të dobët se Europa në zhvillim, investimet rishikohen me ulje

Raporti i FMN: Shqipëria, me ecuri më të dobët se Europa në zhvillim, investimet rishikohen me ulje

Rritja ekonomike në Europën Juglindore

Ndonëse Shqipëria është ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Europën Juglindore, kjo nuk reflektohet në treguesit e tjerë  makroekonomisë, të cilët janë më të përkeqësuar se mesatarja e rajonit dhe e Europës në zhvillim.

Sipas tabelave të raportit ekonomik rajonal për Europën, “Të menaxhosh rritjen në kohë të pasigurta” , të sapopublikuar nga FMN, rezulton se në drejtim të rritjes së kredisë, inflacionit, deficitit të llogarisë korente (hyrje daljet e valutës), borxhit publik, kërkesës së brendshme, Shqipëria kryeson listën nga fundi.

Shqipëria është e treta në Europën në zhvillim për nivelin e lartë të kredive me probleme, pas Ukrainës dhe Moldavisë, pavarësisht se niveli i tyre është ulur në rreth 13%. Me 6.7% të PBB-së, vendi ynë ka deficitin e llogarisë korente të tretin më të lartë pas Malit të Zi dhe Ukrainës. Rritja e kredisë si për bizneset ashtu dhe për konsumatorët është ndër më të ulëtat në Europën në zhvillim, afër zeros.

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.7% në vitin 2018, sipas parashikimit që është mbajtur i pandryshuar që nga tetori i vitit 2017. Ndonëse me rritjen më të lartë pas Kosovës (që e ka 4%), zgjerimi i konsumit pritet të jetë vetëm 2.4%, më i ulëti nga gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore (Bosnja e pret këtë tregues 4%, Mali i Zi 3.5%, Maqedonia 2.7%, Serbia 3.1%.

Rritja ekonomike nuk ka arritur të nxisë as inflacionin, që është rishikuar në ulje për periudhën 2017-2019 me 0.1-0.4 pikë përqindje. Edhe për vitin 2018 inflacioni pritet të jetë 2.5%, poshtë objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Investimet e brendshme janë rishikuar në ulje për vitin 2018, me 0.8 pikë përqindje, në 23.7%. Edhe për 2019-n pritshmëritë kanë më të ulët me 0.2 pikë përqindje, në 24.2%.

Shqipëria ka dhe nivelin e borxhit publik më të lartin në rajon, për më tepër të rishiuar në rritje. Për vitin 2018 borxhi publik pritet të arrijë në  71.3%, i njëjti niveli me 2017-n dhe 2.3 pikë përqindje më i lartë sesa pritshmëritë e tetorit. I vetmi tregues që është rishikuar pozitivisht ai i papunësisë, që pritet të reduktohet më shumë se parashikimet e tetorit. Për 2018-n, papunësia pritet 13.7%, nga 13.8% që ishte pritshmëria e tetorit.

Ballkani Perëndimor një pikë ujë në oqeanin eknomik të Europës

Vendet e Europës Juglindore, që nuk janë ende pjesë e BE-së zënë një pjesë të papërfillshme të ekonomisë europiane, vetëm 0.8% të prodhimit të brendshëm bruto të Europës. Sipas raportit, Shqipëria zë vetëm 0.1% të prodhimit të brendshëm bruto të Europë, së bashku me Kosovën dhe Maqeedoninë. Pesha e Serbisë është 0.4%, e Bosnjës 0.2% dhe ajo e Malit të Zi pothuajse zero.

Lajme të mira nga Europa

Ecuria ekonomike e Europës, nga e cila varet ngushtësisht dhe Shqipëria, sidomos për eksportet dhe investimet, pritet të jetë pozitive.

FMN thotë se Europa vazhdon të gëzojë rritje të fortë. Aktiviteti është forcuar në shumë ekonomi dhe parashikimi është për rritje të mëtejshme. PBB-ja reale u rrit me 2.8 për qind në vitin 2017, nga 1.8 për qind në vitin 2016. Zgjerimi është kryesisht i nxitur nga kërkesa e brendshme. Më në fund, rritja e kredisë është përshpejtuar, gjë që po ndihmon bankat e Evropës të rrisin përfitueshmërinë.

Parashikimi i FMN është që rritja të mbetet e fortë, duke arritur në 2.6 përqind në 2018 dhe duke rënë në 2.2 përqind në 2019. Pavarësisht kësja ecuri pozitive rregullimet fiskale dhe përpjekjet për reformën strukturore kanë mbetur pas.

Inflacioni dhe rritja e pagave mbeten të dobëta në ekonomitë më të përparuara dhe parashikohen të rimëkëmben shumë gradualisht, duke pasur parasysh mungesën e lirisë në tregjet e punës. Në Evropën qendrore dhe lindore, nga ana tjetër, kur ekonomitë janë ciklikisht shumë më përpara, pagat po rriten me shpejtësi dhe inflacioni pritet të rritet ndjeshëm në 2018, duke ndikuar në mënyrë potenciale konkurrueshmërinë.

Në pjesën më të Europës në Zhvillim, po vazhdon rritja e fortë ciklike. Rajoni e ka dyfishuar rritjen ekonomike në 3.7 për qind në 2017-n, nga 1.6 përqind në vitin 2016, niveli më i lartë në 6 vite./Monitor/

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

I dehur në timon, arrestohet efektivi i policisë në Rrogozhinë

I dehur në timon, arrestohet efektivi i policisë në Rrogozhinë