Rasti i Malit të Zi dhe dy standardet e Brukselit?!

Rasti i Malit të Zi dhe dy standardet e Brukselit?!

Selia e BE në Bruksel

Shqipëria mundet sërish të ketë një shpresë të madhe, sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit, por gjasat janë të mëdha që ajo bashkë me Maqedoninë ta kalojnë këtë prag një vit më vonë. Është dashur gati gjysmë dite debat në Këshillin e Evropës për të shqyrtuar gjetjet dhe lobimet pro-kundër dy shteteve të Ballkanit Perëndimor, që me sforcime të stërmëdha kanë ndërmarrë reforma me kosto të larta, ndërkohë që Maqedonisë i është dashur edhe të përshtasë emrin në një konflikt çerek-shekullor me Greqinë.

Kushtet janë njësoj, porse të dy vendet duhet të paraqesin fakte reale sa i përket marrëveshjes së emrit dhe luftën ndaj korrupsionit në Maqedoni, me përballjen e “peshqve të mëdhenj” pas hekurave në Shqipëri, reformat e gjyqësorit, shërbimeve të sigurisë, administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit. Lista nuk mbaron këtu…

Ashtu si ka ndodhur dhe me procedura të tjera ndaj vendeve të Ballkanit, Brukseli është mjaftuar me një “po” gjysmake, por që përkthehet në hapje të negociatave edhe pas disa detyrave shtesë. Gjithsesi, i dhimbshëm është sistemi me dy standarde i Brukselit.

Pse nuk ndodhi një gjë e tillë me Malin e Zi?! Pse jo kështu me Serbinë? Pse kaq detyra për vendet tona dhe jo për ata që e lanë me gjak Ballkanin. Këtu duhen pyetur ndjenjat e burokratëve të Brukselit, për të cilët ndjeshmëria ndaj popujve sllave është gjithnjë ndryshe.

Serbia dhe Mali i Zi i filluan negociatat kur ishin sëbashku në Federatën e vogël të ish-Jugosllavisë, ngushtuar pas luftërave që i shkaktuan Ballkanit Perëndimor qindra-mijëra të vdekur. Pasi Mali i Zi u nda nga kjo njësi kushtetuese me pavarësinë që shpalli më 2006, për gjatë të gjithë pak viteve në vazhdim, ajo kapi kohën e vendeve të tjera, që aspironin për BE dhe madje i kaloi!!! Në vitin 2010, Komisioni Evropian lëshoi ​​një sugjerim të favorshëm për aplikimin e Malit të Zi, duke identifikuar shtatë përparësitë kyçe, që duhej të adresoheshin për fillimin e negociatave dhe Këshilli i dha atij kandidatin status.

Në dhjetor 2011, Këshilli filloi procesin e anëtarësimit me qëllim të hapjes së negociatave në qershor 2012. Negociatat e pranimit me Malin e Zi më pas filluan më 29 qershor 2012. Sot, me gati 30 kapituj të hapur, vendi mikroskopik gëzon një mbështetje të gjerë midis zyrtarëve të anëtarëve të BE dhe pranimi i vendit në BE konsiderohet i mundshëm deri në vitin 2025. Në vlerësimin e vitit 2016 të progresit të pranimit, Komisioni Evropian e ka identifikuar Malin e Zi si vendi me nivelin më të lartë të përgatitjes për anëtarësim midis shteteve simotra negociuese. Falë këtij zhvillimi: Mali i Zi po merr aktualisht 507 milion euro grande zhvillimore deri në vitin 2020 nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit, një mekanizëm financimi për vendet kandidate të BE. 

Po çfarë ka ndryshe ky shtet vocërrak, për të cilin duhet marrë shembull?! Më e dukshmja është se ka një president të identifikuar për trafik dhe një nga mbështetësit më të afërt të  Millosheviçit, paçka se ishte edhe nga të parët që ndau rrugën me të. Milo Gjukanoviç është rikthyer në pushtet, para pak muajsh, dhe me të gjithë gjasat do jetë rizgjedhur sërish më 2023, që do të thotë do hapë shampanjën e anëtarësimit për Malin e Zi në Evropë më 2025. 

Po a është drejtimi i këtij njeriu dhe partisë së tij histori suksesi? Historia përgjigjet me një “Jo”- të madhe. Formacioni i tij dhe vetë emri Gjukanoviç ishin nga më të njohurit sa i përket kontrabandës së cigareve, një tregti që kulmoi gjatë sanksioneve të OKB kundër Jugosllavisë në vitet 1990, ashtu si kontrabanda e famshme e karburantit me Shqipërinë, një akt që sot është harruar krejtësisht në dy vendet tona. 

Nëse do të shikosh në Malin e Zi pas një paqësie në dukje, ke frikën e krimit dhe problematikave të tjera, anipse jo aq të ekonomisë, që falë industrisë së turizmit po mëkëmbët dukshëm, krahasuar me simotrat e tjera ballkanike. Ajo është rritur më 2017 me 4.3 përqind dhe ke ende premisa pozitive! Po a mund të quhet realisht ndryshim ky, në një vend ku njerëzit përgjegjës mbesin, në thelb, ata të njëjtët e dekadave të fundit. Mali i Zi ka të njëjtat elita drejtuese dhe opozita është e pafuqishme të përballë forcën e formacionit të Gjukanoviçit. Madje Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviç qeveris vendin që kur nisi sistemi shumëpartiak  në 1990 në kuadër të federatës jugosllave.

Shtuar me faktin se ky formacion është pasardhësi i Lidhjes Komuniste të Malit të Zi, i bie që të jetë në pushtet që kur ishte në pushtet nën regjimin titist nga viti i largët 1945. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se me vite ajo ka manovruar habitshëm duke bërë aliazhe të shumëllojta, ku shqiptarët kanë qenë një nga patericat e tyre të vazhdueshme! Rezultati i këtij ndikimi: DPS ka prekje në të gjitha sektorët, duke filluar prej sektorit publik, burokracisë, policinë dhe aparatin e sigurisë, dhe kuptohet mediat.

Indekset e sotme të lirisë janë të frikshme sepse Freedom House regjistron rënie të standardet demokratike në vend, duke e ulur atë nga “i lirë” në “pjesërisht të lirë” në vitin 2016. Reporterët pa kufije renditën Malin e Zi në vendin e 106 nga 180 vende, një diferencë e frikshme me vendin e 53-të pozicionuar një dekadë më parë.

Dhe nuk mbaron këtu, por Mali i Zi po vuan gjithashtu nga një sistem gjyqësor me shumë probleme dhe me kërcënime të vazhdueshme të gazetarëve në terren, madje duke përdorur dhe armët e zjarrit. Dhe, kjo është e fundit, por jo më e parëndësishmja, Prokurori Special, i ngritur për të luftuar krimin e organizuar, e ka kaluar kohën më të madhe me krerët e opozitës, që i akuzonte për bashkëpunimin në grushtin e dyshuar të shtetit.

E megjithatë ky quhet pozitivitet për Brukselin. Po çfarë kanë më keq vallë Shqipëria dhe Maqedonia në këtë rast? Për këtë s’thuhet asgjë. Sepse Brukseli nuk ka parametra krahasues por vetëm vlerësues. Ndërkohë Shqipëria dhe Maqedonia kanë dhe një vit provë që t’u mbushin mendjen të gjithëve se vendet e tyre kanë ndryshuar.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Adro: 29/06/2018 20:56

    ..dhe per ironi te fatit Gjukanovici me te cilin merret ky njeri pa din pa iman, eshte shume me afer shqiptareve se cdo politikan tjeter me pushtet ne Mal te Zi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Si Lulzim Basha u dënua nga gjykata për shpifje për rastin e Olsi Ramës

Si Lulzim Basha u dënua nga gjykata për shpifje për rastin e Olsi Ramës