Reformimi, që nuk u bë kurrë në PD

Reformimi, që nuk u bë kurrë në PD

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Situata më e fundit nëpër të cilën po kalojnë demokratët dhe partia e tyre, natyrisht lidhet edhe me mungesën e reformimit të kësaj force politike, një proces që kurrë nuk është bërë rregullisht qysh nga dita e krijimit të saj. Fazat nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike qysh nga krijimi i saj, kanë qenë delikate, kaotike, përçarëse, dhe shpesh kanë vënë në diskutim edhe ekzistencën e saj si forcë politike, siç ishte viti 1997. Duke sunduar “një dorë” siç ishte ajo e Berishës, gjithmonë PD është parë dhe trajtuar si “partia e Doktorit”, ndërsa ngritja cilësore dhe strukturimi saj është parë gjithmonë në funksion të afrimit ose largimit të saj nga pushteti.

Kjo parti ndahet sot në dy faza drejtimi dhe zhvillimi, në kohën e Berishës, dhe kohën e Lulzimit. Për afro 20 e ca vjet, Partia Demokratike pothuajse nuk ka përjetuar kurrë reforma të thella strukturore, veç faktit se ndarja e saj pas 1997 dhe ribashkimi në 2001, thjesht u shoqërua me qarkullime dhe zëvëndësime emrash, pavarsisht se ishin dhe mbeten të përfolur. Pas vitit 2013, kur fuqinë de jure e mori Lulzim Basha, çuditërisht kishte fare pak shpresa tek strukturat e kupolës drejtuese, se do të ndodhte reformimi i kësaj partie.

Dhe faktet flasin jo vetëm për stopimin e reformimit të saj si forcë politike e djathtë (jo europiane), por edhe shkarjen e saj drejt metodave dhe mënyrave marksiste të drejtimit. Humbjet e thella në zgjedhjet e fundit, e kanë detyruar PD të hyjë në një fazë të re “protestash”, duke konfirmuar shpërqëndrimin të plotë të strategjisë si parti opozitare, gjithmonë duke anashkaluar procesin e reformimit të saj.

Për PD është thelbësore të reagojë si një forcë politike serioze, e përgjegjshme , për të krijuar bilancet e saj si parti opozitare, dhe jo si kopje e keqe e një partie të majtë. Natyrisht protestat, akuzat dhe denoncimet, janë elemente thelbësore të aksionit opozitar, por ato bëhen serioze, kur janë të faktuara dhe me burime të besueshme. Por si mund ti besosh një partie dhe një kryetari si zoti Basha, kur në afro 9 muaj e gjysëm , nuk ka bërë të qartë kursin e saj politik, programin e saj opozitar, nuk ka kryer ribashkimin dhe reformimin e strukturave të saj, dhe nuk ka sqaruar në forume gjithçka lidhet me humbjet dhe marrëveshjet e fshehta.

Partia Demokratike duhej të krijonte një numër të pafundmë mundësish, duhet që përballë saj të vendoste shtabe me njerëz të aftë për të ndërtuar programe të pastra opozitare, dhe jo shembëlltyra të mashtrimit dhe banalitetit. Duke u përqëndruar më tepër tek “revolta popullore”, dhe tek denoncimet boshe “me qeveri të korruptuar dhe trafikuar” dhe jo tek serioziteti politik, Lulzim Basha ka krijuar një boshllëk të rrezikshëm në partinë e tij, që po i kushton shumë asaj. Kjo padyshim ka sjellë , mungesën e legjitimitetit, mungesën e identitetit politik, dhe shkatërrimin e brezave dhe bazës në PD.

Duke quajtur “reformim dhe ribashkim” protestat dhe denoncimet ndaj qeverisë, Partia Demokratike i kërkon qytetarëve “ejani të rrëzojmë Ramën dhe të sjellim në pushtet Lulzimin”. Për të qeshur dhe për të qarë. Mungesa e gjetjes së emëruesit të përbashkët, mes PD dhe qytetarëve, tregon mungesë serioziteti nga një partie e cila sot në opozitë duhej të kishte përfunduar të paktën procesin e reforimit të saj nga qendra deri në bazë.

Një e keqe e madhe që po ndodh prej vitesh në PD, mbetet edhe shkatërrimi i brezave, ose më mirë e “brezit të ri” siç e quajti Lulzim Basha ekipin që solli me listen e tij. Brezi i “ri” i PD , ka krijuar veçse negativitet, që është lehtësisht i dallueshëm mjafton të ndjekësh aktivitetet apo reagimet e tyre në parlament apo rrjetet sociale. Në PD sot mungon dhe po shuhet debati rreth ideve, dhe natyrisht mungon edhe identiteti politik si një parti e përgjegjshme opozitare.

Shumica në PD nuk mund të pajtohen me situatën e krijuar nga lidershipi kësaj force politike, e cila ka shtypur luftën e ideve dhe parimeve duke u marrë me luftën personale dhe duke dobësuar thellësisht atë parti, duke i larguar asaj jo vetëm anëtarët dhe militantët, por përfundimisht edhe mundësinë e reformimit thelbësor, që do të përcaktonte të ardhmen e saj. Si mund ti besosh Lulzim Bashës sa herë thotë, dhe sa herë shpall “procesin e reformimit të PD dhe kthimin e saj në parti me rregulla europiane” kur prej muajsh dhe vitesh nuk zhvillon zgjedhje të lira në parti, nuk legalizon mendimin ndryshe, që nuk toleron askënd ti kujtojë humbjet në zgjedhje, dhe llogaridhënien e marrëveshjes së mesnatës së 17 majit 2017.

Kaq do të mjaftonte, për ti kujtuar shumicës së larguar nga PD se, reformimi në atë parti klanesh as nuk u bë, dhe as nuk do të bëhet kurrë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Kristen Stewart është gati të ketë një fëmijë më të fejuarën e saj

Kristen Stewart është gati të ketë një fëmijë më të fejuarën e saj