Raunig: Përkujtimi i të kaluarës
totalitare, garanton demokracinë

Raunig: Përkujtimi i të kaluarës<br />totalitare, garanton demokracinë
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, mori pjesë sot në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Presidencës me rastin e 65-vjetorit e masakrës ndaj 22 intelektualëve, pas së ashtuquajturës “bombë” në ambasadën sovjetike.

Ambasadori Raunig tha se përkujtimi, studimi, mësimi dhe të folurit për të kaluarën totalitare, janë mënyra që garantojnë të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Ai foli edhe për nevojën e një rishikimi të kujdesshëm të kurriklës arsimore, përmes një procesi përfshirës, në mënyrë që të rinjtë të njihen me të kaluarën e Shqipërisë në regjimin totalitar.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me ambasadën gjermane, është duke zbatuar një projekt që ka për qëllim nxitjen e diskutimeve dhe njohjen e të rinjve me të kaluarën e Shqipërisë.  

Ja fjala e plotë e ambasadorit Raunig
Zoti President, ju falënderoj për mikpritjen tuaj sot. Gjithashtu, falënderimet më të sinqerta për Institutin e Studimeve pë Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, jo vetëm për aktivitetin sot, por edhe për punën e tyre të palodhur me hulumtime akademike rreth kësaj pjese të dhimbshme të historisë së Shqipërisë.

 Jemi sot këtu që të kujtojmë ngjarjet e "Bombës në Ambasadën Sovjetike", që të jemi dëshmitarë të vuajtjeve personale dhe të ndikimit që ato ngjarje patën në shoqëri. Të dy këto aspekte janë thelbësore. Kurrë nuk duhet të harrojmë individët: ata që u arrestuan, ata që u ekzekutuan, edhe familjet e tyre që u degdisën në internim. Po ashtu, kurrë nuk duhet të harrojmë qëllimin kryesor dhe pasojat e atyre krimeve të tmerrshme, terrorizimin e popullit që synohej me ato akte, e sidomos të intelektualëve.

 
Kohët e fundit kemi parë përpjekje të shtuara në shoqërinë shqiptare për ta kujtuar dhe për t’u përballur vërtet me të shkuarën totalitare të Shqipërisë. Për këtë arsye, Prezenca e OSBE-së iu bashkua këtyre përpjekjeve dhe nisi një nismë në vitin 2015 - me mbështetjen e qeverisë gjermane - për të nxitur dialogun gjithëpërfshirës në rang kombëtar, se si të përballemi me këtë të kaluar. Po punojmë veçanërisht me rininë, duke ndarë me ta informacion për të kaluarën komuniste, përfshi këtu edhe rrëfimin e historive nga vetë personat e persekutuar.

 
Të rinjtë shpesh ende nuk njohin as elementët bazë të regjimit komunist. Prandaj, kemi mendimin se kurrikula arsimore duhet të rishikohet me kujdes - përmes një procesi përfshirës - në mënyrë që të rinjtë të mësojnë jo vetëm për fakte dhe ngjarje si ekzekutimet pas incidentit të "Bombës në Ambasadën Sovjetike", por edhe që të zhvillojnë vlerësimin kritik të ngjarjeve historike, si dhe të kuptojnë rolin e tyre në sistemet e mëdha të qeverisjes dhe shtypjes.

 
Përkujtimi i ditëve të rëndësishme të historisë është pjesë e një procesi më të madh, që është trajtimi i trashëgimisë së regjimit totalitar në Shqipëri. Përshëndesim nismat për shndërrimin e disa objekteve komuniste në objekte përkujtimore, si Shtëpia e Gjetheve në Tiranë dhe, veçanërisht, burgu i Spaçit. Për më tepër, Prezenca e OSBE-së po jep këshillim dhe ekspertizë për nismat që nxisin hapjen e drejtë dhe transparente të dosjeve të ish-Sigurimit.

 
Përkujtimi, studimi, mësimi dhe të folurit për të kaluarën totalitare, janë mënyra që garantojnë të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Historia i përket të gjithë shoqërisë, por është edhe thellësisht personale, duke na detyruar kështu të punojmë në të dyja këto nivele për të arritur plotësisht paqësimin me të kaluarën.

 Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)

 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit