Reagon rektori: Unë nuk bëj
presione, akuza të tilla janë turp

Reagon rektori: Unë nuk bëj <br />presione, akuza të tilla janë turp
TIRANE - Rektori i universitetit të Sporteve ka reaguar duke i quajtur të turpshme dhe të ulëta akuzat se ai ka ndërhyrë për t'i dhënë provimet dhëndrit të tij, megjithëse nuk ka qenë fare në Shqipëri. Madje ai e ka akuzuar stafin akademik se kanë nënvlerësuar të gjithë procesin mësimor, duke bërë që situata në këtë universitet të jetë kaotike. Ai pranon që dhëndëri i tij është student në këtë universitet, por mohon që të ketë ndërhyrë ndonjëherë për të ndikuar tek pedagogët në favor të të afërmit të tij. "Akuza të tilla janë të turpshme dhe shumë të ulëta. Shiko deri ku kemi arritur, sa të merremi edhe me gjëra të tilla. Unë di të them se në këtë universitetet ka sekretari mësimore, ka pedagogë lënde, shefa departamentesh dhe dekanë për secilin prej tyre. Le të dalë dikush prej tyre dhe të deklarojë se unë i kam kërkuar favore për dhëndrin tim, atëherë po që jam dakord. Këto janë gjëra lehtësisht të verifikueshme. Dhëndërri im është një person si gjithë të tjerët që ka të drejtë të ndjekë cilin fakultet të dojë, apo të mos shkollohet meqë është dhëndërri im?? Unë iu bëj thirrje të vini dhe të shikoni se çfarë bëjnë aktualisht këta pedagogë në universitetin e Sporteve, e kanë braktisur thuajse të gjithë procesin mësimor", - na shpjegon më tej rektori aktual, Vejsel Rizvanolli, i cili na thotë se gjatë ditës së nesërme me një ceremoni të madhe do të inaugurohen punimet e palestrës së re.

Përplasjet
Në fakt rektori Vejsel Rizvanolli, nuk mund të kryejë funksionet e veta, përveçse të mbledhë senatin akademik për të caktuar një datë zgjedhjesh. Kjo pasi, Universiteti i Sporteve është i vetmi universitet në vend që këtë vit nuk iu nënshtrua zgjedhjeve për drejtuesit e rinj. Kjo për shkak të një konflikti mes rektorit, Vejsel Rizvanolli që është kreu i senatit akademik dhe senatit akademik. Senati akademik, i cili ka për detyrë të miratojë rregulloren e zgjedhjeve, vendosi si kriter kandidimi të rektorit edhe moshën, pra nuk kishin të drejtë të kandidonin ata që gjatë kohës së mandatit të dytë mbushnin moshën për të dalë në pension dhe ndërprerë në mes mandatin e rektorit. Në fakt, kjo rregullore nuk mori firmën e kreut të senatit akademik, Rizvanolli, i cili kërkon një mandat të dytë, megjithëse nuk mund ta çojë atë deri në fund pasi mbush moshën e pensionit. Kjo përplasje bëri që fillimisht të pezulloheshin zgjedhjet, ndërkohë që aktualisht rektori Rizvanolli ka paditur senatin akademik në Gjykatën e Tiranës, për diskriminim për shkak të moshës. Gjatë ditës së sotme do të zhvillohet edhe seanca e parë, por profesorët e senatit akademik pretendojnë se nuk kemi të bëjmë me diskriminim, por me një kriter i cili duhet të respektohet, pasi çdo pozicion drejtues ka kritere të veçanta.

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Arrestimi i Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH

Arrestimi i Evis Berberit, qeveria emëron Gentian Gjylin në krye të ARRSH